Eko Higjiena

Kosova apo Shqipëria, kemi fusha më kritike se futbolli

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Milazim Krasniqi – Kriza e rëndë e mendimit ndër ne shqiptarët, ka lënë mundësinë që hapësirën e mendimit ta zënë emocionet e tifozerive të futbollit dhe manipulimet e opinionistëve të specializuar për spiunim.

Një kohë dukej idilike që tifozeria binte në trans me sloganin “O sa mirë me qenë shqiptar”, pa e pasur idenë se cila është gjendja e vërtetë e këtyre shqiptarëve, të obsesionuar me rrugët e eksodit dhe me kultivimin e hashashit.

Të gjithë dukej se kënaqeshin me atë histerizëm primitiv, madje edhe intelektualët dhe shkencëtarët oportunistë e hipokritë, krahas politikanëve kleptomanë e gënjeshtarë. Po të mos pranohej Kosova në FIFA dhe në UEFA dhe po të shkonte përfaqësuesja e Shqipërisë më tutje në finalen e Evropianit 2016, transi mbase do të vazhdonte.

Por, tash që duhet të jepen përgjigje racionale se si më tutje me këtë realitet të ri të afirmimit të Kosovës dhe të rrezikut që shfaqet për krizën e përfaqësueses së Shqipërisë, ka filluar debati si një debat mes të dehurve në një mejhane provinciale ballkanike. Kjo gjendje e mjerë e debatit është pasojë e faktit që nuk janë bërë analiza, nuk janë bërë projeksione se si duhet të veprojmë në realitetet e reja kur jemi një komb me dy shtete. Pra, nuk është gjetur formula si të veprojmë në mënyrë komplementare, veçse po tentohet të aplikohet formula paternaliste.

Eco Higjiena

Natyrisht, gjëja më e lehtë është që në këtë konfuzion tonin, të angazhohen edhe agjendat e huaja, për të na përçarë për të na dobësuar, për të na defaktorizuar. Ashpërsia e komunikimit për futbollin, pikën ku jemi më të fortë dhe më të bashkuar, është simptomë se sa rrezik ka ndarja brenda kombit tonë, në linja të tjera që janë më të brishta se sa futbolli, siç janë interesat ekonomike dhe besimet fetare.

Prandaj, duhet kujdes, sepse vetëm respektimi i realiteteve që kemi, të një kombi me dy shtete, me disa territore të mbetura jashtë tyre, me disa diaspora nëpër botë, me diversitet fetar e me specifika rajonale, na siguron kohezionin dhe unitetin kombëtar. E sigurt është që ambicia paternaliste dhe tirania e pakicës do të prodhonin kriza të reja dhe do ta rrënonin idealin për një komb unik. Ne kemi fusha shumë më kritike se sa futbolli, ku mund të na agravojë përçarja. Ne nuk kemi deri sot asnjë analizë serioze për asgjë, as për ekonominë, as për arsimin, as për kulturën, as për besimet fetare, as për aleancat, për asgjë, kemi universitete, institute e akademira, por ato nuk kontribuojnë fare në këto projeksione.

*profesor, Universiteti i Prishtinës