Kosova me dy milionë banorë, nuk e rrezikon Evropën

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në pjesën e dytë të intervistës për Telegrafin ka folur rreth buxhetit të shtetit, pagave, protestave eventuale, privatizimin. Ai po ashtu ka folur edhe për Gjykatën speciale, Ushtrinë e Kosovës, Asociacionin e komunave serbe, liberalizimin e vizave, etj.

Intervistoi: Besnike Salihu Shala

A DO TË KETË RRITJE PAGASH

Telegrafi: Të flasim pak për vitin 2015? Ka kaluar projektbuxheti në parim? Nga qeveria e kaluar është premtuar rritje pagash? A do të ketë rritje pagash në 2015?

Mustafa: Nga qeveria e kaluar është premtuar se do të ketë rritje pagash çdo vit nga 25 %, por në këtë buxhet nuk ka mjete për rritje të pagave, do të thotë dhe nuk kemi ku t’i gjejmë mjetet. Nëse në ndërkohë do të rriten të hyrat buxhetore ose do të përmirësohet buxheti natyrisht se do të shtrohet në rend dite edhe çështja rritja e pagave, por tash për tash me këtë buxhet mund të kemi vetëm implementim të një pjese të marrëveshjes kolektive, por është e pamundur që të kemi edhe rritje të pagave, jo se nuk e dëshirojmë, por në këtë fazë është e pamundur që ato të përfshihen.

Telegrafi: A ia keni frikën protestave

Mustafa: Protesta është e drejtë e sindikatave dhe e qytetarëve. Por të gjithë ata që bëjnë protestë duhet ta dinë se nga me i sigurua mjetet. Unë nuk shoh vend nga me i sigurua mjetet, përndryshe me i pas hapësirë që t’i sigurojmë burimet për kënaqjen e nevojave të shërbyesve civil dhe arsimtarëve assesi se nuk do ta bëja punën që dikush të kërcënohet me protesta. Do të bëjnë protesta, por rritje të pagave nga ky buxhet tani nuk mund të ketë për arsye se nuk ka hapësirë, nuk ka para.

Telegrafi: Të flasim pak për privatizimin

Mustafa: Ne tash do ta kompletojmë bordin e Agjencisë kosovare të privatizimit, do të procedojmë në bazë ligjit që ta përfundojmë sa më shpejt, së paku për dy vite ta përmbyllim punën e agjencisë, se kështu si po shkon, privatizimi nuk ka fund.

Telegrafi: Po privatizimi i Postës?

Mustafa: Te posta, te privatizimi i kompanive publike, duhet të vlerësohet privatizimi i postës, dhe mund të privatizohet, mirëpo jemi për atë që njëherë të investohet në postë, t’i shtohet vlera e postës e pastaj privatizimi. Mirëpo, para se gjithash njëherë duhet të bëhet vlerësimi se a ekziston përfitimi i qytetarëve për privatizimin e postës. Nëse tregohet se është në dobi të qytetarëve do ta bëjmë.

GJYKATA SPECIALE, SFIDË QË DO TA KALOJMË

Telegrafi: Pjesë e punës do të jetë edhe Gjykata Speciale, kur do të themelohet?

Mustafa: Tash është një vendim i Kuvendit që është pranuar praktikisht formimi i kësaj gjykate. Tani mbeten vetëm dokumentet konkrete, ligji, statuti dhe çështje tjera që duhet të shkojnë në Kuvendin e Kosovës. Unë nuk e kam të qartë akoma, sepse ende nuk kam informata të mjaftueshme se kur vjen në rend dite ligji për Gjykatën speciale. Ligji e di që është duke u përgatitur, kur të jetë gati ne do të shkojmë në Kuvend. Është një sfidë, por sfidë që ne do ta kalojmë se është mirë njëherë e përgjithmonë t’i zgjidhim dyshimet që ne si Kosovë po ballafaqohemi.

Telegrafi: Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do ta votojnë? Do ta keni vështirë të kalojë në kuvend?

Mustafa: Unë mendoj se mund të kalojë Kuvend, nuk shoh arsye që edhe partitë opozitare mos ta votojnë se pse kjo gjykatë nuk lidhet me pozitë ose opozitë. Këto parti, që disa prej tyre thoshin se nuk do ta votojmë, sa ishim në një organizim tjetër në bllok ata thoshin se do ta votojmë bile e përmendshin para se me përmend ndërkombëtarët se edhe ata do ta përkrahin, përpos Vetëvendosjes, që ka mbajt qëndrime konsistente sa i përket kësaj.

Hidromorava

LIGJI PËR USHTRINË E KOSOVËS DUHET TË RISHIKOHET

Telegrafi: Kur pritet themelimi i ushtrisë, kur dihet se duhet vota e Listës serbe? Keni biseduar për këtë?

Mustafa: Raportet janë të mira dhe do të mundohemi të mbajmë raporte të mira, do të thotë me çdo kusht ne mos të insistojmë t’i bëjmë ata kundërshtarë. Më mirë t’i ofrojmë, të bashkëpunojmë me ta. Unë nuk kam hasur akoma në një qëndrim eksplicit të tyre, ose shprehimor, që ata janë kundër formimit të ushtrisë. Disa thonë që kanë probleme akoma, i kanë të paqarta këto, nuk është punë e cila duhet të ngutet shumë, por ne do të bëjmë përpjekje që atyre t’ua shpjegojmë se askush nuk humb nga kjo, të gjithë fitojnë sepse nuk është ajo ushtri vetëm e shqiptarëve, është ushtri e Kosovës dhe nuk është ushtri e cila nesër do të luftoj kundër Serbisë ose me Serbinë por është ushtri me të cilën ne dëshirojmë të ndërtojmë një partneritet edhe regjional edhe partneritet ndërkombëtar sepse dëshirojmë që të bëhemi jemi pjesë e NATO-s.

Telegrafi: Kur pritet të shkojë në kuvend çështja e themelimit të ushtrisë?

Mustafa: Unë mendoj se kësaj pranvere duhet të jetë, ndoshta duhet të rishikohet edhe njëherë ligji sepse është përgatitë mjaft shpejt. Duhet të shihet edhe njëherë ligji në Ministrinë e FSK-së, do të mundohemi që të gjitha këto t’i bashkërendisim me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë punuar gjatë në këtë fushë dhe së bashku me ta pastaj ta shtyjmë këtë proces përpara.

Telegrafi: Po si do të procedohet çështja e Asociacionit të komunave. Serbët insistojnë në kompetenca ekzekutive, ndërkohë që pala shqiptare thotë që është vetëm asociacion. Do të ketë kompetenca ekzekutive ky asociacion?

Mustafa: Ne nuk do të pajtohemi që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive por të jetë një trup i cili do të bashkërendiste aktivitete të ndryshme ndërmjet komunave që janë me shumicë serbe.

Telegrafi: Zt. Kryeministër, me gjithë këto që u thanë, qytetarët e vendit tashmë 15 vite pas luftës janë lodhur me gjendjen aktuale. A mendoni se ka optimizëm për vitin 2015.

Mustafa: Ne në të vërtetë kemi qenë një popull që gjithmonë ka reflektuar dhe rrezatuar optimizëm. Tash, jemi të vetëdijshëm se kemi probleme, kemi vështirësi, jemi vend i varfër, kemi filluar me tranzicion nja 10 vite pas që kanë filluar vendet e tjera tranzicionin, e kemi kaluar një luftë para 15 viteve e cila ka lënë pasoja, kemi pasur po ashtu një situatë të mos-investimeve edhe për 10 vitet para luftës sepse nuk është investuar asgjë në Kosovë edhe unë mendoj se asnjëri prej nesh tash nuk ka të drejtë të thotë, eh tash jemi në një situatë të keqe, po ikin, po tregojmë një depresion këtu. Ka probleme edhe me qeverisjen, kemi pasur shumë vërejtje, mirëpo duhet të bëjmë përpjekje që ta ndërrojmë qëndrimin tonë, t’i marrim përgjegjësitë për këtë vend edhe të gjithë ne ta japim kontributin për këtë shtet të cilin ne e kemi themeluar. Nuk kemi bërë shtet që ta kritikojmë e shajmë çdo ditë e të ikim nga ai, por që të mundohemi edhe ta ndërtojmë, sepse është një vend me rreth 2 milion banorë, nuk është vend i madh, me një territor po ashtu jo shumë të madh dhe mendoj se nëse të gjithë ne i ngjitemi më seriozisht një ideje edhe një qëllimi që ne ta bëjmë të mirë këtë vend, ne mund ta bëjmë, sepse s’është diçka që s’mund të bëhet.

Telegrafi: Megjithatë, ndoshta ka kaluar koha tashmë që të arsyetohemi që ka pasur luftë dhe trancizion. Është koha që të tregohet efektivitet në qeverisje.

Mustafa: Unë jam duke folur për pasojat, jo që të arsyetoj tash sjelljet e njerëzve, por për pasojat, sepse është e pamundur që një vend, i cili ka kapërcyer të gjitha këto probleme, ta bësh të pasur dhe ta krahasosh me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Jemi akoma të izoluar, sepse akoma nuk lëvizim njëjtë siç lëvizin popujt e vendeve tjera, mirëpo assesi kjo nuk do të thotë që ne tash mund të keqpërdorim, mund të abuzojmë me pronën, mund të sillemi në mënyrë të papërgjegjshme ndaj qytetarëve, por është fjala për atë se ne kemi kapërcyer një kohë të vështirësive të mëdha, me të cilën ne tash është e pamundur që të krahasohemi dhe të themi se ne mundemi për 10 vjet apo 20 vjet të bëhemi si Gjermania sepse Gjermania e ka bruto produktin vendor rreth 40 mijë euro për kokë banori, ne kemi 3 mijë euro, do të thotë e kemi 13-14 herë më pak, Luksemburgu e ka rreth 50 mijë për kokë banori, ne e kemi 3 mijë, dhe do të thotë këto janë dallime të mëdha. Edhe pagat lidhen nga këto, sepse nuk mund të krahasohemi me paga në qoftë se dikush është 10 herë më i zhvilluar se ne dhe ne të themi se edhe ne duhet ta kemi pagën sikurse e keni ju. Mirëpo, ne tash duhet të luftojmë që të zhvillohemi që paga edhe standardi të jenë shprehje e zhvillimit e jo shprehje e abuzimeve, vjedhjeve, keqpërdorimeve, zënies së pronave të huaja ose pronave publike.

KOSOVA ME DY MILIONË BANORË, NUK E RREZIKON EVROPËN

Telegrafi: E përmendet çështjen e lëvizjes së qytetarëve, mund t’iu premtoni qytetarëve liberalizim të vizave në vitin 2015

Mustafa: Ne do të bëjmë çdo gjë që të arrijmë liberalizimin, dhe unë mendoj se as faktori ndërkombëtar nuk e ka asnjë arsye, edhe përkundër asaj që po i dëgjoj disa deklarata, që neve të na bëjnë një geto këtu sepse nuk përfiton askush, nuk përfiton edhe komuniteti ndërkombëtar që Kosovën ta lë të mbyllur, të izoluar, në vitin 2015. Ne do të bëjmë maksimumin që t’i përmbushim obligimet dhe kriteret që kërkohen nga ne, por nuk është edhe e arsyeshme që të teprohet me kritere sepse dy milion banorë nuk e rrezikojnë as Evropën, as botën.

Telegrafi: Zotëri kryeministër, për fund a mund të na thoni a i keni vënë vetes synim cilat çështje do t’i përmbushni deri në fund të mandatit?

Mustafa: Synimin themelor e kam tek zhvillimi ekonomik. Ai është një synim themelor, tjerat pastaj shkojnë krahas këtij synimi. Në qoftë se ne arrijmë të bëjmë kthesa pozitive në zhvillimin ekonomik, e jemi të bindur shumë që mund të arrijmë, atëherë ne i japim një drejtim më të mirë këtij vendi, edhe që njerëzit të fitojnë edhe të zhvillohen mbi bazën e punës dhe të kontributit të tyre, jo mbi baza tjera. /Telegrafi/