Kosa e AKP-së

Pasi ia mori aksionet hotelit Grand dhe minierës se Strezovcit, Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka futur nën llupë edhe një ndërmarrje tjetër. Ajo është ndërmarrja e re AgroKsova Holding, së cilës do t’i merren aksionet nëse nuk i ka përmbushur obligimet që i ka pasur.
Ndërmarrja e re “Agrokosova Holding” shumë lehtë mund ta pësojë sikur Hoteli Grand dhe miniera e Strezovcit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpallur tender për të vlerësuar se ku qëndron kjo ndërmarrje me përmbushjen e zotimeve për investime dhe punësim. Nëse del se ka shkelje të kontratës, atëherë edhe kësaj ndërmarrjeje të privatizuar me spin-off special, Agjencia pritet t’ia marrë aksionet.
Ngjashëm Agjencia veproi me Hotelin Grand dhe minierën e Strezovcit, për shkak të mospërmbushjes se obligimeve për investime dhe punësim.
Zyrtari për media në AKP, Ylli Kaloshi thotë se Agjencia tashmë ka shpallur tender për vlerësimin e investimeve të bëra nga ndërmarrja e re “Agrokosova Holding”.
Sipas tij, kjo ndërmarrje është e privatizuar me metodën e spin-offit special dhe sipas kontratës së nënshkruar në mes Agjencisë dhe blerësit, ky i fundit ka marrë obligime për investime dhe për punësim.
“Se sa ka arritur blerësi të përmbushë obligimet kontraktuese në këtë ndërmarrje, do të dihet pasi kompania audituese/vlerësuese të bëjë raportin mbi vlerësimin e investimeve në këtë ndërmarrjeje dhe Agjencia do të marrë vendimin e duhur bazuar në të gjeturat e kompanisë audituese”, ka thënë Kaloshi.(express)