Kosova anëtare e 41 e BZHKE-së

Qeveria e Kosovës dhe Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (BZHKE) janë duke biseduar lidhur me projektet prioritare për vendin tonë.
Kështu ka thënë ministri i Financave Besim Beqaj në konferencë për media me rastin e përfundimit të misionit të delegacionit të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE), të udhëhequr nga Stephan Sellen, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në drejtorinë e kredive dhe zhvillimit social në BZHKE.
Me këtë rast ministri Besim Beqaj informoi se gjatë dy ditëve të kaluara në Kosovë ka qëndruar një ekip i Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, i udhëhequr nga Stephan Sellen. Sipas tij, ky ekip po qëndron në Kosovë për të identifikuar fushat dhe projektet e mundshme për financim në periudhën e ardhshme. Gjatë dy ditëve të fundit, ekipi i Bankës CEB është takuar me institucionet relevante të Qeverisë, si dhe me partnerët e Qeverisë që veprojnë në Kosovë, ku dhe është diskutuar për mundësitë konkrete të përkrahjes nga kjo Bankë.
Ministri Beqaj rikujtoi se në muajin qershor të këtij viti, pas një lobimi të fuqishëm nga ana e institucioneve të vendit, Bordi Qeverisës i Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës aprovoi Rezolutën për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë institucion.
“Në ndërkohë, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të formalizuar anëtarësimin tonë, duke përfshirë edhe ratifikimin e Ligjit për anëtarësim dhe nga fillimi i këtij muaji, pra nëntorit, Kosova formalisht është anëtarja e 41 e kësaj banke”, tha ai.
Sipas tij, anëtarësimi në këtë institucion zgjeron edhe më tej mundësitë e Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat për burime afatgjata të financimit të projekteve me rëndësi për vendin.
“Ju mund të dini se fushëveprimtaria e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës është pak sa më ndryshe nga institucionet tjera. Sipas akteve të themelimit të kësaj Banke, ajo synon të përkrahë sektorët dhe projektet që kontribuojnë në forcimin e kohezionit social të vendeve anëtare”, ka thënë ministri Besim Beqaj.
Në anën tjetër, Stephan Sellen , zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e kredive dhe zhvillimit social të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, e falënderoi ministrin Beqaj për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe e uroi atë për anëtarësimin e Kosovës si anëtarja e 41 me radhë në këtë Bankë.
Ai njoftoi se përfaqësuesi i Kosovës javën e kaluar ka marrë pjesë për herë të parë në Këshillin e Bankës në Paris, dhe shtoi se guvernatori i Bankës ka kërkuar nga ne që të vijmë këtu dhe të kemi kontaktet e para teknike në terren për të identifikuar mundësitë për bashkëpunim në kontekstin e mandatit tonë që është zhvillimi socio- ekonomik dhe përfshirja në këtë kontekst.
“Kemi pasur kontakte me autoritete qeveritare por gjithashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë, pra me Bashkimin Evropian, me përfaqësuesit tjerë të Bankës, sigurisht që janë Franca, Italia, Gjermania, Zvicra etj. Kemi qenë gjithashtu në kontakte edhe me homologët tanë nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare , siç janë Banka Botërore etj., pra për të parë se ku do të mund ta fillonim potencialisht bashkëpunimin tonë ne si Bankë për zhvillim socio-ekonomik në Evropë”, ka shtuar Sellen./zeri/