Hidromorava

Kosova në sytë e votuesit më të vjetër

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ai nëse nuk është më i vjetri, padyshim që hyn në mesin e votuesve më të vjetër të zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Hera e parë kur ai ka votuar është në vitin 1938.

Hazir (Hajdin) Matoshi sipas dokumenteve të Republikës së Kosovës, u lind më 1904 në fshatin Gmicë të Kamenicës, që i bie të ketë 108 vjet.

Mirëpo, sipas rrëfimit të tij, ky manovrim i datës së lindjes ka qenë vetëm për t’u ikur disa detyrimeve ushtarake, pasi që realisht ai është lindur në vitin 1917, që i bie të ketë 96 vjet.

Ai është nismëtar i një familje shumë të madhe. Së bashku me gruan e tij, Sabilen, e cila nuk jeton prej 12 vjetësh, kanë 9 fëmijë, në mesin e të cilëve edhe publicisti i njohur, Halil Matoshi, dhe jo më pak se 83 nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa.

Ai ka përjetuar “Tri Serbia” siç i quan ai, “Shqipërinë” në kohën e pushtimit gjerman, më 1941-45, dy luftëra botërore, si dhe e ka “zatetur Prishtinën kur kishte vetëm 200 shpi”.

Derisa po i afrohet 100-vjeçarit, ai ka qenë dëshmitar i zhvillimeve më të mëdha botërore. Aeroplani, televizori, telefoni e deri te interneti janë të gjitha shpikje të kohës së tij. Mirëpo ai nuk e krahason asnjërën nga këto zhvillime me atë të vitit 1999 kur Kosova u çlirua.

Si ka qenë jeta nëpër pushtimet e ndryshme serbe? Si, kur ka hyrë Shqipëria, shqiptarët e Shqipërisë dëshironin “t’i hanin të gjallët”? Si ishte jeta ushtarake më 1939? Si e mësoi alfabetin fshehtas në ushtri? Me kë ka luftuar në luftën e Gjilanit? Si kanë qenë votimet më 1938? Çfarë ka lidhje Muri i Berlinit me pavarësinë e Kosovës?… dhe shumë gjëra të tjera do t’i tregojë ai në një rrëfim ekskluziv që ia ka dhënë gazetës “Zëri”.

Kujtimet e para të fëmijërisë

Si një person që bart mbi supe 96 vjet memoria e tij është shumë e freskët. Kujtimet e tij të para nisin nga mosha 5-vjeçare, kur së bashku me babanë, Hajdinin, kullosnin bagëtinë në fshatin e Gmicës.

“Kemi pasur 20 lopë dhe shumë gjedhe. Qysh si 5 vjeç më kujtohen si sot ato ara të Gmicës ku dilnim me babën me gja”.

“Nga to ne siguronim gjithçka që kishim para shpirtit. Ishte mënyra e vetme për të mbetur gjallë”, tregon baca Hazir.

Pak vite më vonë, respektivisht në vitin 1929, si 12 vjeç, ai tregon se si i ka ecur në këmbë nga 40 kilometra nga Gmica në Gjilan për të shitur fasule, domate e molla.

“Gjilani atëherë ishte shumë i vogël. Ndërtesa më e madhe ka qenë dykatëshe, saraji e quanim. Atje bëhej pazari, dhe baba i cili nuk mund të dilte lirshëm prej regjimit të atëhershëm serb, ma ngarkonte kalin me fasule, domate, molla dhe gjëra të tjera që t’i dërgoj për t’i shitur në Gjilan. Unë ecja në këmbë e kalin, i cili ishte plot e tërheqsha nga prapa. Isha vetëm 12 vjeç atëherë, mirëpo aso kohe me 12 vjeç ne quheshim burra. Ishim më të fortë dhe më të përgatitur për jetë”, zbulon 96-vjeçari.

Nuk kishte shkolla shqip. Mësonim në mejtep

Mulla Idriz Gjilani, mësuesi i asaj kohe në Medresen e Gjilanit dhe udhëheqës i Ballit Kombëtar për atë rajon.

Matoshi rrëfen se në kohën e tij nuk kishte shkolla shqip dhe pakkush dinte të shkruante e të lexonte.

Për herë të parë në shkollë kishte shkuar në vitin 1932 në moshën 15-vjeçare në një mejtep, për dy vjet me radhë, ku mësoi shkrim dhe lexim arabisht.

“Nuk lejonin askund të mësohej shqip. Madje edhe burgoseshin dhe rriheshin për këtë gjë. E vetmja mënyrë që të shkolloheshim ishte në gjuhën arabe”, rrëfen ai.

Pas mejtepit, ai regjistrohet në Medresenë e mesme në Gjilan, si 18 vjeç, ku si mësues e kishte dhe Mulla Idriz Hoxhën, i cili ishte udhëheqës i Ballit Kombëtar për rajonin e Gjilanit.

Për një muaj në medrese paguanin 1 bankë, që kishte vlerën e 1 kg sheqer, 1 kg duhan apo 1 kg gjalpë.

“Koha e medresesë ka qenë më e mira e atyre viteve. Kemi qenë afër 60 nxënës që mësonim në 9 klasa sa kishte e tërë shkolla. Aty mësonim, aty hanim dhe në korridor flinim. Mësonim nga sabahu deri në aksham. Vetëmkur faleshim dhe hanim bukë pushonim”, rrëfen Matoshi.

“Kanë qenë kohëra shumë të mira pasi e çonim si vëllezër. Nuk ka pasur xhelozi në mes nesh dhe i kemi ndihmuar shumë njëri-tjetrit”, vazhdon ai.

Një vit pa e përfunduar medresenë, në vitin 1939, ai detyrohet të shkojë ushtar. Këtë periudhë ai e quan si një ndër më të errëtat të jetës së tij, megjithëse thotë që për një gjë “ia ka parë hairin”.

“Kur më erdhi thirrja për ushtar u mërzita shumë. Kisha vetëm edhe një vit për ta përfunduar medresenë dhe mu desh të lë të gjithë shokët dhe në anën tjetër as serbishten nuk e dija dhe kjo ma bënte edhe më të vështirë obligimin tim”, tregon Matoshi.

FITORJA

“Jeta në ushtrinë e Krajlit ka qenë shumë e vështirë. Vetëm ai që e ka përjetuar e di këtë gjë. Na maltretonin dhe na quanin me lloj-lloj emrash. Ato dy orë që kishim pushim, na detyronin ne shqiptarëve ta pastronim kazermën dhe çka jo tjetër”, shton ai.

“Mirëpo për një gjë ia kam parë hairin. Në kazermë aty njoha Pajazitin nga Drenica, i cili dinte alfabetin shqip. Ai ma shkroi në një copë letër të gjithin dhe përfund tij shkronjat shqipe. Kur bija të flija apo kur kishin ndonjë pushim e shfrytëzoja kohën që ta mësoja. Brenda 9 muajve sa qëndrova në ushtri, e mësova edhe shkrim-leximin shqip, pas atij arab dhe serb”, rrëfen baca Hazir.

Shqipëria është treguar e vrazhdë me ne

Hazir Matoshi kujton se në vitin 1941 kur në vendlindjen e tij sundimin e mori Shqipëria, në kohën e pushtimit nazist gjerman, problemet që kishin më parë nuk ishin hequr assesi. Ai rrëfen se megjithëse zyrtarë shqiptarë kishin shumë probleme në komunikim dhe taksat ishin të larta.

“Nuk arrinim të merreshim vesh. Ata ishin shumë të vrazhdë dhe nuk hanin llaf. Taksat ishin shumë të larta dhe dëshironin të na hanin të gjallë. Mirëpo pasi që ishin shqiptarë kjo nuk na pengonte edhe shumë dhe duronim gjithçka. Më mirë një i joni se një serb. Të paktën burgosje dhe rrahje nuk kishte”, rrëfen 96-vjeçari.

Votimi i parë më 1938

“Më kujtohet si sot kur kemi dalë në votime për herë të parë. Ishin zgjedhjet komunale. Votimi aso kohe ka qenë ndryshe. Ka qenë i hapur. Ne vetëm shkonim i tregonim se për kë do të votojmë, ai e shënonte emrin dhe ne vetëm nënshkruheshin në fund”, kujton 96-vjeçari.

“Edhe fushata ka qenë ndryshe. Për komunën tonë të Hajnocit që kishte diku afër 10 mijë banorë me të gjitha rrethinat, kandidati për kryetar, Hamit Lahi, nuk bënte premtime materiale. Ai ose na vizitonte shpi për shpi ose mblidheshim në odën e ndokujt në katund dhe bisedonim. Nuk janë bërë premtime materiale. E tëra që na thoshte ishte se do të mundohej të na mbronte nga serbët të cilët e kishin pushtetin qendror”, shton më tutje Matoshi.

“Ç’është e vërteta ai edhe e mbajti premtimin. Mua personalisht më kishte hequr 9 muaj nga shërbimi ushtarak dhe këtë nuk ia harroj kurrë”, përfundon kujtimet për këtë periudhë ai.

Kur u thye Muri i Berlinit e dija se edhe Serbia do të thyhej

Pushtimi i Serbisë mbi Kosovën kishte qenë pothuajse gjatë gjithë jetës sado të gjatë të bacës Hazir. Andaj edhe besimi se Serbia do të largohej nga Kosova vetëm sa ishte dobësuar dhe ishe bërë një “ëndërr e harruar në sirtar” për të.

Mirëpo, ai thotë se me thyerjen e murit të Berlinit dhe bashkimit të dy Gjermanive, shpresat për një pavarësi, janë rikthyer më fort se asnjëherë më parë.

“Aq kohë kisha nën Serbi sa që e kisha harruar se si është të shpresoj për një çlirim. Mirëpo në vitin 1989 kur unë tashmë kisha ardhur në Hajvali, u thye muri i Berlinit dhe dy Gjermanitë u bashkuan. Në atë moment e kam parë që gjithçka mund të ndodhë dhe se edhe Serbia nuk e kishte larg. Ashtu edhe ndodhi falë Zotit, 10 vjet më vonë, edhe Serbia u thye, njashtu si muri i Berlinit”, rrëfen Matoshi.

Tri gëzimet e mëdha të jetës sime…

“Në jetë mund t’i veçoj tri gëzime të mëdha. Lindja e djalit të parë Mustafës, kthimi i djalit tjetër Halilit nga burgu i Pozharevacit pas luftës dhe çlirimi i Kosovës, janë përjetimet ma të mëdha të jetës time”, zbulon 96-vjeçari.

Që nga paslufta, 96-vjeçari ka marrë pjesë në çdo palë zgjedhje që janë mbajtur në Kosovë. Madje edhe këto të fundit të 1 nëntorit, megjithëse i është dashur që të dalë me karrocë invalidësh.

Baca Hazir, para dy vjetëve, në moshën 94-vjeçare, i është nënshtruar një operacioni për amputimin e këmbës së djathtë, të cilin e ka përballuar me guximin më të madh.

Ai thotë se mundësia për të votuar në Kosovën e lirë nuk duhet të lëshohet nga asnjë qytetar i Kosovës, pasi kjo është dita për të cilën shumë breza dhe gjenerata kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre.

“Nuk ka gja ma të mirë se me votu për vendin dhe njerëzit e tu. Për këtë ditë jemi mundu tërë jetën. Derisa të më rrahë një damar dhe të jem kështu i shëndetshëm unë do të dal në zgjedhje edhe sikur të bëj 120 vjet”, thotë baca Hazir.

Kosova kurrë më mirë nuk asht kanë

Për afro 100 vjetëve të jetës së tij, ai në fund thotë se Kosova kurrë më mirë nuk ka qenë. Madje shton se është bërë më mirë sesa që e kishte ëndërruar ndonjëherë.

“Kurrë ma mirë nuk është kanë. As që kemi menduar ndonjëherë se do të bëhej kështu”, ka thënë Matoshi.

“Sot gjithçka është më e lehtë. Të rinjtë po shkollohen dhe po kanë kushte të mira, mundësia për punë është më e madhe se sa ka qenë ndonjëherë. Sot kemi udhëheqësinë tonë dhe duhet të jemi të lumtur për këtë gjë. Shumëkush e ka sunduar këtë vend dhe ma në fund mbeti vetëm i joni. Andaj, dujeni dhe punoni që ky vend të shkojë edhe ma tutje përpara, në mënyrë që këtu asnjëherë më të mos ketë sundues”, përfundon Hazir Matoshi./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.