UBT

Kosova në sytë e të huajve

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Kosova, ky emër për shumë të huaj, sjell imazhin e dhunës, të luftës dhe të problemeve të ndryshme. Edhe pas më shumë se 13 vjet të përfundimit të luftës fotografia reale e Kosovës nuk është ajo që është në realitet.

Në sytë e atyre që kanë në mendje emrin Kosovë, ende qëndron ajo e vitit 1999 dhe e ndjenjës së keqe për shtetin që u krijua pesë vjet më parë.

Mbi 130 studentë nga Vjena dhe Venediku, që vijnë nga shumë vende të botës, nga të pesë kontinentet, më nuk do të kenë në sytë e tyre pamjen e Kosovës së mëparshme.

Ata kanë ndërruar mendim për Kosovën. Ata për një javë kanë qëndruar në Kosovë, ku janë takuar me aktorë të ndryshëm politikë, të institucioneve të ndryshme qeveritare e joqeveritare, me përfaqësues të ndryshëm etj.

Marijana Grandits, profesoresha e cila udhëheq vizitën studimore të studentëve të Vjenës dhe të Venedikut, ka thënë se është shumë e rëndësishme për studentët të shohin se cili është realiteti i të drejtave të njeriut dhe demokratizimi.

“Studentët nga kjo vizitë studimore shohin nga afër, pasi nga studimet ata vetëm lexojnë teori për Kosovën, që ka kaluar nga një krizë e konfliktit dhe që vendi ka nevojë të zhvillohet. Pra, ata vijnë dhe shohin si po ecën demokratizimi”, ka thënë ajo. Sipas saj, ata shohin se cilat janë sfidat që i ka Kosova në demokratizim.

Profesoresha Grandits ka vlerësuar se takimet që studentët i bëjnë me qytetarët e Kosovës janë shumë e rëndësishëm, pasi ata e shohin dhe e ndjejnë si jeton populli këtu, çfarë stili të jetës kanë, çfarë tradite kanë etj.

Studentët e huaj, ambasadorët më të mirë të Kosovës

Profesoresha e cila udhëheq vizitën studimore të studentëve të Vjenës dhe të Venedikut, Marijana Grandits, ka vlerësuar se të gjithë studentët që kanë qenë në Kosovë dhe që tani janë në këtë vizitë, janë ambasadorët më të mirë të Kosovës në vendet nga ata vijnë. “Të gjithë studentët që kanë qenë në Kosovë dhe ata që janë në këtë vit, pas kthimit nga Kosova, kanë një pikëpamje tjetër për Kosovën. Ata mendojnë ndryshe për Kosovën, ata kanë një fotografi tjetër për Kosovën, kthehen për përvojën më të mirë nga Kosova”, ka thënë ajo.

Grandits ka bërë me dije se studentët ia kanë bërë pyetjen, se “pse duhet të shkojmë në Kosovë, çfarë të bëjmë atje?”.

Fundamenti

“Unë ua kam shpjeguar atyre se Prishtina është një qytet evropian. Njerëzit janë shumë të hapur, janë shumë mikpritës. Ata janë shumë të shoqërueshëm, gjeneratë e re, muzikë e njëjtë”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo vizitë ndihmon në shkëmbimin e përvojave të kulturave dhe të importimit të ndërsjellë.

“Unë kam zgjedhur t’i sjell studentët këtu për arsye se e njoh mirë Kosovën dhe mentalitetin këtu”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq studenti Vladislav Davidzon është shprehur shumë i kënaqur që është në Kosovë. Davidzon, i cili është lindur në Rusi dhe që jeton në Amerikë, kishte pasur mendime të ndryshme për Kosovën. Fotografia e tij për Kosovën i kishte dy pamje. Njërën se çfarë kishin shkruar mediet amerikane dhe tjetrën çfarë kishin shkruar mediet ruse. “Me të ardhur në Kosovë u binda për Kosovën. Kosova është një vend shumë i mirë, njerëzit janë shumë të mirë dhe shumë tolerantë”, ka deklaruar ai.

Edhe studentja nga Serbia, Tijana Joksiq, ka theksuar se për të si studente është shumë me rëndësi ta shohë nga afër jetën në Kosovë. “Për mua është me rëndësi të shoh si është jeta në Kosovë, te shqiptarët dhe te serbët. Më intereson në të dy anët, kjo më ndihmon shumë, pasi deri tani kam qenë vetëm e informuar nga mediet”, ka thënë ajo.

Në këtë grup studimor të studentëve nuk janë vetëm evropianët. Similoluva Akinyemi, e cila është nga Nigeria, para se të vinte këtu nuk kishte shumë informata për Kosovën.

Ajo ka thënë se nga ajo që kishte dëgjuar për Kosovën kishte ardhur me bindjen se Kosova është një vend që ka më shumë lidhje me ndonjë kulturë që më shumë u përngjan vendeve joevropiane. “Kur erdha këtu pashë se gjerat ishin ndryshe”, ka thënë ajo.

Edhe pse larg Evropës dhe Kosovës, Kathryn Marie Allison Prishtinën e ka krahasuar me kryeqendrat evropiane. “Pothuajse është njëjtë. Populli është shumë mikpritës, kultura e këtij vendi është shumë e veçantë. Unë jam e pasionuar. Mua më duket se ky qytet ka ngjashmëri me Berlinin”, ka thënë ajo.

Thaçi, e vetmja kosovare në këtë grup

Burbuqe Thaçi është e vetmja që është nga Kosova në këtë grup. Ajo ka bërë me dije se nga biseda që ka pasur më studentët, të gjithë kanë menduar se Kosova është ndryshe nga ajo që është në realitet. Sipas saj, kanë mjaftuar vetëm dy orë që të gjithë të ndërrojnë mendim për Kosovën dhe popullin tonë.

(Gazeta “Epoka e re”)