Kosova, ‘Delja e zezë’ e Ballkanit

Oligarkët politikë e shndërruan Republikën në një shtet jofunksional.
Krasniqi: Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk duhet të kenë vend në shoqëri
“Pushtetarët duhet të japin llogari për punën e tyre. Ata kanë kryer vepra penale të karakterit ekonomik, duke keqpërdorur shtetin dhe, në anën tjetër, edhe në karakterin politik e juridik, duke e shkatërruar vendin”, u shpreh profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi
Drejtimi i vazhdueshëm i gishtit në drejtim të shtetit të ri të Kosovës, nga shumë faktorë vendimmarrës ndërkombëtarë dhe organizata të specializuara për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e cilësuar si vend i dështuar në instalimin e shtetit ligjor, sipas njohësve të sundimit të ligjit, e ka bërë Kosovën vend që e ka të largët perspektivën evropiane. Është fituar përshtypja se kjo klasë politike në pushtet, e lidhur me oligarkinë kriminale, me “biznese kriminale”, e ka shndërruar shtetin e ri si “Dele të zezë” të Ballkanit për shkak të mosrespektimit të ligjit, fenomeneve të larta të korrupsionit, krimit të organizuar përmes zhvatjes në masë të madhe të buxhetit të shtetit dhe aseteve e pasurisë publike
Kelmendi: Kupola e shtetit, e lidhur me nëntokën kriminale
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se lidhjet e tilla kriminale e kanë origjinën e vet, që nga kupola e shtetit, e lidhur me nëntokën kriminale dhe shtrihen deri në pushtetin lokal dhe institucionet e tjera, prandaj edhe luftimi i kësaj lidhjeje është tepër i vështirë, për të mos thënë edhe i pamundur. “Nëntoka e Kosovës është e ashpër. Ajo jeton e lidhur me pushtetin. Nëse qëndron fakti se familja e kryeministrit është e akuzuar për shumë vepra penale, atëherë nuk do shumë logjikë të dihet se nga jeton nëntoka kriminale e Kosovës. Po këtë e pamë edhe me pasurinë e presidentit dhe të një numri të madh të politikanëve kosovarë.
Duket atëherë ashiqare kjo lidhje, dhe nuk mundet kurrsesi me vota të zgjidhet çështja. Pa i marrë në përgjegjësi penale këta pushtetarë, nuk ka mundësi qytetari i Kosovës të lirohet nga presioni dhe të bëjë as zgjedhje të drejta dhe zgjidhje të problemeve që i ka vendi i ynë”, u shpreh Kelmendi. Sipas tij, për sa kohë këto parti të jenë në pushtet, do ta kemi këtë gjendje.
“Pushtetarët duhet të japin llogari për punën e tyre. Ata kanë kryer vepra penale të karakterit ekonomik, duke keqpërdorur shtetin dhe, në anën tjetër, edhe në karakterin politik e juridik, duke e shkatërruar vendin, me vendime dhe marrëveshje të dëmshme dhe shume të rrezikshme për vendin. Pra, vetëm me llogaridhënie shërohet vendi. Nuk ka mundësi tjetër të ndreqjes së gjendjes”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot”.