Kosova me “ushtarë” të rinj
Përfaqësuesja e Kosovës pritet të përforcohet me futbollistë të rinj. Së fundmi është konfirmuar zyrtarisht se kanë nisur negociatat me talentin e Hannoverit, Florent Muslija. Lidhur me ardhjet e reja të Kosovës “Zëri” ka biseduar edhe me njeriun e parë të futbollit kosovar, Agim Ademi. Presidenti i FFK-së flet për dy futbollistët për të cilët po flitet tash e një kohë të gjatë, Loret Sadikun e Kasimpashasit dhe Florent Hadërgjonajn e Huddersfieldit.
Kosovës së shpejti mund t’i shtohet një tjetër lojtar i talentuar. Bëhet fjalë për futbollistin Florent Muslija, që luan në Bundesligën e Gjermanisë me ekipin e Hannoverit.
Zyrtari i FFK-së, Rinor Havolli, konfirmon për gazetën “Zëri” se FFK-ja po punon që futbollisti t’i bashkohet Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Florentin. Menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala, është në kontakt me babanë e tij. Babai i tij ka qenë në Kosovë dhe e ka parë ndeshjen e fundit me Bullgarinë”, ka thënë Rinor Havolli për “Zërin”.
“Mund të them se ende nuk ka vendosur Florenti se a do të luajë ose jo për Kosovën”, shtoi Rinor Havolli.
Muslija së fundmi është takuar me përfaqësuesin e Federatës së Futbollit të Kosovës për Gjermani, Fehmi Kongjeli.
Florent Muslija me shumë gjasë do t’i bashkohet Kosovës para ndeshjeve për fazën e dytë në “Euro 2020”, ku mund të luajë ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Muslija, 20-vjeçar, është lindur në Achern të Gjermanisë.
Image
Ai ka bërë pesë paraqitje me Kombëtaren U20 të Gjermanisë, duke e shënuar një gol.
Te skuadra e Hannoverit në Bundesligë Muslija ka bërë gjithsej 20 paraqitje këtë sezon, 13 prej tyre në Bundesligë.
Kurse shqiptari me klubin gjerman këtë sezon ka shënuar gjithsej tre gola, dy prej tyre në kampionatin gjerman.
Mesfushori me tipare sulmuese klubit të Hannoverit iu bashkua në gusht të vitit 2018, në ditën e fundit të afatit kalimtar, nga skuadra tjetër gjermane Karlsruher.
Me Hannoverin Muslija ka kontratë katërvjeçare.
Agim Ademi: Së shpejti vendoset për Loret Sadikun dhe Florent Hadërgjonajn
Lidhur me ardhjet e reja te Kosova “Zëri” ka biseduar edhe me njeriun e parë të futbollit kosovar, Agim Ademi.
Presidenti i FFK-së flet për dy futbollistët për të cilët po flitet tash e një kohë të gjatë, Loret Sadikun e Kasimpashasit dhe Florent Hadërgjonajn e Huddersfieldit.
“Sa i përket Loret Sadikut, shumë shpejt do të vendoset verdikti në FIFA, sepse palët janë në bisedime. Loret Sadiku ka thënë se dëshiron të luajë vetëm për Kosovën dhe jo për ndonjë kombëtare tjetër. Ndërsa për Florent Hadërgjonajt jemi në fazën përfundimtare të bisedimeve dhe të rregullimit të dokumentacionit”, ka thënë Agim Ademi.
Kosova e respekton Anglinë, ia liron “shtëpinë”
Kombëtarja angleze do të zbarkojë në muajin nëntor në Kosovë për t’u përballur me “Dardanët” në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.
Federata e Futbollit të Anglisë ka konfirmuar se e ka rezervuar tërë hotelin “Emerald” dhe se 126 dhomat që posedon ky hotel do t’i takojnë “Tre Luanëve”.
Edhe pse nuk do të mundë t’i shfrytëzojnë 126 dhomat, Federata e Anglisë ka vendosur që t’i rezervojë të gjitha dhe këtë e ka bërë tetë muaj para përballjes me Kosovën.
Ata madje kanë kërkuar që asnjë mysafir të mos jetë në “Emerald” gjatë kohës sa do të qëndrojë aty Kombëtarja angleze.
Të gjendur në një situatë të tillë, “Dardanët” kanë zgjedhur për të ndërruar mjedis.
“Anglia ka njoftuar se dëshiron ta aranzhojë gjithë hotelin. Meqenëse nuk është praktikë që dy skuadra të qëndrojnë në një hotel, ne ua kemi mundësuar këtë. Natyrisht se do të ndryshojmë vend dhe jemi në kontakt me disa hotele për këtë çështje”, ka deklaruar ndër të tjera Agim Ademi.
Ndryshe, Kosova e ka nisur mjaft mirë fushatën kualifikuese për “Euro 2020”, duke barazuar në ndeshjen e parë me Bullgarinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultat 1:1.
Kosova para atij takimi shfaqi lojë shumë të mirë në ndeshjen miqësore ndaj Danimarkës, duke barazuar me rezultat 2:2.
Kosova takimin e radhës kualifikues e zhvillon ndaj Malit të Zi në Podgoricë, më 7 qershor. Katër ditë më pas e sfidon Bullgarinë në Sofje./Zëri/

