UBT

Korrupsion, korrupsion plako gjithandej

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lumir Abdixhiku – Niveli i hajnisë i shfaqur në një rangim mbarëbotëror e kredibil do të tmerronte çdo politikan mesatar, çdo investitor potencial, çdo studiues serioz e besa dhe çdo mik të vendit tonë që megjithatë mundohet të gjejë anët e mira të ecjes sonë. Rangimi do të tmerronte bash secilin… natyrisht përveç fletorexhinjve e qatipëve tanë proqeveritarë që besoni ose jo edhe ngecjen tonë pak më mirë se Etiopia e cofur urie e pak më keq se Tanzania e bananeve e shfaqën si ultrapozitive.

Nëse për diçka do të duhej të mbahej mend kjo javë, përtej acarit të tmerrshëm, rrugëve e trotuareve të mbuluara nga akulli e bora, befasisë tanimë standarde për mot në sezon dimri, mungesës së energjisë elektrike edhe në prag të 2013-s, e “imtësive” të tjera si këto, them se vend meritor do të zinte pa dyshim dhe korrupsioni. Jo pse ai u zhbë apo u bë më shumë këtë javë; hajnia bashkëjeton me ne në plot pesëdhjetë e dy javë të vitit me intensitet e ritëm të njëjtë, por se java që lamë pas pati katër elemente të rishpërfaqjes deklarative të korrupsionit.

Derisa të premten u publikua Indeksi i Percepsionit mbi Korrupsionin nga Transparancy Internacional, që na thoshte se jemi mosvet e të mjerë, të dielën ishte dita kundër korrupsionit që koincidoi të jetë ditë pushimi sa për të simbolizuar angazhimin e Qeverisë sonë nëpër vite në relacion me zhbërjen e korrupsionit; të hënën u shpërndanë çmime gazetarëve për raportime ndaj korrupsionit si të vetmit që bëjnë diçka për të zbardhur marritë anomalike në vend, e të martën në mbrëmje u dha deklarata e konkluzioneve të BE-së e cila “sillej e pështillej” rreth nevojës për evidencë të luftës ndaj korrupsionit sa për të na rikujtuar se me pallavra e fjalime monotone për antikorrupsion mund të mashtrojmë veç veten, por assesi evropianët.

Për të filluar nga e para dhe më e rënda, pra rangimi i Indeksit të Percepsionit mbi Korrupsionin, them se ishte e dhimbshme të shihej se si Kosova ka ngecur në grupin e vendeve pak diktatoriale, pak fukara, pak haigare e shumë të mjera. Të ngujuar në vendin e 105-t, në rang të njëjtë me një shtet si Mali, për shembull, që është në gjendje puçi ushtarak e lufte civile sot, e që blihet me 4-5 kompjuterë të një politikani kosovar (paramendoni tash sa shtet serioz është bashkëranguesi ynë), në rang të njëjtë me Bolivinë, si një vend që pothuajse pafundësisht ka ngecur në paqëndrueshmëri, krim e marrëzi, apo dhe në rang të njëjtë me Gambinë e minidiktatorit Yahya Jammeh, Kosova vazhdon të bëjë turpin evropian.

Ky nivel i hajnisë i shfaqur në një rangim mbarëbotëror e kredibil do të tmerronte çdo politikan mesatar, çdo investitor potencial, çdo studiues serioz e besa dhe çdo mik të vendit tonë që megjithatë mundohet të gjejë anët e mira të ecjes sonë. Rangimi do të tmerronte çdokënd me pak ndjenjë normale të perceptimit. Do të tmerronte bash secilin… natyrisht përveç fletorexhinjve e qatipëve tanë proqeveritarë që besoni ose jo edhe gjetjen tonë pak më mirë se Etiopia e cofur urie e pak më keq se Tanzania e bananeve e shfaqën si pozitive. Jo që pres më ndryshe nga ata që edhe sharjen me nënë e konsiderojnë standard normal komunikimi, nepotizmin si praktikë e pritshme, zaptimin si output korrekt e neve anormalë se pse çuditemi. Të njëjtët nëpërmjet flijimit të vetes për tallje publike bëjnë aktin e vetëdjegies, e vetëdjegia e tyre është haku që i kanë borxh shefit për rahatimin e tyre paraprak.

Pavarësisht kësaj, për t’i vënë një dozë analize rangimit duhet kujtuar se Kosova në vitin 2010, kur edhe për herë të parë filloi të matej niveli i percepcionit të korrupsionit tek ne, ishte ranguar në vendin e 110-të, pothuajse në grup të njëjtë si me shtetet e sodit. Një vit më vonë, si për inat të Qeverisë sonë që deklarativisht kishte shpallur “tolerancë zero” ndaj korrupsionit, Kosova kishte humbur edhe dy vende të tjera në rangim duke u radhitur në vendin e 112-të. Rangimi i tanishëm në vendin e 105 në vlerë relative është përmirësim i vendndodhjes sonë në jo më shumë se pesë vende. Këtë ecje prej pesë vendesh ne e kemi bërë besoni ose jo në plot 3 vite “tolerance zero”. Kosova me këtë trend ka një ritëm prej 1.6 vendeve të përmirësuara në vit, e që i bie se për të zhbërë korrupsionin e sjellë atë në nivel mesatar evropian, diçka si Irlanda apo Qiproja (vendet 25 e 29), neve do të na duhen diku rreth 45-50 vjet. Progres se jo mahi.

Se pa luftë serioze ndaj hajnisë nuk ka as fije shprese për progresin e Kosovës, u pa edhe nga konkluzionet e ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së. Pjesa e deklaratës për Kosovën tregonte qartazi për secilin që do të sheh e dëgjojë mbarë se janë mu problemet e brendshme në shtëpi që duhet zgjidhur para çfarëdo rrugëtimi evropian. Negociatat e pakuptimta, duarshtrëngimet me minidiplomatë evropianë apo dhe sakrificat tjera në veri nuk mund të eklipsojnë asnjëherë kushtet më bazike që duhet plotësuar nga një shtet minimalisht normal, e që siç thuhen në deklaratën e konkluzioneve janë evidenca për luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar (kujdes, evidencë jo pallavra), liria e të shprehurit si dhe reforma në gjyqësor e administratë publike.

UBT

E para, kriteri i evidencës rreth luftës së korrupsionit nënkupton që BE kërkon nga ne angazhim konkret për kapjen dhe burgosjen e hajnave. Jo biçim tryeza të Qeverisë, as hajgare komisione e këshilla të Presidentes sa për tu mbledhë si në të pame, hiç se hiç fjalime monotonike e pallavra, por evidencë (lexo: burgosje, përndjekje, kapja e peshqve të mëdhenj). E dyta, kriteri i reformës në administratë publike e gjyqësor nënkupton se BE kërkon nga ne jo “rahatimin” e “një daje që m’ka metë keq” as uzurpimin e institucioneve publike nga të dëgjueshmit e partisë, militantë partiakë e gulçues të fushatave zgjedhore, por vendosjen e njerëzve profesionistë që në vend të partisë i shërbejnë shtetit. E treta, kriteri i lirisë së shprehjes nënkupton që BE kërkon nga ne jo angazhime të ahmak-deputetëve që duan ti sjellin praktikat e Koresë së Veriut në Kosovë e ndërtojnë ligje për mbylljen e gojës së mediave vetëm pse nuk i dëgjojnë aventurat e tyre të gërditshme, as vendosjen e njerëzve të porositur në komisione që i “kënaqin” mediat, por mospërzierje të plotë në të drejtën për të shprehur e menduar çfarëdo që ke në bark.

E përderisa (siç u pa edhe nga përgjimet) ne bëjmë hajgare me vizitat tona në Bruksel, pra jemi atje sa për të mos “hequr zahmet”, përderisa dostat na rrahin shpinën me fjalët se “tek’ je kallxue diplomat qitu” edhe kur nuk themi gjë, përderisa skandalet e nepotizmit na shpërthejnë e ne zgjedhim zgërdhimin e indiferencën, përderisa gjyqësori nuk guxon as të shikojë nga strukturat para-institucionale, përderisa skandalet e 1.4 milionëve haraçi bëhen aq publike por pa fije konsekuence e përderisa tallemi me milet siç dhe tallemi sot, e tëra çfarë mund të bëjmë është vetëm mashtrimi i vetvetes, ngecja e sigurt dhe eventualisht regresi; evropianët ka kohë që rruhen para nesh.

Lufta ndaj korrupsionit në çdo rrethanë normale do të duhej të ishte vullnet i vetë-moralshëm nga çdokush që pretendon të jetë i drejtë e minimalisht patriot. Por tani që na theksohet si parakusht për perspektivën e nënshkrimit të marrëveshjes evropiane (vet marrëveshja është larg) them se kosovarët dhe klasa e tyre politike nuk kanë fort zgjidhje përveç se të zëvendësojnë retorikën e integrimit evropian me rezultate që shihen. Këto rezultate nuk duhet të kërkohen tek gjykatat, të cilat do të marrin edhe disa vite para se të funksionalizohen e pastrohen mirë, e as nga misionet ndërkombëtare që thënë të drejtën sot janë më tepër misione politike sesa gjyqësore, por nga vetë burimi i korrupsionit: vetvetja.

Pra në vend se udhëheqësit tanë të bëjnë thirrjet standarde e të na tregojnë se si duken procedurat në letër e ligj, në vend se të na bëjnë rrafsh e të nxjerrin përparime edhe kur jemi në rang me vende hajgare, them se duhet të bindin veten, pranojnë problemin e më pas ta rregullojnë atë. Pas bindjes së vetes ata duhet të kuptojnë se pa prerjen e kanaleve të pasurimit të miqve të tyre, financuesve të partive të tyre e të gjithë rrjetit kriminal në vend që thanë çdo cent të parasë publike nuk do të ketë as edhe një milimetër më shumë se retorikë. Ata duhet të fillojnë nga shpërbërja e strukturës kontrolluese të prokurimit publik që menaxhon me 25% të GDP-së kosovare në vit nëpërmjet tenderëve (1 miliardë euro), nga dhënia e shembujve nëpërmjet arrestimeve serioze për korrupsion e jo të mjeranëve me nga 20-30 euro, e deri tek dridhja serioze e strukturave mafioze institucionale në vend. Lufta e korrupsionit nuk kërkon mrekulli, kërkon vetëm vullnet politik. Institucionet tona duhet të tregojnë përgjegjësi morale fillimisht kur shpërthejnë skandalet e milionave duke kërkuar dorëheqje, e më pas dhe ndjekje ligjore drakonike kur përfundojnë ato.

Kosovarët në anën tjetër duhet të shkrijnë indiferencën e tyre ndaj gjithë këtyre fenomeneve që na bënë gaz të botës e që na shpërthejnë çdo herë e më shumë e çdo herë e më rëndë; madje do të ishte e habitshme kalimi i një jave pa një aferë të rëndë korruptuese e që prapëseprapë kalon e pareflektuar thuajse nuk ndodhi fare. Qëndrimi ynë duarkryq jo vetëm që fuqizon keqpërdoruesit të cilët nga heshtja jonë dhe marrin zemër, por tregon dhe mungesë vetrespekti ndaj parasë tonë, taksave tona e në fund dhe perspektivës sonë evropiane. Për sa i takon Evropës, ne mund dhe të rrimë kështu në pafundësi; me gjithë problemet e veta që ata sot kanë, mashtrohemi po shpresuam se zgjidhjet vijnë nga jashtë. Problemet në shtëpi duhet zgjidhur vetë, në të kundërtën raportet refuzuese e rangimet trishtuese do të bëhen të zakonshme.

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.