Kosova e kapur nga tyxharët, mashtruesit dhe matrapazët e politikës
Kosova që nga Pavarësia e saj është bërë një vend i “tyxharëve”, mashtruesve dhe matrapazëve politikë, të cilët janë në gjendje që për pushtet të bëjnë gjithçka kundër shtetit dhe qytetarëve. Kështu së paku konsiderojnë analistët që merren me rrethanat politike në vend.
POPULLIT I ËSHTË SHTANGUAR LAKU NË FYT NGA NJERËZIT E POLITIKËS DHE NËNTOKËS KRIMINALE
Mehmeti: Në shumicën e vendeve kryesore në institucione janë njerëz me të kaluar kriminale”Kosova ka rënë në duart e tyxharëve, matrapazëve dhe mashtruesve, që padrejtësisht veprojnë me të madhe në vendin tonë kundër qytetarëve të saj dhe kundër shtetit të Kosovës. E gjithë kjo bie në kurrizin e popullit që po e paguan shumë shtrenjtë. Këto grupe të nëntokës kriminale nuk zgjedhin mjete për t’u pasuruar padrejtësisht dhe janë të kamur më rëndë se sheikët e Arabisë, që deri dje nuk kishin as bukë për të ngopur barkun”, është shprehur analisti Reshat Badallaj
Kosova që nga Pavarësia e saj është bërë një vend i “tyxharëve”, mashtruesve dhe matrapazëve politikë, të cilët janë në gjendje që për pushtet të bëjnë gjithçka kundër shtetit dhe qytetarëve. Kështu së paku konsiderojnë analistët që merren me rrethanat politike në vend. Në këtë situatë është e paqartë se edhe sa kohë do t’i durojë populli këta politikanë matrapazë që shikojnë vetëm interesin e vet e të klaneve të tyre dhe nëntokës kriminale përballë interesave të qytetarëve dhe shtetit ligjor. Analistët shprehen se në këtë situatë, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, të rezultateve dhe bllokadës që po i bëhet vendit, zgjidhje më e mirë dhe e vetme e dobishme do të ishte që të bëhet dhe konstituohet sa me parë Kuvendi dhe të zgjidhet një Qeveri teknike e përkohshme, me një mandat 1-2 vjet, dhe me një kryeministër jashtë politikës, teknokrat e me kompetencë, me etikë e integritet profesional, në të cilën qeveri do të merrnin pjesë të gjitha subjektet politike parlamentare sipas forcës që kanë fituar nga zgjedhjet e qershorit. Madje, sipas tyre, po Kuvendi dhe kjo qeveri duke nisur që nga dita e parë do të kishte për detyrë të bëjë Ligjin e dekriminalizimit, reformën e madhe në drejtësi, Ligjin e Vetting-ut për vetëpastrimin nga korrupsioni e krimi i organizuar në të gjitha institucionet e shtetit që nga sistemi i drejtësisë ( gjyqësori, prokuroria dhe policia hetuese), por edhe në të gjitha institucionet e shtetit, në të dy nivelet e pushtetit, komuna e qeveri, në Kuvend dhe Presidencën e vendit. Pjesë e kësaj do të duhej të ishin reforma e madhe zgjedhore, ndryshimet e nevojshme kushtetuese, Ushtria e Kosovës, Demarkacioni, Asociacioni sipas Kushtetutës, lëvizja e lirë në hapësirat e Shengen-it, zhvillimin ekonomik, punësimin, etj. Sipas analistëve, tashmë kjo është bërë edhe si kërkesë, ndonëse e vonë edhe nga BEja në Kosovë, Ambasada amerikane dhe britanike, por edhe nga komisioneri i BE-së për Kosovë, Johanes Hahn, që e tha këtë ditë më parë në takimet e kryeministrave të pese vendeve të Ballkanit perëndimor që u mbajt në Durrës të Shqipërisë. Me këtë rast Hahn kërkoi nga kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, që po ashtu ishte në këtë takim, që sa më parë të kemi formim të institucioneve në Kosovë.
Mehmeti: Me mbarimin e luftës, Kosova u sulmua nga matrapazët
Analisti Faton Mehmeti theksoi për “Kosova Sot” se me mbarimin e luftës Kosova u “sulmua” nga matrapazët”, të cilët e shfrytëzuan mungesën e ligjit.”Të qenit shtet i brishtë në tranzicion ishte pikërisht ajo çfarë dëshironin dhe prisnin bandat dhe mafiozët, për të shtrirë rrjetin e tyre në tërë vendin, si në politikë, gjyqësor dhe pastaj të pasurit duart e lira për të vepruar”, është shprehur ai. Mehmet tutje ka shtuar: “Duke qenë se në krye të shtetit erdhën njerëz që nuk ia duan vendit të mirën, por i marrin të mirat, vetëm sa e thelloi kapjen e shtetit pa asnjë perspektivë për qytetarët e ndershëm. Ka pasur edhe ndërkombëtarë, të cilët bashkë me vendorët kanë bërë veprime jo të ndershme, në favor të pasurimit të tyre”, tha ai. Mehmeti theksoi se ajo çfarë i duhet Kosovës tani është Vettingu, që pastron figurën e çdo gjyqtari, deputeti apo personi me detyrë zyrtare.”Siç e dimë ne, në shumicën e vendeve kyçe në institucione janë njerëz me të kaluar kriminale, të cilët jo që nuk përjashtohen, por vetëm sa ngrihen në pozita”, është shprehur Mehmeti. Sipas tij, me këtë klasë politike është e pamundur të ndodhë një gjë e tillë, ndërsa pa u bërë një gjë e tillë Kosova nuk mund të ecën tutje. “Kosova është peng i një grupi të caktuar kriminal, të shpërndarë nëpër partie politike, të cilët i kanë bërë dëme të mëdha dhe vazhdojnë që t’i bëjnë Kosovës”, është shprehur ai. Analisti Hidajet Ahmeti theksoi për “Kosova Sot” se Kosova si shtet ndodhet para shumë sfidave që nuk presin kohë, duke shtuar se çdo minutë i vonuar është në dëm të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. “Fillimisht duhet të shteren të gjitha mundësitë ligjore e kushtetuese, e atëherë të mendohet për një qeveri teknike. Edhe ashtu qeveria teknike është një qeveri e zorit, e cila e ka shumë problem t’i lëvizë gjërat përpara, proceset e rëndë- sishme për vendin, pasi që të gjitha partitë politike do të mundohen t’ia gjuajnë topin njëra- tjetrës, kurse problemet do të mbesin të njëjtat”, është shprehur ai.
Zeqa: Kosova e sotme, një vend jodemokratik, që i ngjan një vendi primitiv
Analisti Florim Zeqa u shpreh për “Kosova Sot” se Kosova e sotme më tepër se një vend i pavarur dhe demokratik, i ngjan një vendi primitiv, ku grupet rivale të interesit llogaritë e tyre i bëjnë në kurriz të qytetarëve.”Kosova i ngjason një vendi të ‘tyxharëve’, mashtruesve dhe matrapazëve politikë, të cilët janë në gjendje që për pushtet të bëjnë gjithçka kundër shtetit dhe qytetarëve”, është shprehur ai. Ai nuk e di edhe sa kohë do t”i durojë populli këta matrapazë politikë që shikojnë vetëm interesin e vet, klanet të tyre dhe nëntokën kriminale përballë interesave të qytetarëve dhe shtetit ligjor.”Një qasje e tillë denigruese e politikës kosovare është bërë e padurueshme për zyrtarët e BE-së, të cilët tashmë janë lodhur me të njëjtën retorikë boshe të politikanëve të korruptuar kosovar, që e kanë gojën plot shtet ligjor e demokratik, por që nuk e bëjnë as hapin më të vogël në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë”, është shprehur ai. Zeqa theksoi se tashmë jemi duke hyrë në muajin e tretë pas mbajtjes së zgjedhjeve të 11 qershorit dhe vendi akoma vazhdon të udhëhiqet nga një qeveri në ikje, të cilës përveç vullnetit i mungojnë mekanizmat ligjorë për marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin, siç janë: formimi i Ushtrisë së Kosovës, zgjidhjen përfundimtare të Demarkacionit me Malin e Zi, Asociacionin sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe liberalizimin e vizave, gjegjësisht lëvizjen e lirë në hapësirat e Shengenit, zhvillimin ekonomik, punësimin, etj. Ai theksoi se, edhe pse e vonuar, kjo është bërë kërkesë e BE-së, Ambasadës amerikane dhe asaj britanike, e së fundmi edhe kërkesë e komisionerit të BE-së për Kosovën, Johanes Hahn, që e bëri në takimet e kryeministrave të pesë vendeve të Ballkanit perëndimor në Durrës të Shqipërisë. Sipas Zeqës, kjo qeveri duhet të jetë me bazë të gjerë, por me mandat të shkurtuar deri në zgjedhje të reja.
Guraziu: Kosova u bë vend i klaneve, që janë kundër shtetit dhe qytetarëve
Analisti Ragip Guraziu theksoi për “Kosova Sot” se për interesa klanore e partiake Kosova u bë vendi i mashtruesve dhe matrapazëve politikë, sidomos pas shpalljes së pavarë- sisë, që për interesa klanore e partiake gjithçka bënë kundër shtetit e qytetarëve dhe për interesat e klaneve dhe nëntokës kriminale. Guraziu vlerëson se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhjes së një Qeveria normale po mungon kurse qytetarët po shohin ‘cirk” në Kuvend me këtë strukturë të re.”Domosdo na nevojitet një qeveri teknike e përkohshme. Kjo Qeveri teknike nuk duhet të zgjasë një kohë të gjatë, por sa më parë, në këtë mandat të formohen institucionet e reja nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Duhet të jemi të kujdesshëm që të marrë si detyrim kjo qeveri teknike me gjithë përfaqësuesit e të gjithave subjektet politike, për ta bërë apo nxjerrë Ligjin e dekriminalizimit”, është shprehur ai. Guraziu ka shtuar se kjo qeveri, që nga dita e parë, do të kishte për detyrë që të bëjë edhe reformën e madhe në drejtësi, Ligjin e Vetting-ut për vetë- pastrimin nga korrupsioni e krimi i organizuar në të gjitha institucionet e shtetit, që nga sistemi i drejtësisë, por edhe në të gjitha institucionet e shtetit në të dyja nivelet e pushtetit. Ai thotë se politikanët duhet t’i nënshtrohen presionit të ndërkombë- tarëve që po kërkojnë që institucionet të formohen sa më shpejt e të fillohet me punë.
Badallaj: Banditët bllokuan institucionet vetëm për interesa personale
Analisti Reshat Badallaj theksoi për “Kosova Sot” se Kosova ka rënë në duart e tyxharëve, matrapazëve dhe mashtruesve, që padrejtësisht veprojnë me të madhe në vendin tonë kundër qytetarëve të saj dhe kundër shtetit të Kosovës. “E gjithë kjo bie në kurrizin e popullit që po e paguan shumë shtrenjtë. Këto grupe të nëntokës kriminale nuk zgjedhin mjete për të pasuruar padrejtësisht dhe janë të kamur më rëndë se sheikët e Arabisë, që deri dje nuk kishin as bukë për të ngopur barkun. Dhe ky grup kriminelësh tashti po veprojnë me hapa të shpejtë, duke parë se banditët dhe kryebanditët nuk po janë në gjendje të konstitutohet Kuvendi edhe pas gjashtë seancash, ku u harxhuan nga buxheti i vendit më tepër se gjysmë milioni euro”, është shprehur ai. Badallaj theksoi se këta banditë kanë bllokuar institucionet e vendit vetëm për interesat personale dhe bandave të tyre.”Në këtë bllokadë të pakuptimtë duhet zgjidhur sa më parë dhe nuk do të ishte keq që sa më parë të vihet në lëvizje qeveria teknike ku do të duhej që të përfshihen nga të gjitha spektret e këtyre bandave, por kryetari i Kuvendit, kryeministri i vendit të jenë nga shoqëria civile, por jo partiakë, që të mos anojë nga asnjë bandë politike dhe të mos anojë nga këta matrapazë dhe mashtrues, por të vihet në shërbim të qytetarëve dhe të vendit”, është shprehur ai. Badallaj vlerëson se nëse vepron Ligji i Vetting-ut, atëherë do të bëhet spastrimi jo vetëm në majat e larta të shtetit, të bandave politike, por do të pastrohen edhe langonjtë në sistemin gjyqësor, e sidomos në prokurori, ku janë bërë sahanlëpirës dhe puthadorë të këtyre bandave politike dhe janë në shërbim të banditëve dhe kryebanditëve.”Këta kot e kanë dhënë betimin kinse për të mbrojtur interesat shtetërore dhe interesat e qytetarëve të saj. Këta të prokurorisë janë aktorët që luajnë rolin e matrapazit dhe shërbimeve të djallit, duke u pasuruar jashtëligjshëm. Pra, Ligji i VETTING-ut do të spastronte dhe jo vetëm që do të spastronte, por do t’i burgoste matrapazët dhe zor se do t’i zinin burgjet me këta keqbërës e hajdutë që na qitën hije të zezë në botën e qytetëruar”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)


