RCCOLA

Kosova Lindore JO me Serbinë !

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Shaban Abazi – Ne shqiptarët e Kosovës Lindore, mbështetjen më të madhe sot e kërkojmë nga Qeveria e Kosovës për padrejtësitë, të cilat tani po na bëhen nga Serbia. Tani kur Kosova Lindore përjeton momente të vështira, Qeveria e Kosovës po hesht. Lufta e atëhershme UÇPMB-së, e cila për mua dhe luftëtarët e tjerë ishte e shenjtë, edhe sot është e shenjtë, sikur dokumentohet me emrin e Lapidarit të ngritur në Preshevë, që tani mjerisht është i shkulur me themel nga Qeveria e Serbisë! Por, pse nuk ngrihet zëri ndërkombëtarisht nga Qeveria e Kosovës. Gjatë asaj lufte, kur pushka e UÇPMB-së e uli në tavolinën e bisedimeve Serbinë, nën përcjelljen e ndërkombëtarëve, dhe kishte përkrahje të madhe nga partitë e atëhershme kosovare, tani sikur u harruan premtimet e tyre dhe i injorojnë apo shumë pak i përkrahin kërkesat e shqiptarëve në Luginë.

Trevat ku flitet shqip s’kanë qenë kurrë serbe

Është për habi kjo gjendje, kur sot, me shtet të formuar, i pranuar nga shumë shtete aleate, me bisedime të ditura, e pa dije, dhe bisedime të koordinuara me ndërkombëtarët Serbi-Kosovë, Lugina nuk përmendet fare. Sikur dikush pajtohet se Kosova Lindore qenka e Serbisë! Kur lufta e UÇK-së e detyroi Serbinë ta pranojë që Kosova s’ka qenë e saj kurrë, po ashtu edhe tani duhet ta dijë se as Kosova Lindore dhe të gjitha trevat ku flitet shqip s’kanë qenë kurrë serbe, e as nuk do të jenë. Qeveria e Kosovës mu tani duhet njëherë e përgjithmonë të ulet dhe të bisedojë me Serbinë për të gjitha trojet shqiptare, e jo vetëm për Kosovën. E pranoi apo jo Serbia shtetin e Kosovës, ajo tani është fakt. Në pamundësi që ta ngremë zërin mbi padrejtësitë tona që tani e shumë vite po na bëhen, ne jemi ngushtë të lidhur me vëllezërit kosovarë dhe kërkesat tona janë të njohura për bashkim me Kosovën. Bisedat që sot koordinohen do të jenë të kota, pa zgjidhje, të pasuksesshme. Në të kundërtën, ato vetëm sa do të hapin probleme edhe më shumë në Ballkan. Ne shqiptarët e Luginës kemi thënë njëherë e përgjithmonë JO me Serbinë. Edhe sot themi JO.

Lapidari, dëshmi e rezistencës

Uji Dea

Nuk mund të pajtohem kurrë, kur drejtat tona të shkelen me të madhe. Bëhet spastrim gradual nga trojet tona. Maltretohen dhe shkelen të drejtat e popullit shqiptar. Bëhen pazare të llojeve të ndryshme me fatin tonë. Jemi të uzurpuar dhe jetojmë nën tytën e kallashëve të ushtrisë serbe. Jemi të detyruar që me dhune t’i lëshojmë shtëpitë për një jetë më të mirë e më të qetë. Kemi marrë rrugën e mërgimit vite me radhë. Nuk mund të kthehemi në vatrat tona nga kontrollimet që na bëhen. Kemi mbetur nën mëshirën e Zotit dhe të shteteve aleate, të cilat edhe sot na mbajnë si emigrantë nëpër tërë botën. Pjesa tjetër shqiptare e Luginës gjeti strehim në Kosovë, ku edhe sot jetojnë nëpër shtëpi të huaja dhe me qira, në kushte shume të vështira, e shumë nga ata nuk pajisen as me dokumente identifikimi. Ata u nënshtrohen taksave doganore dhe taksave për kalimin e kufirit, si dhe shumë peripecive dhe mundimeve tjera që vetë populli i përjeton. Partitë e djathta e të majta gjatë fushatave parazgjedhore në Kosovë na premtojnë të gjitha të mirat, që do na i plotësojnë. Partia Demokratike e Kosovës, në krye me Thaçin dhe dora e tij e djathtë, Kuçi, në dy mandate na premtuan përkrahje të fortë për Luginën. Njëra ndër to ishte se do të pranohen këshilltarë nga këto tri treva të Kosovës Lindore, për ta kuptuar më mirë fatin tonë, por kjo sot e asaj dite nuk ndodhi. E ç’është më e keqja, sot heshtin dhe shumë pak kanë interesim për fatin tonë. E krejt kjo rezulton me gjendjen e fundit, kur Serbia me mijëra policë e shkuli Lapidarin historik të UÇPMB-së dhe i zhduki të gjitha gjurmët e tyre e asaj që ishin dokument se na vrau, e po na vret çdo dite me lloj-lloj vrasjesh.

Nuk është turp t’i mbroni vëllezërit tuaj!

Qeveritarë të Kosovës, në këto ditë parazgjedhore premtoni shumë, kurse ne prapë mbetemi aty ku jemi. Nuk është turp t’i mbroni vëllezërit tuaj! Ta ngrini zërin fuqimisht në këto momente. T’i tregoni botës se nuk ka dialog me Serbinë, se nuk ka zgjidhje parciale. Duhet njëherë e gjithmonë të zgjidhet çështja e shqiptarëve në Ballkan. Të mos lëshohet asnjë pëllëmbë toke nën mëshirën e gjakpirësve të Serbisë. Mendoni mirë se ne do t’i prishim të gjitha marrëveshjet Kosovë-Serbi pa pëlqimin tonë. Populli prapë do të detyrohet ta marrë pushkën dhe ta heqë kufirin ndërmjet Kosovës Lindore dhe Kosovës. Këtë e kemi bërë me luftën e UÇPMB-së, do ta bëjmë edhe tani, nëse ju dështoni, apo i falni trojet tona sot në paqe. Tani është momenti i fundit të zgjidhet fati i bashkimit tonë. Fati i shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve, bashkë ishim në lufte, bashkë jemi në paqe, bashkë duhet të jemi edhe sot, ku bëhen bisedime, e jo pazar për fatin tonë.

* Autori ishte ish-komandant i UÇPMB-së, Zona Operative e Medvegjës, marr nga preshevajone.