Kosova në prag të kolapsit energjetik
Ndonëse që nga përfundimi i luftës nga të gjitha qeveritë e deritanishme është diskutuar për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe ripërtërimin e kapaciteteve ekzistuese, kjo çështje nuk është trajtuar me seriozitet kurrë deri më sot.
Shih për këtë analistët e kësaj fushe janë të mendimit se dikush duhet të japë përgjegjësi në këtë vend për një krizë energjetike të paralajmëruar në Kosovë. Kjo pasi që, siç paralajmërojnë zyrtarët e KEDS-it, mësohet se ka rezerva vetëm deri më 15 shkurt që ta furnizojë Kosovën me energji elektrike dhe se Qeveria do të detyrohet që ta blejë energjinë elektrike me çmim më të lartë, për shkak të mungesës së prodhimit vendor, kurse e tëra kjo në kurriz të qytetarëve tanë.
Analistët ndërkaq thonë se në një vend si yni, ku kemi thëngjill sa të duash, të mos kemi energji është një papërgjegjësi e të gjitha qeverive që e lanë vendin në këtë derexhe. Por, askush nuk u soll para përgjegjësisë për të gjitha këto dështime të njëpasnjëshme për furnizim me energji elektrike. Nëse nxjerrja e thëngjillit nuk nis të bëhet në afat të shkurtër, drejtuesit e KEKut thonë se ka rezerva vetëm deri më 15 shkurt që ta furnizojë Kosovën me energji elektrike. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së MZHEsë dhe KEK-ut, lidhur me çështjen që trajtohen nga ana e gazetës, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.
Përgjegjësit të japin llogari
Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për “Kosova Sot” se me një problematikë me të cilën po përballemi tash e 18 vjet është për t’u habitur se përse askush nga qeveritë që deri më tash e kanë drejtuar vendin nuk u soll para përgjegjësisë për të gjitha këto dështime të njëpasnjëshme për furnizim me energji elektrike. “Sepse të na ndodhë diç e tillë për shkak të mungesës së hapësirës ku do të mund të nxjerrin thëngjill është një absurditet pa precedent”, theksoi ai.”Shpresoj se në mandatin e Qeverisë ‘Haradinaj’ do të zgjidhet ndërtimi i TC-së “Kosova e Re” dhe kësisoj do të zgjidhet problemi i mungesës së energjisë që është edhe njëri nga shkaktarët e mosardhjes së investitorëve të huaj “, vijoi më tutje ai.
Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, tha se vërtet është për keqardhje që kemi ardhur në këtë gjendje, ku jemi me mungesë energjie.”Është për keqardhje që edhe 18 vjet pas lufte nuk kemi energji elektrike në sasi të mjaftueshme”, u shpreh ai. Sipas Malokut, dikush nga drejtuesit e deritashëm të MZHE-së që kanë qenë përgjegjës për këtë dikaster duhet që të japin përgjegjësi se cilat janë lëshimet e tyre përse në këtë vend kemi një krizë energjetike në Kosovë. “Në saje të kësaj mospërgjegjësie të deritashme po jemi të detyruar që ta blejmë energjinë elektrike dhe atë me çmimin dukshëm më të lartë, për shkak të mungesës së prodhimit vendor, kurse e tëra kjo pagesë e kësaj energjie super të shtrenjtë do të jetë në kurriz të qytetarëve tanë”, theksoi Maloku.
Privatizimi ishte kriminal
Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për “Kosova Sot” se me fondet që ka marrë KEK-u nga Qeveria dhe donatorë të ndryshëm kemi mundur për t’i ndërtuar tri TC të rinj. “Asnjë nga qeveritë e vendit nuk i kane kushtuar kujdes dhe nuk kanë pasur prioritet zgjidhjen e këtij problemi serioz dhe madhor. Mendoj se Qeveria e vendit ose qeveritë e kaluara e kanë barrën kryesore të kësaj krize, vetë privatizimi i tij ka ndodhur në formën më kriminale, e çka të pritet prej tyre më shumë”, u shpreh ai.
Analisti Beqiri tha se Kosova duhet që të orientohet në kapacitetet që i ka pra në linjitin e saj dhe përkohësisht t’i iket idesë së ndërtimit të termocentraleve, të energjisë me erë. “Mendoj se këto duhet bërë, por si Kosovë edhe nuk jemi të përgatitur, si duket edhe Kosovën e ka kapur sindromi i tregtarëve të mëdhenj të energjisë dhe po i imponohet të tërheq vëmendjen nga pasuria e saj, por kam përshtypjen se këto kompani ose OJQ që thirren në energji alternative qëllimin e vetëm e kanë përfitimin e tyre dhe varjen e Kosovës nga importi, ngase Kosova ndodh që edhe shet energji elektrike dhe po të njëjtën energji ajo e blen kur ka nevojë ama me çmim marramendës”, theksoi Beqiri.”Nuk ka qytetari aktive se një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhtë, kjo është pasuria e Kosovës, nuk është pronë e askujt, por është pasuri kombëtare, andaj ata politikanë që sot nuk i kushtojnë vëmendje duhet larguar nga skena politike, jam i mendimit që Qeveria e ministritë përkatëse të merren me shumë me këtë problem, sepse po terrorizohet popullata dhe biznesi, saqë ka edhe të atillë që kanë filluar t’i presin malet e tyre në shenjë frike të mbetjes pa ngrohje”, tha Beqiri.
Serbia ndikon në bllokimin e ekonomisë kosovare
Analisti Xhevat Meha tha për “Kosova Sot” se nuk është rastësi që KEDS-i nuk prodhon energji elektrike për shkak të mungesës se thëngjillit. “Duhet punë sistematike nga struktura të organizuara mirë, me një funksionalitet dhe efikasitet të lartë dhe atë për një periudhë të gjatë kohore për të arritur këtë që Kosova të flejë mbi thëngjill e të mos ketë thëngjill për të prodhuar energji elektrike. Për të arritur këtë duhet punë e organizuar në disa institucione të Kosovës. Edhe mosprodhimi i energjisë elektrike, meqë nuk është rastësi, ka për synim arritjen e caqeve të caktuara, e ky është caku që Kosova përmes mungesës së energjisë elektrike të ketë një nga pengesat më të fuqishme për të mos u zhvilluar, për të mos u forcuar si shtet dhe si shoqëri”, u shpreh ai. Analisti Meha tha se të gjitha këto veprime nuk janë kryer nga Qeveria e Kosovës dhe nga institucionet e tjera të Kosovës të përfshira, sepse këtu kanë ndikim shërbimet sekrete serbe. “Shërbimet sekrete të Serbisë arrijnë që t’i përdorin institucionet e Kosovës për arritjen e synimeve të tyre në Kosovë përmes kontrollit mbi këto institucione të realizuara përmes rrjetit të spiunëve që i kanë të shtrira nëpër të gjitha institucionet dhe nëpër të gjitha nivelet, përfshirë krerët e institucioneve të Kosovës”, vlerësoi Meha.
Çmimet po rriten
Ekonomisti Dardan Grapci tha për “Kosova Sot” se qeveritë e deritashme të Kosovës duhet të japin përgjegjësi në lidhje me krizën energjetike të Kosovës, për shkak se KEDS-i jo vetëm që ka rezerva deri më 15 shkurt, por edhe për 100 vjet të ardhshme minimum, prandaj dikush këtu – KEDS-i është duke gënjyer, kurse Qeveria e Kosovës ka gabuar që e ka privatizuar KEK-un duke ia dhënë biznesmenëve turq. “Duke e ditur gjendjen ekonomike të qytetarëve, KEDS-i, në vend se t’i lirojë çmimet, sidomos në sezonin dimëror, ata e rritin çmimin për 30 për qind, duke u pamundësuar qytetarëve që të jetojnë dhe duke u furnizuar me rrymë. Sepse Kosova është e pasur me thëngjill, dhe në ish-Jugosllavi e ka furnizuar me rrymë jo vetëm Kosovën, por edhe një pjesë të Serbisë, prandaj si ka mundësi që për 18 vjet (nga 1999) të harxhohet thëngjilli, duke e ditur se thëngjill kemi, edhe eksport, edhe në vendet e jashtme”, theksoi ai. Ndërsa Selatin Kaçaniku (‘Konsumatori’) tha për “Kosova Sot” se kjo situatë po ndodh ngase menaxhmentet, bordet, strukturat institucionale e politike, janë të dobëta, nepotike dhe të korruptuara.”Ato nuk mund as nuk dinë ta korrigjojnë vetveten. Aq më parë e aq më keq nëse zbatueshmëria e ligjeve është nën nivelin 40 për qind”, theksoi Kaçaniku. “Të gjithë ata që e sollën sistemin energjetik këtë sektor të rëndësishëm socio-ekonomik në këtë gjendje natyrshëm duhet të përgjigjen. Akti i parë i përgjigjes dhe i përgjegjësisë është dorëheqja, duke u nisur nga ata të cilët e shitën e keqpërdorën ose e politizuan sekretin afarist e nacional të kahut të shtrirjes së eksploatimit afatmesëm të rezervave të linjitit”, potencoi ai. Sipas Kaçanikut, sektori energjetik duhet të trajtohet me kritere, norma, standarde nacionale, prioritare, të domosdoshme, sepse askush nuk ka të drejtë që energjetikën ta manipulojë as për më të madhin interes personal, grupor, partiak etj.
(Kosova Sot)

