UBT

Kosova ime, e kaluara dhe e ardhmja

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Nga Daniel Serwer- Miqtë e mi në Prishtinë më kërkuan një refleksion personal rreth së kaluarës dhe së ardhmes së Kosovës, me rastin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Përgatita këtë shkrim.

Kosovën e kam parë për herë të parë në vitin 1998. Ajo ishte në luftë. Më pak se 15 vjet më vonë, jo vetëm që është në paqe, por edhe shtet i pavarur, në gjendje që të përmbushë kërkesat komplekse dhe të vështira të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Paqes, të cilën Beogradi e refuzoi, por Prishtina e pranoi. Si mbërriti Kosova këtu dhe ku do të shkojë në të ardhmen?

Kujtimet e mia të asaj vizite të parë në Kosovë tani janë të mjegullta. Por do të ishte vështirë ta harroje vizitën në Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ku delegacionit tonë të Institutit për Paqe iu treguan dokumentet për shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne po ashtu vizituam administratën serbe të provincës, që mohoi abuzimet dhe refuzoi ftesën tonë për ta vizituar Këshillin, që ndodhej më pak se 200 metra larg. Ne shkuam në Malishevë, ku kishte pasur sulme si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët. Hasëm në kontingjentin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si edhe në Misionin Diplomatik Vëzhgues në Kosovë.

Pas luftës unë do të përqendrohesha në përmirësimin e raporteve: së pari midis shqiptarëve në Lansdowne më 1999, e më pas midis Kosovës dhe serbëve të Beogradit, në një takim në Sofje më 2000, për t’u përqendruar më pas në raportet midis serbëve dhe shqiptarëve në Gjilan dhe komuna të tjera, ashtu si edhe në tërë Kosovën. Gjatë tërë kohës e kam pasur mbështetjen si të serbëve – disa prej të cilëve ishin bashkëpunëtorë të lartë në USIP – ashtu edhe të shqiptarëve. Vëllezërit Bajraktari punuan për mua në vitet 2000, morën titullin e masterit në Princeton dhe Harvard, derisa tani punojnë për zyrtarë të Qeverisë amerikane në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Mbrojtjes.

Më vonë do të kthehesha në të njëjtën ndërtesë, në të cilën kisha takuar administratorët serbë, për t’u takuar me Jock Coveyn, Gary Matthewsin, Bernard Kouchnerin dhe Hans Haekkerupin, administratorë të OKB-së. Michael Steiner, me të cilin kisha punuar në Dayton, ishte zhvendosur në një ndërtesë tjetër, që tani po rinovohet për Ministrinë e Jashtme të Kosovës. Nuk më kujtohet ta kem pasur kënaqësinë ta takoja Soren Jessen-Petersenin në Prishtinë, por ai vinte për bisedime herë pas herë në Washington, ashtu si dhe Kai Eide, Nebojsha Çoviq, Dushan Batakoviq, Ati Sava, Peshkopi Artemije, Ramush Haradinaj, Veton Surroi, Rada Trajkoviq, Hashim Thaçi, Alush Gashi dhe shumë të tjerë. Gjatë vizitave në Prishtinë unë takohesha me Ibrahim Rugovën, që më shërbente Coca-Cola dhe më mbushte xhepat me gurë – ato janë ende këtu në zyrën time.

Gradualisht u bë shumë më e rëndësishme që të flisje me kosovarët (ma merr mendja se ky është termi i pranuar joetnik për ata që e konsiderojnë Kosovën shtëpi të tyre), sesa me ndërkombëtarët. Sot, ambasadorja amerikane ende ka peshë të madhe në Kosovë, por ajo do të jetë e fundit nga ndërkombëtarët që ka një raport të tillë me vendasit. Piter Feith, që kishte fuqi alla-Bonn në fushën e ligjvënies dhe largimit të zyrtarëve, kurrë nuk i përdori ato me mençuri. Përfundimi i misionit të tij të Zyrës Ndërkombëtare Civile është shenjë e progresit të njëmendtë, madje edhe nëse disa e shohin gotën si gjysmë të zbrazët. Misioni i OKB-së në Kosovë ka vetëm një rol të vogël. EULEX-i, Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë për Sundimin e Ligjit, ende siguron prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë, por stafi i tepërt i tij tani po reduktohet. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) do të jetë mbase një prej shtyllave të fundit të ndërkombëtarëve, pasi përpjekjet e saj për demokratizim janë të domosdoshme për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të drejta, lirinë e medias dhe një shoqëri të hapur.

Kosova po shënon progres të njëmendtë, por ai nuk mjafton për të më kënaqur. Në këtë aspekt kam dy shqetësime: një në rrafshin ndërkombëtar dhe tjetrin në atë të brendshëm.

Rreth nëntëdhjetë njohjet ndërkombëtare, për të cilat Kosova mburret me të drejtë, nuk kanë qenë të lehta për t’u siguruar, por ky shtet ka nevojë për më shumë. Fushata e Beogradit kundër njohjeve dhe anëtarësimit në OKB është e padenjë për një fuqi të mirë, por ajo ka pasur më shumë sukses, sesa shumica prej nesh do të kishte pritur dhe ka gjasa të vazhdojë. Në vend që të hyjë me lehtësi në Asamblenë e Përgjithshme pa shumë njohje bilaterale, ashtu si bëjnë shumë shtete të reja, Kosovës do t’i duhej të mblidhte rreth 130 njohje, të domosdoshme për një shumicë prej dy të tretash. Madje edhe atëherë problemi i vetos ruse do ta bëjë miratimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çështje të diplomacisë së nivelit të lartë.

Problemet e brendshme janë po ashtu të rëndësishme. Nuk mund të ketë dyshim rreth legjitimitetit të institucioneve të Kosovës për shumicën dërrmuese të popullatës. Askush madje nuk propozoi referendum për pavarësinë, për shkak se rezultati i tij ishte evident. Por legjitimiteti duhet të ruhet, e jo vetëm të fitohet një herë. Ekzistojnë dy çështje, një e vjetër dhe në rënie, tjetra e re dhe në rritje. E para ka të bëjë me serbët. E dyta me shqiptarët. Këto çështje janë të ndërlidhura. Që të dyja po ashtu prekin çështjen e legjitimitetit ndërkombëtar.

Pak serbë e mirëpritën pavarësinë e Kosovës, por shumica e tyre që jetojnë në pjesën jugore të lumit Ibër e kanë pranuar. Ata gëzojnë të drejtat e tyre për vetëqeverisje në bazë të Planit Ahtisaari dhe marrin pjesë në institucionet e Kosovës, por numri i tyre është shumë i vogël. Beogradi kurrë nuk heziton që ta përmendë numrin e vogël të të kthyerve dhe numrin e lartë, shpesh të ekzagjeruar, të refugjatëve që ende ndodhen në tokën serbe, por natyrisht që nuk inkurajon kthimet, për shkak se një gjë e tillë do të legjitimonte institucionet e Kosovës.

Mobi Casa

Është detyrë e kosovarëve besnikë që të mundohen ta përmirësojnë këtë gjendje, duke e bërë të qartë se serbët janë të mirëseardhur. Kjo nënkupton trajtimin e tyre në mënyrë adekuate, mbrojtjen e tyre nga abuzimet dhe respektimin e të drejtave të tyre. E kuptoj se kjo është e vështirë për disa njerëz, për shkak të trajtimit të keq të shqiptarëve nën administrimin serb. Por, kjo është gjëja e duhur për t’u bërë dhe gjëja më e mirë, për hir të Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare. Askush në Madrid nuk do ta shqyrtojë njohjen e Kosovës, po qe se flitet për keqtrajtimin e serbëve atje.

Ekziston edhe një problem tjetër midis shqiptarëve. Shteti i Kosovës është i pavarur, por ka pranuar sovranitetin e kufizuar. Unë e shoh gotën gjysmë të mbushur. Shumica e njerëzve në Kosovë i pranojnë disa prej kufizimeve – nuk njoh askënd që e do largimin e NATO-s. Është shumë e përshtatshme të kesh prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë në sistemin gjyqësor të Kosovës, në mënyrë që rastet ndëretnike të mund të trajtohen dhe Gjykata Kushtetuese të marrë vendimet e vështira. Por, kufizimet e tjera konsiderohen të padrejta nga shumica e kosovarëve. Disa madje do t’i ktheheshin edhe dhunës për ta ndryshuar gjendjen, për shembull në Veri. Të tjerëve do të mund t’u pëlqente që Kosova, në kundërshtim me Kushtetutën e saj, të heqë dorë nga pavarësia dhe t’i bashkohet Shqipërisë.

Krahas kufizimeve ndërkombëtare, ekziston një ndjesi e fuqishme te një pjesë e popullatës shqiptare se shteti i Kosovës nuk ka krijuar mundësi të mjaftueshme ekonomike dhe se është i korruptuar. Si një i huaj që nuk ka investime në Kosovë, e kam të vështirë ta di se sa e rëndë është gjendja, por kur një avokat i njohur më thotë se asnjë i burgosur nuk mund të sigurojë dënim të lehtë pa paguar ryshfet, unë shqetësohem. Shqetësohem edhe për thashethemet rreth trafikimit të njerëzve dhe drogës, për raportet rreth nepotizmit dhe parregullsitë e dukshme në blerjet e Qeverisë.

Të bëhem më i qartë. A e di se gjërat janë më keq në Kosovë, sesa në Serbi, Maqedoni apo Shqipëri? Nuk e di. Vite më parë, kur iu ankova një zv.kryeministri serb rreth korrupsionit në Kosovë, ai u përgjigj: mos e mashtro veten, të gjithë bosët e krimit të organizuar janë ende në Beograd. Por Kosova është një shtet i ri që ka nevojë të madhe për njohje ndërkombëtare. Për ta marrë atë që do, Kosova duhet ta dëshmojë se është në gjendje ta rregullojë shtëpinë e vet.

Unë flas troç. Është mënyra ime. Por unë kam po ashtu ëndrra të mëdha.

Ëndrra ime është që Kosova, pasi që ka dalë nga mbikëqyrja ndërkombëtare, vazhdon të bëjë gjërat e duhura: ajo trajton serbët në mënyrë korrekte dhe kthen një numër më të madh në shtëpi, ajo mbron kishat dhe manastiret, bën përpjekje serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjen një mënyrë për të bashkëpunuar me Beogradin në zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe vendos sundimin e ligjit në tërë territorin.

Investimet e huaja rrjedhin në fabrika, bujqësia lulëzon. Forcat kosovare të sigurisë, që nuk kanë ndonjë punë në shtëpi, fillojnë të angazhohen në operacione të NATO-s. Kosova i bashkohet Partneritetit për Paqe, bëhet kandidat për anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe merr datën për të filluar negociatat me Bashkimin Europian.

Koha po fluturon. Është 2020-ta. Kosova tani është anëtare e NATO-s, e cila e ka tërhequr KFOR-in. Prishtina ka përshpejtuar përgatitjet për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe e ka zënë hapin me Beogradin. Dy presidentët vendosin që të përmbushin kërkesat e BE-së për raporte të mira fqinjësore, duke pranuar njëra-tjetrën dhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike. Ambasadori amerikan, i respektuar por jo mbret, është i befasuar, por i kënaqur. Disa politikanë të vjetër kosovarë insistojnë rreth një referendumi për anëtarësim në BE dhe njohjes nga Serbia, që miratohet me shumicë dërrmuese. Anëtarësimi është caktuar për 2022-in. Do të doja të isha në Prishtinë për atë gjë!

Autori është studiues në Institutin për Lindjen e Mesme dhe profesor në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit John Hopkins.