Mobi Casa

Kosova në pritje të goditjes së dytë nga BE-ja

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Pas dështimit të takimit të djeshëm Kurti-Vuçiq, BE-ja e quan situatë serioze. Zëdhënësi i BE-së, Petër Stano, tha se emisari i për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do t’i informoj shtetet anëtare të Unionit të cilat do të vendosin se çka do të ndodh në vazhdim. Stano, vlerësoi se takimi Kurti-Vuçiq përfundoi pa rezultat për shkak të mungesës së gatishmërisë palëve për kapërcim e dallimeve.

“Borrell nuk ka thënë që dialogu ka dështuar, por se rundi i djeshëm i dialogut nuk solli rezultate sepse palët dështuan që të pajtohen dhe ky është një skenar që po përsëritet së fundmi. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që të shohim palët që nuk janë në gjendje të tejkalojnë diferencat e tyre. Nëse ti dëshiron që të ndihmosh dikë dhe ai nuk do që të jetë i ndihmuar, atëherë çfarë mund të bësh”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, akuzoi kryeministrin Kurti se refuzoi marrëveshjen e kompromisit, ku bënë pjesë edhe themelimi i Asociacionit.

Ndërkohë, kryetari Kuvendit, Glauk Konjufca, kritikoi BE-në se kërkesat e tyre ndaj Kosovës janë të ngjashme me të Serbisë. Sipas tij, jo të gjitha marrëveshjet që propozohen mund të pranohen.

“Jo të gjitha marrëveshjet mund të pranohen. Qasja e BE-së është e pa balancuar sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që po na i kërkon neve Serbia. Siç është dorëheqja pa kurrfarë procedure të kryetarëve të komunave, zhvleftësimi i procesit demokratik dhe i ligjshmërisë të institucioneve tona. Të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht BE-ja po na i kërkon këto. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari Konjufca kërkoi nga faktori ndërkombëtar garanci të forta se Serbia nuk do ta përdor themelimin e Asociacionit si kartë për ta destabilizuar Kosovën.

“Kosova nuk ka obligim që të ja jep Asociacionin Serbisë dhe ne të mbetemi të panjohur nga ana e Serbisë e të luftohemi, kjo do të ishte katastrofike dhe me pasoja të mdhaja. Asociacioni është pranuar prej qeverive të kaluara nuk mund ta kthejmë në pikën zero. Ne e kuptojmë që Kosova nuk ka kapacitete me kthy në zero atë proces. Por, në mënyrë që me realizua ne obligimin tonë, a mund të na garantoni që Serbia nuk do ta përdor këtë mekanizëm për me minu shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk po jep garanci. Bashkësia ndërkombëtare duhet me dhanë garanca të fuqishme jo vetëm fjalë goje”, tha ai.

Fundamenti

Në anën tjetër opozita kritikon pushtetin se e ka futur dialogun në qorrsokak.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se kryeministrin Kurti po manipulime në proces të dialogut.

“Kurti e ka pranuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrti dhe është absurde që të manipunohet opinoni publik se tash po kërkon njohje de-facto që nuk i bie në asnjë formë”, tha Hoxhaj.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se nuk është pritur sukses nga takimi i djeshëm në Bruksel, duke u bazuar në hezitimin për zbatimin e të aneksit të marrëveshjes nga të dyja palët. Nënkryetari Haziri shpreh shqetësim se Kosova mund të përballet sërish me sanksione nga faktori ndërkombëtar.

“Jemi në pritje të shuplakës së dytë nga BE-ja dhe kjo do të sjellë kokëqasje të shumta për Kosovën. Marrëveshja e Ohrit thotë se palët që nuk e zbatojnë do të ndëshkohen dhe kjo është produkt i Kurtit”, tha Haziri për RTV21.

Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur “i zhgënjyer” për mungesë të përparimit në bisedimet e nivelit të lartë në Bruksel. Presin që Kosova dhe Serbia t’i marrin seriozisht obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur më herët këtë vit. Në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit ndër të tjera thuhet se “koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen së Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.