RCCOLA

Kosova feston Bajramin

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Qindra besimtarë e kanë falur Bajramin në Xhaminë kryesore të Prishtinës mëngjesin e sotshëm.Fotoreporteri i Gazetës Express, Kushtrim Tërnava ishte aty dhe sjell për lexuesit disa foto. Çuditërisht, edhe pse kohë fushate, në xhami, përveç Ferid Aganit, nuk janë parë politikanë tjetër./express/

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, të gjithë besimtarët mysliman u ka uruar Kurban – Bajramin, me dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturin në familje. ”Lusim Allahun xh. sh. që të largojë çdo kërcim që e vështirëson sigurinë dhe paqen, dhe në botën mbarë të mbretërojë paqja dhe harmonia mes njerëzve”, tha ia.

Në urimin e myftiut Tërnava thuhej se ”edhe në këtë festë dashuria ndaj Allahut xh. sh. manifestohet përmes Haxhit dhe prerjes së Kurbanit ku Ibrahimi a.s. dhe Ismaili gërshetuan dashurin mes babait dhe të birit e cila u reflektua me bindjen e thellë në Allahun Një dhe porosit e Tij”.

Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, urime për besimtarët myslimanë kanë dërguar pothuajse të gjithë politikanët e vendit.

Presidentja, Atifete Jahjaga, përmes telegramit ka thënë se uron që kjo të jetë një ditë e gëzuar për të gjithë besimtarët, një ditë të cilën do ta kaloni me familjet dhe me më të dashurit tuaj, duke shprehur respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

“Uroj që dita e Kurban Bajramit t’ju gjejë të bashkuar e të gëzuar, me të mirat dhe begatitë që na i ka falur Zoti”.

Urime ka dërguar edhe kryeministri Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se edhe këtë vit, Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën në rrugën e ndërtimit të shoqërisë së lirë, demokratike dhe paqësore, me respekt të ndërsjellë nga të gjithë qytetarët tanë.

UBT

“Shteti ynë po vazhdon rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim feje dhe etnie, ku respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore janë kushte themelore të demokracisë së shtetit tonë të ri”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dërguar urime për besimtarët dhe Bashkësinë Islame.

“Në këtë ditë të shënuar për besimtarët anë e mbanë botës, më lejoni që në emrin tim dhe të strukturave drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës t’ju uroj Festën e lartësuar të Kurban Bajramit”.

Festa e Kurban Bajramit na gjen në një proces jetik për Kosovën, siç është ai i zgjedhjeve lokale, ka thënë Mustafa.

“Në këtë ditë ritheksojmë se Kosova ka nevojë për frymën e bashkimit në synimin për ta ndërtuar demokracinë në vend, ka nevojë për korrektësi e ndershmëri në të gjitha fushat e jetës sociale dhe politike”.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka uruar gjithë besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit.

“Uroj që në familjet tuaja të mbretërojë paqja, harmonia e begatia. Uroj që në këtë festë, të mos ketë familje që e pret pa bukë në sofër, të mos ketë familje që e pret në mungesë të ndonjë familjari, të mos ketë nga ata që kërkojnë lëmoshë në rrugë. Uroj që kjo festë të na gjejë të bashkuar. Uroj qe këto virtyte dhe porosi hyjnore te na përcjellin gjatë gjithë vitit!”, thuhet në mes tjerash në këtë urim. /Zëri/