RCCOLA

Kosova me norma të larta të interesit në kredi

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kosova vazhdon të ketë normat më të larta të interesit në kredi, krahasuar me vendet e rajonit. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, në një intervistë për Radio Kosovën thotë se kjo ndodh për shkak të riskut të madh në treg.

Sipas tij Kosova është në vendin e 138 nga 180 vende të botës së i përket zbatimit të kontratave, kurse deri tani janë mbi 10 mijë kontrata të pazbatuara.

Normat e interesit të kredive në Kosovë mbeten më të lartat në rajon, ndonëse nga viti në vit kanë pësuar rënie. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, thotë se prej vitit 2010 deri në vitin 2013 në normën mesatare të interesit të kredive ka pasur rënie prej 3.5 për qind. Rënie ka pasur edhe në normat e interesit në depozita për një pikë të përqindjes, pra nga 3 në 2 për qind mesatarisht, thotë Balija.

“Ne si shoqatë e bankave dhe si industri bankare kemi për qëllim që në vazhdimësi të bëjmë uljen e normave të interesit në përputhje me riskun e tregut. Normal që ne nuk mund të ulim normat e interesit duke rrezikuar industrinë, pra duke mos përfillur riskun në treg por në raport me rënien e riskut do t’i ulim edhe normat e interesit”, thotë Balija.

Mobi Casa

Por normat e larta të interesit në kredi janë si reflektim i riskut të madh në treg, thekson Balija. Kosova sipas tij është e listuar e 138-ta nga gjithsej 180 vende për zbatimin e kontratave.

“Kjo reflektohet në faktin që kemi mbi 10 mijë lëndë të bllokuara në gjykata që paraqesin një vlerë rreth gjysmë miliardi euro. Këto janë akumuluar gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ka lëndë të cilat janë më të vjetra se 5 vjet, por ka edhe lëndë të reja”, thekson ai.

Aktualisht rreth 2.4 miliardë euro janë të depozituara në bankat komerciale në Kosovë, përderisa vlera e përgjithshme e kredive është 1.8 miliardë euro. Kurse niveli i kredive joperformuese është 8.6 për qind, që nuk ka ndryshuar gjatë gjashtë muajve të fundit.