Kosova ia sheh sherrin Thaçit, Asociacioni minon pavarësinë

Analistët politikë dhe qytetarët janë duke e përcjellë me shumë shqetësim procesin e finalizimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që tani është bërë tema më e nxehtë e punës në Qeverinë e Kosovës.
“Statuti krijon kështu një subjekt të ri dhe të një etnie, asaj serbe, jashtë Republikës së Kosovës dhe të lidhur me Serbinë, si formë e ngushtë shtetërore. Nuk ka asnjë dilemë se kështu i vjen fundi territorit unik dhe të pandarë të Republikës së Kosovës të sanksionuar me nenin 1 të Kushtetutës. Asociacioni serb në Kosovë është akt i parafundit drejt ndarjes së territorit dhe të shkatërrimit të Republikës”, thotë prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”
Analistët politikë dhe qytetarët janë duke e përcjellë me shumë shqetësim procesin e finalizimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që tani është bërë tema më e nxehtë e punës në Qeverinë e Kosovës.
Duke mos pasur aspak transparencë në këtë proces, ekziston frika se ky Asociacion do ta rrënojë sistemin juridik unik të Kosovës sepse e tillë është në përmbajte edhe marrëveshja që po parasheh presidenti Thaçi me Aleksandër Vuçiqin. Gjykata Kushtetuese, në interpretimin që e ka bërë më herët, ka konstatuar se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me frymën kushtetuese, ndërsa janë disa nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që preken nga përmbajtja e marrëveshjes, por hartimi i një statuti për Asociacionin ka mbërritur fazën finale dhe askush nga Qeveria kosovare nuk ka informacione për përmbajtjen e tij, sepse asnjë shqiptar nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm. Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se e sheh me shumë shqetësim një veprim kaq jotransparent dhe të papërgjegjshëm të institucioneve të shtetit karshi kësaj marrëveshje. “Dihet fare mirë që sipas Marrëveshjes së vitit 2013, është punuar Grupi Punues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky grup punues është caktuar që në vitin 2015 nga ish- Qeveria ‘Mustafa’, në bashkëpunim me z. Hashim Thaçi në Bruksel, fill pas Marrëveshjes. Tani nga aspekti ligjor e kushtetues, nëse merret çështja në aspektin juridik, Statuti është akt më i ulët juridik se Kushtetuta, se marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligji, por është akt që rregullon çështjet juridike, ekonomike, administrative dhe politike e territoriale të një vendi. E kam thënë edhe në raste të tjerë të mëhershme se ky Statut duhet të jetë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe akteve të tjera ligjore, por çështjen e bën problematike pikërisht Marrëveshja e vitit 2013, e nënshkruar nga z. Thaçi dhe ajo e vitit 2015 e nënshkruar nga z. Mustafa, të cilat janë në kundërshtim me normat kushtetuese, por që për BEnë kanë fuqi juridike mbi normat juridike të Republikës dhe mbi ato norma tani është hartuar Statuti nga Grupi Punues”, u shpreh Kelmendi.
Krijimi i një entiteti të ri Sipas analistit Muhamet Kelmendi, Asociacioni do të ketë edhe Kuvendin, kryetarin dhe bordin udhëheqës. “Çështja bëhet shumë më e rëndë nëse dihen normat juridike të marrëveshjeve, të cilat caktojnë shumë elemente të një statusi të veçantë të një subjekti të ri shtetëror në ndërtim. Nuk ka dilemë se me Statut krijohet tabani i një statusi politiko-juridik, sikundër edhe administrativo- shoqëror dhe territorial serb. Ai do të përkufizojë Asociacionin si subjekt politiko-territorial me kompetenca shumë të gjera, e të cilat veç po zbatohen në komunat ‘serbe’. Dihet mirëfilli se edhe deri më tani në Veri, ku do të ketë Asociacion, ka aktualisht administratë të pavarur, ekonomi dhe arsim e çështje të tjera shtetërore. Me këtë Asociacion dhe këtë Statut, këtu do të kemi edhe polici në komandë të Asociacionit, por dhe gjykata e prokurori serbe. Pra, Asociacioni do të ketë edhe Kuvendin, kryetarin dhe bordin udhëheqës, si organe të karakterit politik dhe udhëheqës, me pushtet vendimmarrës”, shpjegoi më tutje ai. “Ky Asociacion do të ketë një status të veçantë, me të drejta të gjera autonome, kurse në Kuvend të Asociacionit serb do të përfaqësohen të gjitha komunat serbe të organizuara edhe në brendi të territorit të Kosovës. Në aspektin organizativ ky Asociacion do të ketë një status të veçantë me të drejta të gjera autonome, madje shumë më të mëdha, deri edhe ndoshta me elemente të federalizmit apo të konfederalizmit si formë e pushtetit shtetëror. Edhe Gjykata e Apelit do të marrë kompetenca të veta të veçanta jashtë strukturës gjyqësore në Kosovë”, theksoi Kelmendi. “Statuti krijon kështu një subjekt të ri dhe të një etnie, asaj serbe, jashtë Republikës së Kosovës dhe të lidhur me Serbinë, si formë e ngushtë shtetërore. Nuk ka asnjë dilemë se kështu i vjen fundi territorit unik dhe të pandarë të Republikës së Kosovës të sanksionuar me nenin 1 të Kushtetutës. Asociacioni serb në Kosovë është akt i parafundit drejt ndarjes së territorit dhe të shkatërrimit të Republikës”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Hapja e pakos, me pasoja të paparashikueshme Analisti Bislim Aliu vlerëson po ashtu se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e nënshkruar në Bruksel, mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është pa dyshim ndër marrëveshjet më të dhimbshme dhe më të kontestuara, e me pasoja afatgjata për vendin tonë. Ai thotë se tani është moment kyç kur duhet pasur kujdes që të mos bëhet kompromis me asnjë nga konstatimet e Gjykatës Kushtetuese që bien ndesh me aktin më të lartë juridik të shtetit të Kosovës, por të respektohen të itha ato vërejtje në implementimin e statutit. “Gjykata Kushtetuese, me interpretimin që ka bërë, ka konstatuar shkeljet e rënda kushtetuese dhe se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me frymën kushtetuese duke e prekur atë në 23 nene!!! Ndërkaq, hartimi i Statutit të Asociacionit ka mbërritur fazën finale, por askush nga Qeveria kosovare nuk ka fare informacion për përmbajtjen e tij! Dhe, shih anomalin makabre, asnjë shqiptar nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, për fatin e këtij Asociacioni, por edhe më keq, asnjë nga krerët e institucioneve tona nuk kanë as informatën më të vogël për Statutin që do të prezantohet në Bruksel! Ja pra çfarë liderësh dhe në çfarë situate e kanë sjellë shtetin e Kosovës me këtë Asociacion?!”, vlerësoi Aliu për “Kosova Sot”.
QARRI: ME AVENTURAT E THAÇIT NGA DIALOGU KA PËRFITUAR POTHUAJSE VETËM SERBIA!
Analisti politik Gani Qarri pohon se Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, në Bruksel, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas dakordimit dhe mënyrës që parashohin presidenti Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq rrënon jo vetëm sistemin juridik, por edhe atë politik të vendit, duke krijuar shtet brenda shtetit, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe ndarjen e vendit. “Kosova, në krye me Thaçin, jo vetëm që nuk ka arritur asnjëherë të vetme të vendosë kushte në bisedime, por as të pengojë cilëndo marrëveshje në dëm të vendit, duke vepruar në vazhdimësi pa plan dhe duke ndjekur gjithmonë vetëm agjendën e Serbisë. Madje, në emër të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me aventurat e Thaçit nga dialogu ka përfituar pothuajse vetëm Serbia, e cila përkundër asaj që sipas Kushtetutës së vendit, paragrafi 2: ‘Republika e Kosovës është e përcaktuar si shtet i qytetarëve të barabartë të saj’, në marrëveshjet e arritura ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, i bëhet privilegj vetëm ‘Zajednicës’, e cila krijohet me kompetenca ekzekutive vetëm për serbët, duke diskriminuar dhe anashkaluar të gjitha komunitetet tjera, rrezikuar edhe bosnjëzimin e vendit dhe tërësinë territoriale të Kosovës”, ka thënë ai. “Nuk ishte rastësi, që Gjykata Kushtetuese e vendit, në interpretimin e bërë më herët, e hodhi poshtë si të papranueshme marrëveshjen në fjalë, dhe konstatoi se marrëveshja e arritur ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit për ‘Zajednicën’, jo vetëm që nuk është në përputhje me frymën kushtetuese të vendit, por të paktën në 23 nene të saj, bie drejtpërsëdrejti ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dhe, siç shihet e kuptohet tanimë katërçipërisht, Hashim Thaçi me papjekurinë e vet politike dhe aventurat e tij personale, qysh në vitin 2013,ka shkuar deri aty, saqë jo vetëm të nënshkruajë marrëveshje ilegale dhe antikushtetuese për krijimin e ‘Zajednicës’ me kompetenca ekzekutive, por as në fazën finale të hartimit të statutit të Asociacionit të “Zajednicës” askush nga shqiptarët dhe Qeveria e Kosovës të mos guxojnë të marrin pjesë”, vijoi më tej Qarri. “Për aq më keq, përveç fatkeqësisë që me nënshkrimin e Thaçit, shqiptarët përjashtohen nga çdo pjesëmarrje në hartimin e dokumentit më të rëndësishëm të Asociacionit dhe asnjë nga krerët e institucioneve tona nuk kanë as informatën më të vogël për statutin final të ‘Zajednicës’,që do të prezantohet në Bruksel, tani kur Brukseli kërkon që Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013, nga Thaçi, tani të implementohet edhe në terren, i zënë ngushtë nga lëshimet e veta groteske, përpiqet që kompetencat ekzekutive, autonomin dhe ndarjen, të nënshkruara nga vet ai, ti kamuflojë si ‘korrigjim kufijsh'”, potencoi. “Për aq më keq, siç duket, pikërisht për fajet e Thaçit, krijimi i ‘Zajednicës’ është projektuar në atë mënyrë, që të bëhet edhe bosnjëzimi i vendit tonë dhe të lindë edhe një Republikë ‘srpska’ në shtetin e Kosovës”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.
BADALLAJ: HASHIM THAÇI NUK NJEH AS LIGJET DHE AS KUSHTETUTËN E VENDIT, POR VEPRON KOKË MË VETE
Me shumë shqetësim e sheh tani këtë proces final të fillimit të implementimit të marrëveshjes për Asociacionin edhe analisti Reshat Badallaj. “Bisedimet tinëzare që Hashim Thaçi i ka zhvilluar me kumbarën e tij, Aleksandër Vuçiqin, jo vetëm që janë të dëmshme, por ka bërë tradhti ndaj atdheut dhe më e keqja është se askush nuk mund të dijë se çka vërtet kanë biseduar këta matrapazë dhe cili pazar ishte. Si mund të shpjegohet ndryshe që ky matrapaz duke e ditur se nuk është me përputhjen e Kushtetutës së Kosovës dhe bën veprime të tilla dhe si mund t´i thuash presidenti i vendit, unë kurrë jo, i cili nuk njeh Kushtetutën e vendit. Pastaj, kur është bërë hartimi i dokumentit i Asociacionit, nuk merr pjesë asnjë shqiptar… dhe a nuk i thuhet kësaj tradhti i cili vepron tinëzisht. Nuk njeh as ligjet dhe as Kushtetutën e vendit, por vepron kokë në vete dhe këtu lind dyshimi se ky dilenxhi është për të dyshuar dhe se ka interesa personale”, tha Badallaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, Thaçi de facto e udhëheq Qeverinë që formalisht e ka kryeministër, liderin e një partie të vogël.
ZEQA:KRERËT E INSTITUCIONEVE NUK E KANË AS INFORMACIONIN MË TË VOGËL SE ÇFARË DO TË PREZANTOHET NË BRUKSEL NGA SERBËT E KOSOVËS!
Sipas analistit Florim Zeqa, dyshimi se vërtet do ta rrënojë rendin kushtetues të Kosovës marrëveshja Thaçi-Vuçiq, e tregon draft-statuti i AKS-së, i dërguar për miratim në Bruksel në mënyrë të njëanshme, pa pyetur fare institucionet e Kosovës. “Edhe përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e mëhershëm ka konstatuar se marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me hiç më pak se 23 nene të Kushtetutës, Qeveria e Kosovës jo vetëm se nuk mundi ta parandalojë ‘Zajednicën’ serbe që të mbërrijë në fazën finale, por nuk e ka asnjë informacion për përmbajtjen e statutit të AKS-së! Ndodhi pikërisht kështu për faktin se asnjë zyrtar shqiptar nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij dokumenti fatkeq për vendin, i cili ‘de facto’ e ‘de jure’ do të legalizojë ndarjen e Kosovës”, theksoi ai për “Kosova Sot”. Sipas Zeqës, për më keq se kaq, asnjëri nga krerët e institucioneve tona nuk e ka as informacionin më të vogël se çfarë do të prezantohet në Bruksel nga serbët e Kosovës. “Ky nuk është lëshim i rastësishëm, por heshtje e qëllimshme e institucioneve tona, e cila flet qartë për prapaskenat që i ka bërë presidenti aktual i Kosovës gjatë negociatave të tij të dëmshme me Vuçiqin në Bruksel. ‘Zajednica’ paraqet shkelje të hapur të rendit kushtetues, cenim flagrant të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë”, ka vlerësuar ai. “Në fakt, me Asociacionin po krijohet një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë, duke ia mundësuar pakicës serbe në Kosove një autonomi në pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor. Statuti i Asociacionit do ta sjellë vendin në një fazë të rrezikshme me shumë të panjohura”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.
GURAZIU: ‘ZAJEDNICA’ ËSHTË NJË SHKELJE E HAPUR E SISTEMIT KUSHTETUES E LIGJOR
Sipas analistit politik Ragip Guraziu, Kosova gjendet në një rrezik të madh nga marrëveshja e fshehtë që mund të jetë bërë nga Thaçi e Vuçiqi për një mini -Republikë Serbe të modelit të Bosnjës në veri të Kosovës. “Asociacioni apo ‘Zajednica’, në cilindo variant që krijohet, është një shkelje e hapur e sistemit kushtetues e ligjor të Kosovës, sepse me këtë krijesë minoritetit serb i jepet e drejta e një përfaqësimi të nivelit të tretë të pushtetit. Dhe, kjo formë e veprimit paralel brenda një shteti do ta rrënojë sistemin juridik unik të Kosovës. Ky rrënim do të na vijë si pasojë e Asociacionit të komunave serbe dhe marrëveshjes që po parasheh presidenti Thaçi me Aleksandër Vuçiqin e që duket se do të tejkalohen kornizat e limit të kompetencave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.Tanimë e dimë mirëfilli që Gjykata Kushtetuese, në interpretimin që e ka bërë më herët, ka konstatuar se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me frymën kushtetuese, ndërsa janë disa nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që preken nga përmbajtja e marrëveshjes”, u shpreh ai. “Unë konsideroj se ka qenë një skandal në vete fakti që është lejuar hartimi i një statuti për Asociacionin deri në fazën finale vetëm nga një ekip serb, dhe tani askush nga Qeveria kosovare nuk ka informacione për përmbajtjen e tij, kur kemi parasysh se asnjë shqiptar nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm. Pra, po del që asnjë nga krerët e institucioneve tona nuk kanë as informatën më të vogël për Statutin, që do të prezantohet në Bruksel. Unë mendoj që ky nuk është lëshim i rastësishëm, por është pjesë e prapaskenave që i ka bërë presidenti aktual i Kosovës gjatë negociatave të tij të dëmshme me Vuçiqin për Asociacioni, apo siç njihet ndryshe ‘Zajednica’, që është një shkelje e hapur e sistemit kushtetues e ligjor”, potencoi Guraziu. “Asociacioni do t`ia mundësojë pakicës serbe në Kosovë një autonomi substanciale në pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor, prandaj kjo është një fazë të rrezikshme për stabilitetin e vendit, të cilës situatë po i kontribuon negativisht edhe vetë kreu i Republikës së Kosovës, me konferencat e tij të panevojshme dhe me deklarimet për korrigjime kufijsh etj. Koha do të tregojë se këtë e bëjnë vetëm politikanët e shantazhuar, që shpresojnë se, duke shitur interesat nacionale, mund t’i shpëtojnë burgut për krimet e tyre”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.
Ndërsa, sipas analistit Ali Hertica, Kosova në këtë moment kritik duhet t’i përmbahet në përpikëri Pakos së Ahtisarit dhe të mos i japë shanse askujt që të rihapet ky dokument për implementimin e 6 pikëshit famëkeq të Ban Ki- Mun-it. “Unë mendoj se pala kosovare nuk duhet dhe nuk guxon të shkojë më tutje, as edhe për një pikë apo për një presje përtej dokumentit gjithëpërfshirës për statutin e Kosovës të Marti Ahtisarit. Këtë mesazh fare qartë e ka dërguar si vërejtje serioze edhe Albert Rohan- ish- zëvendësi i Ahtisarit. Ai e ka thënë shumë qartë se me pranimin e të drejtave të gjera për minoritetet, në veçanti për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe, siç përfshihet në Planin e Ahtisarit, si dhe decentralizimin e kompetencave administrative, Kosova tashmë ka bërë kompromiset e saj”, u shpreh ai. “Unë mendoj se tani tejkalimi i cilësdo linjë të përcaktuar me këtë dokument do të ishte rrënim i pakthyeshëm dhe i pariparueshëm i sistemit juridik e kushtetues, sistemit unitar të funksionimit të shtetit të Kosovës “, tha analisti politik Ali Hertica për “Kosova Sot”.
Qytetarët në alarm Qytetarët e anketuar nga gazeta po ashtu shprehin frikën e tyre të madhe se në rast të lëshimit pe, të kompromisit edhe me Asociacionin, Kosova de fakto nuk do të jetë më shtet sovran, por do të rrënohet në gjithë sistemin e saj juridik e kushtetues akoma të pafunksionalizuar e forcuar sa duhet.
Sipas qytetarit Muhamet Shatri, nëse vërtet pala kosovare i nënshtrohet presionit serb në Bruksel dhe anashkalon vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë dëmi do të jetë i pariparueshëm. “Normalisht që sistemin unik juridik dhe kushtetues që e ka të përcaktuar Kosova, Asociacioni do ta dëmtonte shumë nëse bëhet sipas marrëveshjes bazë të vitit 2013, pa i përfillur vërejtjet dhe konstatimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse tanimë po manipulohet shumë edhe me terminologji. Serbët po e interpretojnë ndryshe e ndryshe po e interpreton pala kosovare. Dikush po i thotë ‘Zajednicë’ e dikush Bashkësi, por ata e interpretojnë sipas interesave të veta dhe e shënojnë ashtu dhe dëshirojnë që në atë bazë ta bëjnë edhe Statutin e Asociacionit, për t’i dhënë edhe fuqi ekzekutive, dhe kjo po duket që në njëfarë mënyre është pranuar apo është rregulluar, ndonëse ne nuk po e dimë saktësisht, sepse shumëçka te ne nuk po dihet si po zhvillohet. Atje në prapaskena po nënshkruhet, kurse më pas po del dikush për t’ia dhënë kinse një ambalazh më të butë ose më të fortë, varësisht nga pozita, në secilin moment kur do për të fituar vota ose për ta përfituar opinionin”, u shpreh ai. “Asociacioni sipas asaj marrëveshje është një rrezik i madh, sepse e dëmton esencën e sistemit juridik e kushtetues, por edhe vetë territorin e Republikës së Kosovës, sepse ne kemi thënë që kemi bërë mjaft kompromis me Pakon e Ahtisarit, edhe me pavarësinë që nuk na është lejuar bashkimi me Shqipërinë, që ka qenë pjesa e parë e kompromisit, prandaj tani nuk do të duhej të bëheshin kompromise të tjera”, tha Shatri për “Kosova Sot”.
Rrezik të madh sheh nga Asociacioni me kompetencat ekzekutive dhe qytetari Selatin Fazliu. “Unë mendoj që kompromise me Vuçiqin dhe me askënd nuk duhet të ketë, këto kompromise nuk duhet t’i lejojnë vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe qytetarët, edhe nëse ato mund të jenë bërë në prapaskenat e ndryshme, duke u nënshkruar marrëveshje të fshehta në dëm të interesit të shtetit të Kosovës. Nëse i kanë bërë këto lëshime dhe tani provojnë t’i zbatojnë ato, duhet të alarmohet populli dhe opozita për t’i kundërshtuar dhe për të mos i lejuar sepse me këto lëshime që po i bëjnë këta, po del që neve luftuam dhe asgjë nuk fituam, vetëm çka humbëm. Unë nuk e di se me çfarë të drejte këta do të mund të provonin ta themelojnë një Republikë Serbe në Kosovë, që do të ishte kanceri i pashërueshëm i shtetit të Kosovës”, theksoi ai. “Me të drejtë po na bëjnë të dyshojmë ne si qytetarë se tash këta qeveritarë të shantazhuar, duke filluar nga presidenti Hashim Thaçi e tutje krejt, janë bërë shumë zemërgjerë dhe po kanë mundësi të bëjnë çdo gjë në dëm të shtetit dhe duke menduar vetëm për veten e tyre, sepse duket që të gjitha po i bëjnë me vetëdije. Tani këta përmes ‘Zajednicës’- Asociacionit dhe lëshimeve të tjera po ia mundësojnë Serbisë dhe Vuçiqit që të ta rrënojë krejtësisht shtetin e Kosovës përgjithmonë në vartësi dhe nën kontroll”, tha Selatin Fazliu për “Kosova Sot”.