Kosova, në qorrsokak
Kuvendi i Kosovës edhe në këtë javë ka dështuar që të mbajë një seancë parlamentare për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ndërkohë që opozita ka shtuar zërat që kërkojnë zgjedhje të reja, mirëpo çfarë do t’i ofrojnë popullit këto parti politike aktuale, edhe nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare? Prandaj, analistët të zhgënjyer thonë se asnjëra parti politike aktuale nuk paraqet alternativë të daljes nga kjo krizë e rëndë që e ka përfshirë vendin tonë.
Ata vlerësojnë se kjo klasë politike nuk janë politikanë që ia duan të mirën vendit, por janë thjesht militantë partiakë dhe mercenarë politikë, të cilët vetëm e shohin paranë duke punuar ekskluzivisht për interesat e mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale, të cilët ua ” lagin fytin”. Andaj, sipas tyre, nuk duhet të çuditemi fare se përse as pozita e opozita nuk mërziten për problemet e qytetarëve, nëse kanë ushqim e veshmbathje të mjaftueshme, nëse kanë punë, nëse presin me muaj për një vizë para dyerve të ambasadave perëndimore. Analistët vlerësojnë se kjo është arsyeja se përse as pozita e as opozita nuk lodhen se pse në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka arsim e shëndetësi të mirëfilltë, por ka nëntokë kriminale dhe mafio-oligarkë që sundojnë dhe janë mbi ligjin, andaj, sipas analistëve, këto subjekte politike janë mjerimi i vërtetë i këtij vendi.
Partitë pa kauza nacionale
Analisti Arsim Haziri tha për ” Kosova Sot ” se edhe po të mbaheshin zgjedhjet nacionale në Kosovë, sërish kjo skenë politike do të jetë në fuqi, këtë e dëshmuan edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në qershor të viti 2017. “Haradinaj ka ardhur në krye të Qeverisë në mënyrë të padrejtë dhe joracionale dhe kur e kemi parasysh këtë fakt nuk mundem të presim politika në interes të kauzave madhore. Tashmë kur kemi në konsideratë tërë këto lëvizjesh e qëndrimesh të paartikuluara dhe zbatuara për të qenë për kolektivin social nuk mund të presim logjik të drejtë të qeverisjes dhe kjo është arsyeja pse qytetarët nuk mund të besojnë për çfarëdo qeverie që merr mandatin popullor”, u shpreh ai. “Edhe po të organizoheshin zgjedhjet, siç po i thërrasin disa nga subjektet opozitare, është e pamundur të krijohet një mendësi tjetër nga kjo e tanishmja. Këtë e humbi edhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ për të qenë shpresa e fundit drejt një qeverisje në interes të përgjithshëm”, theksoi Haziri. Ndërsa, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për “Kosova Sot”, tha se Demarkacioni është problem deri tash i pazgjidhur. “Edhe deputetët e Kuvendit tashmë nuk po shkojnë as në seancat e Kuvendit ose po dalin para kohe, duke e parë që po shkon gjithçka nga fundi, ngase dështim pas dështimi dhe dëm pas dëmi po bën kjo Qeveri me këtë mandatar. Andaj, sa më parë që të prishet ky koalicion, aq më mirë dhe më pak dëme, edhe pse zgjedhjet e tjera nuk ofrojnë ndoshta asgjë më të mirë dhe diç më mirë zgjedhje dhe së këndejmi edhe duhet pyetur popullin se çka të bëjnë”, theksoi ai.
Kryeministri po tregohet i paaftë
Sipas Burjanit, nuk po shihet në horizont asnjë zgjidhje për asnjë problem, sepse gjithçka po shkon drejt fundit të kësaj qeverisjeje, ngase rendi dhe ligji nuk janë në domenin e kësaj legjislature. “Me këtë kryeministër, që për teke të veta është në gjendje të kthejë prapa perspektivën e Kosovës dhe të qytetarëve, është pritur që kjo Qeveri mos të ketë më shumë se gjysmë viti, por të vetmin hap që është pritur nga qytetarët, që është kalimi i Demarkacionit dhe hapja e perspektivës së qytetarëve, pra edhe këtë nuk e realizoi, kështu që të gjitha kushtet janë pjekur për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, vlerësoi ai. “Por, duke u bazuar në të gjitha zgjedhjet, priten pak ndryshme, sepse partitë kanë arritur të bëjnë qytetarin klientelë të tyre, duke e joshur me vende pune, ndërsa bizneset me karremin e tenderëve që në njëfarë mënyre këto parti politike nuk janë të interesuara që të dalin masovikisht qytetarët në zgjedhje, sepse iu prishin llogaritë e tyre”, ka potencuar Burjani. “Duke u bazuar në lëvizjet e fundit të skenës politike me ndarjen e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, me të gjitha problemet e saj është pritur si alternativë qytetari, por ndarja e saj i dha fund çdo shprese, pra edhe nëse shkojmë në zgjedhje, nuk pritet shumë, por sidoqoftë kam bindjen se cilido që e zë ulësen e kryeministrit aktual do të bëjë më shumë”, shtoi ai. Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, tha se arsyeja kryesore pse po dështon gjithmonë në Kuvendin e Kosovës seanca për Demarkacionin është Lista Sërpska dhe Lëvizja “Vetëvendosje”. “Po shihet se nuk ka një dakordim lidhur me kalimin e Demarkacionit. Edhe kësaj radhe dështoi mbajtja e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për pasojë vendi po rrezikohet të humbë mbështetjen ndërkombëtare dhe rrezikon të shtyjë edhe më tutje liberalizimin e vizave, siç dihet, shpejt do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe trendët tregojnë se partitë nacionaliste në Evropë janë në trend të rritjes dhe për pasojë kanë më shumë prirje kundër Kosovës”, ka thënë Grapci.
(Kosova Sot)


