Fundamenti

Kosova ia sheh sherrin politikës së xhepit

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Qeverisja e keqe përgjatë këtyre 17 viteve të pasluftës, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, ka thelluar një trend të dëmshëm të degradimit të shtetit.

Pushtetarët shkelin mbi interesin publik

Qeverisja e keqe përgjatë këtyre 17 viteve të pasluftës, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, ka thelluar një trend të dëmshëm të degradimit të shtetit. Partitë politike e degraduan shtetin në gjithë këto vite, me luftën për pushtet me çdo kusht dhe me mënyrën më kriminale të qeverisjes së vendit, të lidhura me mafinë për përfitime. Kjo është pikërisht pasojë e lidhjes së politikës me krimin e organizuar, për çka edhe nuk insistohet asnjëherë, nga asnjë subjekt politik, që të debatohet hapur, pa dorëza, për shkarjen e sistemit të rendit e ligjit nga mafio-politika, për krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të cilat fenomene edhe raportet e organizatave vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, japin analiza të trendit në rritje. Si pozita edhe opozita po e fshehin këtë temë tepër serioze, për faktin se dita- ditës po del e vërtetë që të gjitha, pa dallim, kanë burime të njëjta kriminale të financimit nga paraja e pistë e krimit të organizuar dhe se krimi i organizuar realisht e qeveris Kosovën. Arsyeja e krejt kësaj heshtje shihet te fakti se të gjitha partitë, si pozita edhe opozita, zhvatin dhe financohen nga po të njëjtit mafio-oligarkë.

UBT

Mungon demokracia e brendshme

Adem Salihaj, nga LDK-ja, thotë se kjo gjendje e tillë vjen sepse nuk është vetëm shteti i kapur nga oligarkët e lidhur me krimin dhe korrupsionin, por edhe vetë spektri i gjerë politik, në pozitë dhe në opozitë.”Duke marrë parasysh se partitë politike janë ato që marrin pjesë në zgjedhje dhe pastaj, përmes deputetëve, e formojnë Parlamentin, ndërsa nga Parlamenti formohen edhe institucionet tjera, atëherë vetvetiu del se të gjitha institucionet e tjera janë të kapura dhe janë në shërbim të partive politike”, ka theksuar ai. “Në partitë politike në Kosovë nuk ka aspak demokraci të brendshme, aty dominojnë liderët dhe klanet e tyre, të cilat interesat e partisë dhe të shtetit ua nënshtrojnë interesave të tyre. Prandaj, si përfundim, nuk mund të ketë shqyrtim në Parlament as të çështjeve siç janë krimi i organizuar, korrupsioni, oligarkët dhe kapja e shtetit nga vetë këto struktura”, potencoi më tej Salihaj. “Strukturat që kanë kapur partitë politike dhe institu cionet e shtetit nuk janë të interesuara që të shqyrtohen pasojat që i kanë shkaktuar vetë ato struktura”, tha Salihaj për “Kosova Sot”