UBT

Kosova, kusht i negociatave Serbi-BE

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE), ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkeviçius, ka thënë se çështja e Kosovës do të jetë njëra ndër kushtet thelbësore të kornizës së negociatave mes Serbisë dhe BE-së.

“Kosova zë vend qendror në kornizën e negociatave. Pra, kjo çështje është shumë e rëndësishme. Me të do të merret edhe Këshilli i Evropës”, ka thënë Linkeviçius, në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”.

Eco Higjiena

Në insistimin e gazetarit se a është e nevojshme që Kosova të jetë në qendër të kornizës së negociatave, ndërsa vendeve të tjera kandidate nuk u janë shtruar kushte shtesë, Linkeviçius është përgjigjur: “Theksova se Kosova do të zë vend shumë të rëndësishëm në kornizën e negociatave. Kjo është esenca e çështjes. Por, natyrisht, marrëdhëniet me Kosovën nuk janë i vetmi kusht për Serbinë në procesin e integrimeve, ndonëse ato paraqesin një pjesë të madhe të tyre. Dhe këtë nuk do të duhej ta shpërfillte apo nënçmonte askush”, është shprehur ai, transmeton QIK.

Shefi i diplomacisë lituaneze ka thënë se ende nuk dihet se a do të fillojnë më 20 dhjetor negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE. Ai ka shtuar se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është shumë i rëndësishëm për marrjen e vendimit për datën e fillimit të negociatave. /Telegrafi/