Fundamenti

Kosova Lindore në udhëkryq

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Bujanoc- Pakicat kombëtare, sot, në Ballkan nuk janë vetëm problem i Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, por një problem i ndjeshëm që kërkon zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare.

Kryetari i Shoqatës së të dëbuarve nga Kosova Lindore “Vatra” Sejdullah Kadriu, gjatë një takimi, në Prishtinë, me nënkryetarin e PDK-së Rrustem Mustafa, ndonëse e ka vlerësuar pozitiv, ai, ka sugjeruar se problemi i Kosovës Lindore, kërkohet të trajtohet ndaras nga veriu i Kosovës.

Po të njëjtën ditë ka reaguar njeriu numër dy i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi se “në dialogun e ardhshëm, padyshim se edhe çështja e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës do të zë vendin e merituar”.

Prishtina zyrtare është e interesuar për përmirësimin dhe normalizimin e gjendjes së shqiptarëve etnik në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si kusht për normalizimin e raporteve Kosovës-Serbi.

Krejt në rregull edhe Beogradi është i interesuar për përmirësimin e gjendjes së pakicës shqiptare në Serbi, ashtu siç është e interesuar t’i zgjidh problemet e hungarezëve, sanxhaklinjve, romëve etj.

Pakicat kombëtare, sot, në Ballkan nuk janë vetëm problem i Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, por një problem i ndjeshëm që kërkon zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare.

Por, problemi qëndron diku tjetër. Shqiptarët e Kosovës Lindore, nuk e llogarisin veten pakicë kombëtare në Serbi, ata politikisht e historikisht janë aneksuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdimisht kërkojnë bashkim me Kosovën.

Për t’i realizuar të drejtat e tyre individuale dhe kolektive, shqiptarët e Kosovës Lindore, më 1992 e bënë Referendumin, duke e shprehur vullnetin politik për bashkim me Kosovën, pastaj gjatë vitit 1999-2001, i kapën armët në dorë kundër regjimit të Millosheviqit, në vitin 2001 e arritën Marrëveshjen Paqësore të Konculit, më 2006, këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nxorën Platformën politike, për tu trajtuar si regjion specifik me veçori specifike.

Nuk e dimë se çka duhet të bëjnë edhe diçka tjetër shqiptarët e Kosovës Lindore, për t’i realizuar aspiratat e tyre shekullore për bashkim dhe integrim me Kosovën, pjesë integrale të së cilës kanë qenë gjithmonë gjatë historisë.

Hidromorava

E, sot, dalin parti politike dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, me deklarata e opsione të ndryshme se a duhet të përfshihet Kosova Lindore në bisedimet e ardhshme midis Prishtinës dhe Beogradit?!

Prishtina duhet të marrë mësim nga Beogradi, se si duhet të mbrohen të drejtat e bashkëkombësve.

Nuk mjafton vetëm të thuhet se po interesohemi për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Kosovën Lindore, sikur të ishim rom, egjiptian, cincar, pa Atdhe.

Për veprime të tilla duhet zëri i Qeverisë së Kosovës,në koordinim me kërkesat legjitime të shqiptarëve të krahut të saj lindor, ashtu siç bënë Qeveria e Serbisë për serbët e veriut të Kosovës.

Beogradi, që nga viti 1999, i financon serbët e Kosovës, duke llogaritur pagat mujore, honorarët dhe projektet e ndryshme si stimulim për t’i bojkotuar institucionet legale të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve.

Pavarësisht nga këto programe, Beogradi edhe sot kërkon dialog me Kosovën pa shkëputur veriun e saj, e Prishtinë i rrudh krahët, duke mos kërkuar të njëjtën për shqiptarët e saj në jug të Serbisë.

Këto hezitime të Prishtinës e dëmtojnë shumë procesin e zhvillimeve politike në rajonin e Kosovës Lindore, duke mbjell dëshpërim, zhgënjim e hidhërim te bashkëkombësit e saj, të cilët asnjëherë nuk u ndanë për ta bërë Kosovën Republikë.

Këto deklarata të zyrtarëve të Kosovës rreth përfshirjes apo mospërfshirjes së shqiptarëve të Kosovës Lindore në dialogun Prishtinë-Beograd, të paktën nuk duhet thënë pikërisht në prag të shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, i cili si duket edhe kësaj radhe do të lë me shpresa të thyera.(nga terrnocipress)