Mobi Casa

Kosnett: Është në dorën e kosovarëve që të kërkojnë lidership të sinqertë

/ 17 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në pjesën e dytë të intervistës dhënë RajoniPress, ambasadori amerikan Philip Kosnet flet për liberalizimin e vizave, rolin e shoqërisë civile, zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes autostradave, për projektet dhe investimet e USAID-it në rajonin e Anamoravës, për porosinë e tij rreth gjeneratave të reja dhe për ndërtesën gjigante dhe të bukur që pritet të inaugurohet më 4 korrik 2019 në Prishtinë.

Intervistë me ambasadorin Philip Kosnett dhënë Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress

Rajonipress: Ju faleminderit që zgjodhët portalin Rajonipress për t’ju intervistuar. Jam shumë i nderuar dhe i lumtur. Sot ishit në Gjilan. Vizituat shumë institucione – komunën, policinë, Universitetin e Gjilanit, si dhe po shpresoj që i keni vizituar ato vende ku ka investuar USAID-i apo SHBA-ja, projektet. Sa jeni i kënaqur me dinamikën e këtyre projekteve, si dhe a mendoni që këto projekte kanë ndikuar pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve të të gjitha komuniteteve në rajonin e Anamoravës?

Ambasadori: Nga sa po e shoh, njerëzit po i shfrytëzojnë shumë mirë programet bashkëpunuese në të cilat është angazhuar qeveria amerikane këtu në Gjilan. Pashë se si Policia, Universiteti, shkollat po përfitojnë nga programet që i kemi ofruar dhe më ka lënë mbresa energjia dhe vizioni që shfaqet në këtë komunë. Dëshiroj ta theksoj se shumë programe që SHBA i jep në mbështetje të Kosovës mendohen si projekte pilot apo projekte të demonstrimit ashtu që pastaj vetë kosovarët mund të vendosin çka funksionon për ta e pastaj ta përsërisin atë apo ta përshtatin në mënyrë më të mirë për rrethanat e vendit.

Rajonipress: Gjilani shquhet për marrëdhënie të mira ndëretnike. Këtu secili sheh punën e tij. Megjithatë, ka sfida sa i përket integrimit të komuniteteve, p.sh. të komunitetit rom, të cilët përballen me gjendje të rëndë dhe papunësi. Cila do të ishte porosia juaj për qeverisjen komunale përkitazi me këto komunitete. E them këtë sepse komuniteti rom ende shpërfillet, por unë shqetësohem shumë për ta. Ata jetojnë në qendër në qytet dhe ata nuk janë të integruar, janë pa shkollë, të paarsimuar dhe kështu do të mund të paraqesin problem e rrezik për shoqërinë.

Ambasadori: Mendoj se duhet të mësoj më shumë pikërisht për situatën që e përshkruajtët para se të them mendimin tim për këtë gjë. Megjithatë, dua të them se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë me rëndësi që Kosova të mbetet shoqëri shumetnike dhe shumëfetare. Si amerikan, jam shumë krenar që Amerika është vend ku njerëzit e nacionaliteteve, etnive e feve të ndryshme janë bërë bashkë dhe kanë përparuar. Mendoj se tash në SHBA shumica e njerëzve njëmend kanë një qëndrim shumë pozitiv lidhur me multi-kulturalizmin dhe ju vjen mirë kur njerëz me prapavijë të ndryshme shpërngulen në fqinjësi të tyre ose punojnë me ta. Pra, kjo është ajo e ardhme që e duam për miqtë tanë në Kosovë: një vend ku njerëzit jo vetëm i tolerojnë pjesëtarët e grupeve të tjera etnike, por në fakt janë edhe entuziastë që jetojnë në një shoqëri shumetnike.

Rajonipress: T`i kthehemi pak infrastrukturës. Edhe Gjilani pritet të bëhet me autostradë. E kam parë ambasadorin – dhe më ka pëlqyer – që e ka vlerësuar pozitivisht këtë projekt, ndërkohë qe ne si medie kemi shumë probleme me qytetarë kur ju flasim për autostrada. Zakonisht ata thonë që ka korrupsion, po vidhen para… A janë autostradat ura që krijojnë lëvizje të lirë dhe zhvillojnë ekonominë? Kam qenë edhe vetë në SHBA. E di çka janë autostradat. Nuk ka asgjë të keqe në to. mirëpo në popull ekziston bindja se ka korrupsion, se ‘ata’ po i vjedhin paratë e kështu me radhë.

Ambasadori: Ta ndajmë këtë pyetje në disa pjesë. Nuk jam i njoftuar së afërmi për çdo projekt të rrugës në Kosovë, por në përgjithësi besoj se infrastruktura rrugore, përfshirë autostradat, është pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Kam qenë në shumë vende ku sistemi rrugor ka qenë i tmerrshëm dhe ka qenë shumë e vështirë për këdo që të mendojë të ndërtojë një fabrikë sepse nuk mund ishin të bindur se do të mund ti sillnin pjesët rezervë apo lëndën e parë në fabrikë dhe produktet finale nga fabrika. Ishte edhe më keq për bujqit, sepse nëse nuk kishin rrugë të përshtatshme, atëherë prodhimet ushqimore veçse prisheshin anash rrugëve, dhe një përqindje e madhe e prodhimit të tyre shkonte dëm. Është lehtë të paramendohet ndonjë projekt ku rruga në vetvete është pozitive, por ka korrupsion ose ndonjë të metë dhe çmimi është më i lartë se sa do të duhej të ishte. Por kjo nuk do të thotë që vetë rruga ishte ide e keqe; kjo shkurt do të thotë që duhet të ketë mbikëqyrje më të mirë mbi ata që e ndërtojnë rrugën. Pra, jam mjaft optimist, p.sh. se pas gjashtë muajsh apo një viti, njerëzit që e shfrytëzojnë autostradën e re për në Shkup do të thonë: “Kjo ishte ide e shkëlqyeshme”! E pastaj, përderisa hapen fabrikat dhe vazhdon të ketë zhvillim ekonomik anash rrugës, njerëzit do të thonë: “Pse kam dyshuar ndonjëherë në këtë ide”? Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të jemi të vëmendshëm ndaj mundësisë së korrupsionit; nuk do të thotë që gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile nuk duhet ti monitorojnë këto projekte me shumë vëmendje për tu siguruar që kanë kuptim nga aspekti ekonomik.

Rajonipress: Sfida më e madhe për qeverisjen komunale mbetet përfshirja e zyrtarëve me aktakuza. Ju e keni thënë se kjo çështje është pengesë e madhe për Kosovën. Si duhet të veprojnë institucionet komunale për këto raste? P.sh. Lutfi Haziri (kryetari i komunës së Gjilanit) e ka një drejtor të akuzuar, të cilin nuk e ka pezulluar nga puna. Këtu do ta ndërlidhja pyetjen edhe me Kadri Veselin, i cili kërkoi largimin e zyrtarëve të akuzuar. Besim Beqaj p.sh. dha dorëheqje sot, Agim Çeku pritet ta bëjë të njëjtën gjë dhe kështu me radhë. Por, unë jam më shumë i interesuar për komunën e Gjilanit.

Ambasadori: Siç mund ta dini, kam qenë shumë i zëshëm se është e rëndësishme që njerëzit që nuk i kanë kualifikimet e duhura, që janë dënuar për ndonjë krim apo që kanë aktakuzë të ngritur të largohen nga pozitat zyrtare. A japin dorëheqje a shkarkohen, kjo nuk ka shumë rëndësi për mua. Nuk mendoj se është e hijshme që njerëzit e akuzuar ose që kanë treguar se nuk i kanë kualifikimet e duhura për një pozitë të caktuar qeveritare të qëndrojnë në pozitë të tillë. E kur e them këtë, nuk e them për të përkrahur apo kritikuar ndonjë parti të caktuar politike. Mendoj se këto politika duhet të zbatohen nga të gjitha partitë, qofshin në opozitë apo në qeveri. Prandaj, mendoj se deklarata e kryetarit të Kuvendit Veseli është e mirëseardhur dhe paraqet lëvizje pozitive. Ne do të vëzhgojmë për të parë nëse njëmend zbatohet plotësisht. Në të njëjtën kohë, shpresoj që partitë e tjera do të marrin shembullin e PDK-së dhe të vazhdojnë në këtë mënyrë. Më lejoni të shtoj edhe diçka: nuk po sugjeroj se të gjithë që janë akuzuar për një krim janë fajtorë, si dhe nuk po sugjeroj që çdo person që është dënuar për ndonjë krim është i lig dhe që asnjëherë nuk kanë bërë ndonjë gjë të ndershme dhe të mirë në jetën e tyre. Por, është shpërqendrim i madh për ata njerëz nëse janë në pozita politike dhe populli i Kosovës meriton të ketë prijës që janë të pakorruptuar dhe pa përfshirje kriminale.

Rajonipress: Kosova tani është në situatë shumë të ndjeshme: të fillojë dialogun dhe të vendosë për idenë e Thaçit për ndryshimin e kufirit apo të shkojë në zgjedhje të hershme. Cilin opsion do ta mbështesnit ju personalisht, z. ambasador? Të dyja janë thikë me dy teha. Dialogu natyrisht nuk ka kompromis, nuk ka alternativë tjetër, por..

Ambasadori: Së pari rreth dialogut: Qëndrimi i qeverisë sime është se mendojmë që dialogu është i nevojshëm për të krijuar kushte për paqe, drejtësi dhe prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj, si dhe mbështesim rifillimin e shpejtë të dialogut. Ne besojmë se qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd duhet ti qasen këtij procesi me kreativitet dhe në frymën e kompromisit. Kjo do të thotë që të dy qeveritë duhet të ndërmarrin hapa që nuk janë shumë të popullarizuar. Pra, ne mendojmë se pezullimi i përkohshëm i taksës është i nevojshëm për ta filluar sërish procesin e dialogut. Ka gjëra që do të donim që Beogradi t`i bëjë për të filluar sërish këtë proces. Por, përveç kësaj, dëshiroj të theksoj se Shtetet e Bashkuara mendojnë se negociatorët nga të dy qeveritë duhet të kenë lirinë për të vendosur për çka duan të flasin.

Prandaj, vitin e kaluar, kur ne thamë se Shtetet e Bashkuara nuk kundërshtojnë që negociatorët të flasin për rregullimin e kufirit, nuk po thoshim që në mënyrë aktive jemi në favor të rregullimit të kufirit. Po thoshim se negociatorët duhet të kenë lirinë për të folur për çka do që duan.

Sa i përket zgjedhjeve, unë flas për politikat që SHBA-ja do të dëshironte që Kosova t`i zbatonte. Kurrë nuk do të më dëgjoni duke folur për atë se kë do të dëshiroja ta shihja në qeveri, cila parti mendoj se do të duhej të formonte qeverinë, kur do të duhej të ketë zgjedhje. Kosova është demokraci. Nuk më takon mua si i huaj që të jap mendimet e mia për këto çështje. I takon popullit të Kosovës që të përdorin proceset ligjore dhe kushtetuese për të vendosur se kush duhet ta udhëheqë këtë vend. Këtu përfshihet edhe çështja kur duhet të ketë zgjedhje.

Rajonipress: Sa është e përgjegjshme qeveria Haradinaj ndaj çështjeve kapitale dhe a është treguar serioze në raport me faktorin ndërkombëtar? Haradinaj shpesh ka treguar këmbëngulje dhe nuk ka lëshuar pe edhe kur ka qenë në pyetje ndonjë kërkesë serioze e SHBA-së. P.sh. taksa.

Fundamenti

Ambasadori: Më lejoni t’ju përgjigjem kështu: mendoj se marrëdhënia afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është e qëndrueshme si guri. Askush në Kosovë nuk duhet të dyshojë që SHBA-ja është e përkushtuar ndaj suksesit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, është e natyrshme që qeveritë tona nganjëherë do të kenë mospajtime për ndonjë politikë të veçantë. Kjo nuk do të thotë që ka ndonjë krizë në marrëdhënie. Prandaj, përkitazi me taksën, qëndrimi ynë është në interes të Kosovës, e jo vetëm të Amerikës, që të pezullohet taksa dhe të rifillohet procesi. Pra, nuk pajtohemi me kryeministrin për këtë, por ka edhe politikanë të tjerë në Kosovë që gjithashtu nuk janë në favor të pezullimit të taksës, prandaj të mos e bëjmë këtë personale.

Rajonipress: A ka një fund kjo taksë?
Ambasadori: Sërish, pikëpamja jonë nuk është e ndërlikuar. Ne besojmë se Kosova duhet ta pezullojë përkohësisht taksën. Ky veprim do ta kthente Serbinë në tavolinë dhe pastaj procesi i dialogut mund të fillojë sërish. E ne shpresojmë, se kur negociatorët të fillojnë të flasin, entuziazmi në të anët do të rritet kur të dy qeveritë dhe popujt i shohin të gjitha përfitimet që mund ti sjellë normalizimi i marrëdhënieve. Dëshiroj ta theksoj sërish, ne mendojmë se rifillimi i dialogut është në interes të Kosovës, si dhe të Serbisë, por është edhe për të mirën e SHBA-së. Pra, është çështje për të cilën shqetësohemi thellësisht, dhe në këtë këndvështrim, do të thosha se është mospajtim i rëndësishëm për politika ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe administratës në Uashington. Kjo nuk do të thotë që miqësia mes dy vendeve është në rrezik, por është dallim i rëndësishëm rreth politikave. Ta them edhe një gjë rreth dialogut. Nganjëherë njerëzit pyesin: pse gjithë kjo nguti? Përse po nguteni kaq shumë, pse duhet të punojmë për këtë tash? Përgjigja ime për këtë është se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të këtij vendi, si dhe për atë që do ta konsideronim drejtësi, por do të ndihmonin në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë. dialogu nuk vazhdon, presim të shohim më pak përparim në këto fusha e kjo me të vërtetë ka ndikim në jetën e përditshme të njerëzve.

Rajonipress: A është Kosova e gatshme të hyjë në negociata me Serbinë pa u zgjidhur fati i personave të pagjetur, pa u ndëshkuar krimet serbe dhe pa ndryshuar qasja e Vuçiqit ndaj çështjes së Kosovës? E kuptojmë se tashmë ka dialog?.

Ambasadori: Mendoj se njerëzit duhet të ulen përballë palës serbe dhe të flasin për të gjitha këto çështje. Kjo është rruga për të shkuar përpara. Edhe shoqëria civile në të dy vendet mund të luajë rol në adresimin e të gjitha këtyre çështjeve sepse ato janë më të mëdha se sa qeveria. Iu takon qeverive, shoqërisë civile dhe qytetarëve për tu përpjekur për ti ndërtuar marrëdhëniet me Serbinë.

Rajonipress: T`i kthehemi korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin qendror. Në Kosovë nganjëherë e kemi këtë situatë të çoroditur kur pikërisht ata që janë të akuzuar flasin për korrupsion, e ata që janë pjesë e krimit flasin për krimin. Cila është porosia juaj për këtë kategori të politikanëve dhe deputetëve?

Ambasadori: Mendoj se ironia është e qartë dhe iu takon qytetarëve të Kosovës që të kërkojnë ndershmëri dhe lidership nga Kuvendi, qeveria dhe nga të gjithë njerëzit në pozita të pushtetit. Shumë njerëz kanë vdekur për të mundësuar demokracinë në Kosovë. Do t’ia thosha një gjë popullit të Kosovës: Mos rrini kot duke shikuar. Demokracia nuk është sport që duhet të shihet si shikues. Iu takon vetë njerëzve që ta ndërtojnë atë lloj të qeverisë që iu takon.

Rajonipress: Më 4 korrik do të bëhet përurimi i ndërtesës së re të ambasadës, një ndërtesë e bukur dhe madhështore në Prishtinë. Cila është porosia juaj për popullin e Kosovës dhe çka do të thotë kjo për juve dhe për faktin që Kosova tash e gëzon lirinë?

Ambasadori: Kështu e shohim këtë ngjarje edhe ne. Fakti që kemi ndërtuar një ambasadë të re bashkëkohore, me teknologji të lartë dhe miqësore ndaj mjedisit paraqet manifestim fizik të përkushtimit tonë ndaj Kosovës. Presim që në vitet që vijnë SHBA-ja të vazhdojë të investojë shumë në suksesin e Kosovës. Kur them investim, nuk dua të them se nuk do të ketë ndryshim përkitazi me natyrën e mbështetjes sonë ekonomike për Kosovën. Programet tona të ndihmës kanë për qëllim që të bëjnë që Kosova të mbështetet në vetvete. Presim me padurim të vazhdojmë të bashkëpunojmë me miqtë tanë në Kosovë përderisa Kosova ndërton një të ardhme me paqe, drejtësi dhe prosperitet. E kur takohem me të rinjtë si ata që i takova sot në Gjilan, jam plotësisht i bindur se populli i Kosovës mund ta farkëtojë të ardhmen e vet.

Rajonipress: Në fund, z. Ambasador, a ka shpresë që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën? Në popullatë ka shumë pakënaqësi, shumë papunësi. Është e paparamenduar se përderisa i kemi shumicën e vendeve evropiane në Kosovë, kosovarët janë të privuar nga mundësia për të udhëtuar në këto vende për çështje pune. Paksa absurde, apo jo?

Ambasadori: Shikoni, unë nuk jam zëdhënës i Bashkimit Evropian. Do të them megjithatë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se marrëdhëniet më të ngushta, qofshin ekonomike apo lidhjet e tjera, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë edhe në interes të Amerikës. Janë të mira për Kosovën, janë të mira për Evropën. Është diç e mirë për ne.

Nganjëherë njerëzit më thonë se Kosovës nuk i duhet të ketë marrëdhënie të mira me Evropën sepse ka marrëdhënie të mira me SHBA-në. Ajo përllogaritje nuk është e mirë për ne. Ne mendojmë se Kosova do të përfitojë nga marrëdhëniet e ngushta me Evropën, si dhe me Bashkimin Evropian. Por, thelbi është: Shikojeni hartën. Ju jeni në Evropë. Do të them po ashtu se gjërat që Shtetet e Bashkuara mendon se duhet ti bëjë Kosova, janë po ato gjëra që i dëgjoj kolegët evropianë duke i kërkuar, si p.sh. luftimi i korrupsionit. Krijimi i kushteve më të mira për investime për të mundësuar zhvillim ekonomik dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve të ndryshme brenda Kosovës. Kjo nuk është çështje ku duhet të zgjidhni ndërmjet hapave që do të forcojnë marrëdhëniet e juaja me Uashingtonin dhe hapave që do të forcojnë marrëdhëniet e juaja me Evropën Perëndimore.

Rajonipress: Korrupsion ka edhe në Evropë. Njerëzit janë lodhur.

Ambasadori: Është një shprehje që e dëgjojmë shumë në SHBA: “Mendoni në mënyrë, veproni në mënyrë lokale”. Të gjithë ne ballafaqohemi me të njëjtat probleme. Amerika ka shumë probleme ekonomike, sociale e politike. As ne nuk i kemi të gjitha përgjigjet. Përpiqemi të punojmë për ato probleme në vendin tonë dhe është përgjegjësi parësore e popullit të Kosovës për të punuar në zgjidhjen e problemeve këtu në Kosovë. Ne do të bëjmë krejt çka mundemi për t`i mbështetur miqtë tanë.

RajoniPress:Ju faleminderit zoti ambasador për intervistën?