RCCOLA

Kosova imune ndaj krizës, s’ka nevojë për kursime

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Augustin Palokaj- Në BE kanë filluar të shqetësohen për shpenzimet e mëdha që i bën Qeveria e Kosovës për udhëtime zyrtare. Një diplomat më tha se „është fat që mediat perëndimore nuk shkruajnë sesa zyrtarë të Kosovës kanë shkuar në New York, me gjithë shpenzimet e larta, përndryshe do të shtrohej pyetja se a duhet të vazhdohet t’i jepet Kosovës ndihmë financiare nga taksapaguesit evropianë“

Se politikanët e Kosovës janë më të pasur sesa shumë kolegë të tyre në Evropën Perëndimore kjo tashmë nuk është diçka e re. Por që Kosova të mos ndiejë kurrfarë nevoje për të mos shpenzuar para të buxhetit pa nevojë të madhe në këtë kohë krizash kjo është diçka që është bërë vërtet shqetësuese. Këtë javë një numër enorm i zyrtarëve të Kosovës, kryesisht të Qeverisë, ndodhen për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i tyre është jashtëzakonisht i madh. Ky numër i tejkalon kjo vetëm mundësitë reale të Kosovës për të mbuluar shpenzimet e tyre me paratë e taksapaguesve, por edhe nevojat e një shteti i cili fare nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe zyrtarët e të cilit mund të hyjnë në ndërtesë vetëm nëse si „parashutistë“ i merr ndonjë delegacion i ndonjë shteti anëtar.

Mediat në Kosovë kanë shkruar numrin prej hiç më pak se mbi 30 anëtarë të delegacionit të Kosovës që ndodhen këtë javë në „Mollën e madhe“ (kështu e quajnë New Yorkun). Sa për krahasim: një shtet i BE-së, i cili është 5 herë më i madh se Kosova, i cili ka bruto prodhimin për kokë banori 15 herë më të madh se Kosova, ka dërguar në New York një „delegacion të madh prej gjithsej 6 (GJASHTË) personaliteteve“. Vështirë të gjendet ndonjë shtet i BE-së, i cili ka delegacion më të madh sesa 10 persona. E këta përfaqësues të këtyre vendeve të BE-së do të marrin pjesë në punën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Është kohë krize në tërë Evropën. Kursehet në çdo mënyrë. Politikanët në Evropë në mënyrë simbolike mundohen t’u lënë përshtypjen qytetarëve se edhe ata do të kenë parasysh krizën dhe do të kursejnë. Disa e bëjnë këtë duke udhëtuar me delegacion më të vogla, disa duke mos udhëtuar me avion qeveritar, por me linja të rregullta, disa duke udhëtuar me bileta normale e jo të klasës së biznesit, disa duke ia ulur vetes rrogën. Është e natyrshme që kur kërkohet nga qytetarët të shtrëngojnë rripin duhet këtë ta bëjnë edhe vetë udhëheqësit politikë. Në kohën e krizës edhe kompanitë e shumta kanë filluar të kursejnë në shpenzime të rrugës dhe në mëditje.

Por duket se Kosova nuk ndien kurrfarë krize. Ka dërguar gjysmën e Qeverisë atje. Çfarë do të bëjnë ata nuk e di. Gjithsesi qytetarëve do t’u dërgojnë porosi përmes deklaratave për media, të cilat ato me besnikëri do t’i përcjellin, se kanë pasur „takime të rëndësishme në nivel të lartë me zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme“ dhe se në to „kanë marrë premtime për mbështetje të vazhdueshme për Kosovën“. Numri i tyre është aq i madh, saqë nëse ndonjë shtet do ta njohë pavarësinë e Kosovës në javët që vijnë do të jemi në hall të kuptojmë se meritë e kujt është. Kush ka merita për cilën njohje tashmë është bërë sporti kryesor në Kosovë, ani pse të gjithë e dinë se pothuajse të gjitha njohjet e deritashme janë meritë e shteteve të huaja, si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca e deri diku edhe Turqia, sepse, sa për lobimin e zyrtarëve të Kosovës do të mund të kishte ndodhur që edhe disa nga ata që na kanë njohur t’i binin pishman. Aq banale është bërë çështja e „lobimit“ për njohjen e Kosovës, saqë kjo paraqitet sikur që njohjet sigurohen përmes njohjeve personale ose përmes korruptimit të liderëve të shteteve tjera. Fajin kryesor për këtë formalisht e ka ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërsa praktikisht kryeministri Hashim Thaçi. I pari ka ndihmuar përmes paraqitjeve të tij skizofrenike të krijojë më shumë huti rreth punës së diplomacisë sesa të vendosë ndonjë rregull, ndërsa i dyti (kryeministri Thaçi), duke e bërë aq lëmsh Qeverinë saqë nuk dihet më se kompetencë e kujt është në politikën e jashtme.

Mobi Casa

Se çfarë do të bëjnë vërtet në New York liderët e Kosovës nuk mund ta dimë saktësisht. Për kryeministrin Thaçi e dimë se do të takohet me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Ashton, për punën e dialogut me Beogradin, ndërsa për të tjerat, bazuar në raportet e deritashme duket se po e kalojnë kohën duke e takuar njëri-tjetrin dhe duke u takuar me shqiptarë të Amerikës.

Numri i madh i zyrtarëve të Kosovës që ndodhet këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pos që dëshmon se autoritetet nuk kanë as edhe ndjenjën më të vogël për vuajtjet e qytetarëve të papunë, dëshmon edhe mospërfilljen e atyre që vazhdojnë të japin ndihma financiare për Kosovën e që për vete kursejnë paratë e taksapaguesve të tyre.

Në BE kanë filluar të shqetësohen për shpenzimet e mëdha që i bën Qeveria e Kosovës për udhëtime zyrtare. Një diplomat më tha se „është fat se mediat perëndimore nuk shkruajnë sesa zyrtarë të Kosovës kanë shkuar në New York, me gjithë shpenzimet e larta, përndryshe do të shtrohej pyetja se a duhet të vazhdohet t’i jepet Kosovës ndihmë financiare nga taksapaguesit evropianë“.

Ata zyrtarë të Kosovës që do ta kalojnë këtë javë në New York, atje do ta ndiejnë veten më mirë sesa sikur të kishin mbetur në Kosovë. Nuk do të dëgjojnë ankesa të qytetarëve, as zërin e protestave kundër politikave të tyre. Do të kthehen me „mbështetje ndërkombëtare“ për t’u shitur mend atyre në Kosovë që i njohin sesa të rëndësishëm janë dhe sa mirë janë pritur në Amerikë. Nevoja që të shkojnë në një numër aq të madh në një ngjarje ku nuk janë ftuar fare, dëshmon edhe çfarë kompleksesh inferioriteti kanë disa prej tyre. Gjithnjë e më shumë fitohet përshtypja se vizitat më shumë bëhen për të shitur mend kur të kthehen në Kosovë sesa që të arrijnë ndonjë gjë të madhe gjatë atyre vizitave. Kemi parë viteve të fundit dhjetëra vizita të tilla edhe në Bruksel. Kam përcjellë shumë vizita të tilla dhe sa të rëndësishme kishin qenë e kam kuptuar vetëm kur i kam parë deklaratat për shtyp të lëshuara pas kthimit në Kosovë. Jo rrallë ka pasur në deklarata të tilla edhe pohime për takime që nuk kanë ndodhur fare. Për më keq nga ato takime, të cilat nuk kanë ndodhur fare, në „deklarata për shtyp“ është thënë edhe për temat që janë diskutuar dhe mbështetjen që bashkëbiseduesi kinse u ka dhënë. Për shkak të mirësjelljes dhe keqardhjes ata „bashkëbisedues“ që fare nuk i kishin takuar zyrtarët kosovarë nuk kanë dashur qëllimisht të dalin me deklarata të demantojnë pos që kanë qeshur më zë kur kanë marrë vesh se janë lëshuar deklarata për ato takime të paqena.

Shtetet e vogla dhe të varfra gjithmonë kanë ndjenjën se duhet të dëshmohen me gjëra të mëdha. Kështu kur udhëtojnë jashtë vendit liderët e tyre marrin me vete delegacione të mëdha. Për të qenë të sinqertë këtu nuk duhet futur kryeministrin Thaçi, i cili pos një truprojë, një këshilltari rrallë merr në vizita edhe dikë tjetër. Në Bruksel kur shihni ndonjë kolonë të madhe veturash të ndonjë delegacioni mund të jeni të sigurt se ai nuk është nga ndonjë shtet evropian perëndimor, por nga Ukraina, Azerbajxhani apo Moldavia. Delegacioni i kryetarit të Ukrainës kishte ardhur në takim në selinë e Komisionit Evropian me hiç më pak se 20 vetura dhe një autobus me gazetarë, ai i kancelarit austriak të njëjtën ditë me vetëm një veturë. Fjala është për kryetar shtetesh dhe qeverisë, sepse ministrat jo rrallë mund t’i shihni edhe duke ecur këmbë e nganjëherë edhe me biçikleta. Por çfarë t’i bësh: ata janë të varfër, ndërsa Kosova është e pasur!