Kosova me borxhin publik më të ulet në rajon

Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrin e Financave, ka thënë se pavarësisht rritjes së borxhit publik të Kosovës, në 507 milionë euro, ai është më i ulëti në rajon. Borxhi publik i Kosovës ka shkuar në 507 milionë euro që përbën 9.91 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).
E zyrtarët e Ministrisë së Financave thonë se rritja e këtij borxhi nuk e rrezikon stabilitetin e shtetit. Gëzim Baxhaku këshilltar në Ministrin e Financave, ka thënë për Telegrafin se përkundër rritjes së borxhit publik të Kosovës, në 507 milionë euro, ai është më i ulëti në rajon. “Borxhi Publik i Republikës së Kosovës aktualisht paraqet 9.81 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, dhe krahasuar me shtetet e rajonit është më i ulëti. Sa për ilustrim, Shqipëria, Serbia, e Kroacia e kanë këtë shifër mbi 60për qind”, tha Baxhaku.
Hyrja në borxhe e Qeverisë së Kosovës, sipas tij,është bërë për të investuar në projekte të caktuara si përkrahje buxhetore, epo ashtu edhe në projektet e financuara nga Banka Botërore dhe kreditorët tjerë. “Borxhi publik shërben për përkrahje buxhetore siç kemi rastin e huamarrjes nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo emetimin e Letrave me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Marrë parasysh që kostoja vjetore e shërbimit të borxhit aktualisht nuk kalon 2 për qind të buxhetit vjetor, mund të thuhet me siguri të madhe se kjo nuk paraqet rrezik për stabilitetin financiar të Republikës së Kosovës”, tha Baxhaku.
Ndërkaq sipas shifrave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, në fund të marsit, shënoi vlerën 1.58 miliard euro. “Borxhi publik ka një pjesëmarrje në borxhin e jashtëm me rreth 24 %, gjendja e të cilit në fund të marsit ishte 379.6 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë së Kosovës, i cili në fund të marsit 2014 ishte 317.4 milionë euro. Kjo vlerë është për 4.4 milionë euro më e vogël krahasuar me dhjetor 2013 dhe kryesisht i atribuohet pagesës së kredisë në kuadër të Programit Stand-By me FMN-në (SBA) dhe kredisë ndaj Bankës Botërore”, thekson raporti i BQK-së për pjesën e parë të këtij viti.
Borxhi Publik i vendeve të rajonit
Kroacia – 67% të BPV-së e ka borxh publik
Shqipëria – 63% të BPV-së e ka borxh publik
Serbia – 62% të BPV-së e ka borxh publik
Mali i Zi – 57% të BPV-së e ka borxh publik
Maqedonia – 28% të BPV-së e ka borxh publik
Bosnja e Hercegovina – 28% të BPV-së e ka borxh publik
Kosova – Ka borxh publik 9.1 % të BPV-së e ka borxh publik