KKVITI

Kosova në Bienalen e Venedikut

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kosova edhe vitin tjetër do të prezantohet në Bienalen e Venedikut – kësaj radhe në edicionin e 55-të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit.

“Më në fund ëndrra e shumë artistëve nga Kosova që të prezantohen në Bienalen e Venedikut, në evenimentin më të madh botërore të artit bashkëkohor, Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, do të realizohet vitin e ardhshëm”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Kulturës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka marrë përgjigje pozitive nga presidenti i Bienales së Venedikut, Paolo Baratta në kërkesën drejtuar ditë më parë për pjesëmarrje edhe të Kosovës në edicionin e 55-të të kësaj ekspozite. “Kjo ka ndodhur falë një bashkëpunimi të ngushtë mes MKRS-së dhe organizatorëve të Bienales së Venedikut, e po ashtu edhe nga prezantimi i mirë i Kosovës në Bienalen e sivjetshme të Arkitekturës”, njofton ministria.

Hidromorava

Sipas Ministrisë së Kulturës, nesër do të mbahet takimi i përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, në të cilin takim do të marrin pjesë edhe Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe Eliza Hoxha, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së.

Ministri Krasniqi ka vlerësuar se ky është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për artin në Kosovë.

“Pjesëmarrja në këtë bienale ka qe në një synim dhe ëndërr për artistët nga Kosova. Ndjehem i lumtur që kjo do të realizohet në vitin 2013. Pjesëmarrja jonë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm për artin në gjithë botën, është një vazhdimësi e prezantimit të Kosovës në ngjarje shumë të rëndësishme në kulturë që kanë ndodhur këtë vit”, ka thënë ministri Krasniqi.