Fundamenti

Korrupsion me letra

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Enis Veliu – Klimë me aromë poleni dhe bagazh jo më të vogël se 495 litra, kanë qenë kërkesat e Policisë së Kosovës në dosjen e tenderit për furnizim me vetura patrulluese.

Në parim duket paksa banale, por në realitet kjo po del të jetë një metodë e sofistikuar e për të zgjedhur operatorin e tyre të preferuar, që në këtë rast ka qenë “Porshe Kosova”, përfaqësues i veturave të markës gjermane “Volkswagen”.

Në atë kohë u bë shumë zhurmë, procesi dështoi disa herë, por pas disa vitesh fitoi ai për të cilin u vendosën kriteret favorizuese në dosje të tenderit.

Të fortët te ne gjithmonë dalin fitues, pavarësisht procesit. Ndonëse jo me letra, por ky është standard në vendin tonë.

Përshtatja e kritereve për kompani të caktuara të lidhura ngushtë me pushtetin, apo edhe zyrtarë të korruptuar të zyrave të prokurimit kanë nxjerrë në pah “gjigantë prej letre”, e kanë lënë anash korporata të fuqishme vendore e ndërkombëtare.

Të parët po rriten bashkë me pushtetin dhe përfundojnë së bashku me ta biznesin. Ndërkaq të dytët ballafaqohen me pasoja në të shumtën e rasteve fiktive të orkestruara nga pushteti.

Ndërtimi i shumë objekteve të rëndësishme në vend iu dha kompanive me një apo edhe 2 punëtorë, për të cilat u përgatit edhe dosja e tenderit. Mirëpo, fatkeqësisht objektet e tilla edhe më tutje janë në proces të ndërtimit ndonëse ka kaluar shumë kohë dhe janë dhënë shumë para.

Eco Higjiena

Vendosja e kritereve favorizuese në shumicën e rasteve është evidentuar edhe nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), por raportet e këtij të fundit në të shumtën e rasteve përfundojnë në sirtarë të pluhurosur të institucioneve, e rrallëherë të gjykatave të Kosovës. Jo rrallëherë lënda aktivizohet me qëllime shantazhi, ndoshta në realitet mund të mos jetë ashtu, por në opinion shihet si e tillë.

Në raportet financiare të vitit 2014 për komunën e Prizrenit e cila drejtohet nga Ramadan Muja, auditori kishte gjetur që në një tender çojnë në dyshime që kriteret i janë përshtatur ndonjë kompanie të caktuar.

Në atë kohë auditori pati konstatuar se Komuna kishte blerë një veturë të përdorur duke paguar shumën 9,800 euro. Kriteret e përdorura në procedurën e prokurimit ishin në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit. Kriteret e tenderit ishin favorizuese duke përcaktuar që vetura duhet të jetë e përdorur, viti i prodhimit të jetë 2009 dhe të ketë 129,000 kilometër të kaluara. Andaj, caktimi i kritereve favorizuese përveç që paraqet shkelje të ligjit shton rrezikun e mosarritjes së vlerës për para dhe për mundësinë e mashtrimit.

Institucionet e vendit sa më shpejt që është e mundur duhet që të eliminojnë burokracitë, të eliminojnë kriteret favorizuese, dhe të krijojnë një garë transparente për të gjitha kompanitë që dëshirojnë të marrim në procese prokurimi.

Korrupsioni në Prokurimin Publik përmes kurdisjes së tenderëve, duke vendosur kritere favorizuese për kompani të caktuara edhe më tutje thuajse është i pranishëm në çdo raport ndërkombëtar të hartuar për vendin tonë, por edhe përkundër këtyre “lojtarët” edhe më tutje vazhdojnë të mbesin të njëjtë.

Përmes përshtatjes së kritereve për kompani të caktuara, zyrtarët e prokurimit në një farë mënyre po “legalizojnë” kuotën e korrupsionit, e cila në të shumtën e rasteve është kusht kryesor për të marrë tenderin.