Kosova është partner i barabartë
Nga Mimoza Kusari Lila – Java që po e lëmë pas është karakteristikë e një jave në të cilën e di kur fillon por nuk e vëren si përfundon. Si në aspektin përmbajtjesor, ashtu edhe në atë kohor, situatat ishin dhe mbeten të paparashikueshme.
Bllokada me Republikën e Maqedonisë, një situatë e cila filloi sikur edhe dy vjet më parë, u shndërrua në një situatë e cila na vetëdijesoi edhe një herë për domosdoshmërinë e vlerësimit të produktit vendor dhe ekonomisë prodhuese vendore.
Problemet tregtare me vendet e rajonit tanimë janë bërë të zakonshme në sezone të caktuara. Qeveritë e shteteve të rajonit, duke dashur të mbrojnë ekonomi të brishta në momente të caktuara kanë vendosur dhe vendosin barriera të cilat janë të papranueshme për marrëveshjet e nënshkruara.
Ajo çfarë nuk shkoi si duhet në kontestin tregtar me Maqedoninë, është ndalesa për qytetarët e Republikës së Kosovës nga ana e qeverisë maqedonase, ndalesë kjo e cila tërhoqi vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalesë totale të mallrave maqedonase për hyrje në Kosovë. Siç dihet, situata u përkeqësua me pengesat në rrugën hyrëse në Maqedoni kur transportuesit bllokuan rrugën.
Situata tani është sqaruar edhe pse nuk është zgjidhur në tërësi. Qëndrimi se të dy vendet të heqin të gjitha bllokadat në të njëjtën kohë, është qëndrim i cili nuk kontestohet nga asnjëra palë. Por çfarë të bëjmë dhe si të sillemi në mënyrë që të mos përsëriten skenarët e këtyre ditëve.
Rishikimi i marrëveshjes CEFTA është një prej sugjerimeve i cili në vazhdimësi po ripërsëritet. Megjithatë, procesi i integrimeve në rajon, i cili u ofron vendeve marrëveshjen e Stabilizim-Asocimin pjesë e së cilës është edhe marrëveshja e tregtisë së lirë, na tregon se përderisa jemi në rrugën e integrimit dhe kemi ende probleme politike (mosnjohja e Kosovës nga tri vende anëtare të CEFTA-s: Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia), hapja, rishikimi dhe rinegocimi i CEFTA-s bëhet gati se i pamundur për një periudhë afatshkurtër. Çka do të thotë se si propozim bie nga kombinimi.
Zgjidhja e vetme dhe e pranueshme për palët e përfshira duhet të jetë insistimi i barabarësisë dhe trajtimit të njëjtë të produkteve dhe shërbimeve me të gjitha vendet. Intensifikimi i dialogut dhe shmangia e paragjykimeve dhe pengesave të cilat ekzistojnë. Përparësia konkurruese e kompanive duhet të jetë vetëm nga vlera dhe kreativiteti i produkteve të tyre dhe jo nga forca e shtetit për t’i mbrojtur ato, apo përçmuar produktet e vendeve të tjera.
Situatat si kjo e jona me Maqedoninë kanë ndodhur edhe më herët në rajon. Por pas atyre situatave është rivendosur respekti reciprok dhe ka vazhduar afarizmi i mirëfilltë. Duket se Kosova, përkundrejt fuqisë blerëse mjaft të madhe dhe me ndikim, prapë ka mbajt pozitë inferiore në raportet me vendet tjera të CEFTA-s. Kjo situatë ka filluar që nga koha kur është nënshkruar CEFTA pa kushte nga Kosova. ‘Fëmija i cili nuk qan, nuk e merr vëmendjen e të mëdhenjve’. Ndërsa tani, pavarësisht të gjitha pengesave apo problemeve të paraqitura, e kemi të qartë se pa respekt dhe bashkëpunim të mirëfilltë nuk mund të zbatohet asnjë marrëveshje apo të funksionojë një partneritet. Sidomos jo në momentin kur fuqia blerëse është në anën tonë. Kosova si shtet dhe Qeveria e Kosovës, e kanë të qartë se Kosova është një partner i denjë, por edhe një shtet me fuqi blerëse për të cilën nuk mund të injorohet ose të trajtohet dosido.
Të shpresojmë se kjo situatë nuk do të përsëritet dhe ne do të kemi një rrjedhë normale të qarkullimit të mallrave pa pengesa dhe kushtëzime. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave integruese evropiane dhe zbatuese e të gjitha marrëveshjeve, por asnjëherë nuk do të pranoj të jetë në pozitë inferiore. Esenca e bashkëpunimit të mirëfilltë është respekti dhe bashkëpunimi i cili duket se kohë pas kohe ka munguar. Andaj, tanimë besoj se mund të planifikojmë të ardhmen ekonomike me pozicione të qartësuara pa ndonjë të papritur në shkelje të raporteve tregtare. Kjo gjithmonë ka qenë dhe mbetet synimi i pjesëmarrjes së Kosovës në marrëveshjet tregtare.
(Autorja është zv/presidente e AKR-së dhe zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


