Kosova, dhjetë vjet regres

Edhe këtë vit Raporti i Progresit për Kosovën sikur edhe në nëntë vitet e kaluara, paraqet të njëjtat vërejtje në të gjitha fusha, por që pa dyshim më shqetësuesja mbetet gjendja e gjyqësorit, meqë thuhet se nuk ka luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kjo është thënë të enjten në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “Raporti i Progresit për Kosovën: Cila do të ishte përgjigja më e arsyeshme”.
Zëvendësshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Gnochi, ka theksuar se nuk ka dënime vendimtare për korrupsionin në nivele të larta, gjë e cila, sipas tij, po e përcjell Kosovën çdo vit.
“Lufta kundër korrupsionit është një fushë për të cilën ne mendojmë se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjeve. Por, ka pasur ca përparime, në veçanti sa i përket bashkëpunimit në mes të agjencive kundër korrupsionit dhe Prokurorisë… Megjithatë, ne nuk kemi parë rezultate konkrete në këtë fushë, posaçërisht s’kemi parë të jenë dhënë dënime vendimtare për nivel të lartë të korrupsionit. S’ka vullnet politik për këtë”, është shprehur Gnochi.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramazan Ilazi, ka thënë se përveç sfidave, në raport ka edhe vlerësime pozitive në disa segmente./zeri/