RCCOLA

Korrigjimi i kufijve, nuk ka alternativë!

/ 4 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Ata që marrin erë nga politike e dinë shumë mirë se pa dialog, nuk ka zgjidhje të problemeve. Mirëpo, te ne shqiptarët dialogu, nuk merret me seriozitet, prandaj edhe nga kjo betejë, shpeshherë dalim të skuqur dhe të koritur.

Alternativa

Ideatorët e opsionit për korrigjimin e kufijve, kanë pasur parasysh procesion e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e një politikë të volitshme për integrime në Bashkimin Evropian.

Çdo opsion tjetër si ai se Serbia duhet ta njoh Kosovën në kufijtë ekzistues, është i prapambetur, naiv dhe absurd. Ky opsion i kësaj natyre politike njihet që herët, por që nuk ka dhënë rezultate të dukshme.

Gjithë ata që në njëfarë mënyre e kanë keqinterpretuar idenë e korrigjimin e kufijve, ose kanë qenë të manipuluar, ose nga naiviteti janë futur në një qorrsokak politik dhe në një kolaps ekonomik.

Nuk ka zgjidhje afatgjate, të qëndrueshme dhe parimore, pa korrigjim të kufijve! Me këto opsionet e tjera janë lodhur, së pari miqtë amerikan dhe të tjerët jo më pa ndikim në jetësimin e dialogut, si një proces i domosdoshëm, madje shumë të rëndësishëm të vendosjes në binarë të problemit Prishtinë-Beograd, kuptohet edhe për zgjidhjen fatlume të kësaj çështje nga më të ndjeshmet në Ballkan, Evropë dhe botë.

Dialogu

Ata që marrin erë nga politike e dinë shumë mirë se pa dialog, nuk ka zgjidhje të problemeve. Mirëpo, te ne shqiptarët dialogu, nuk merret me seriozitet, prandaj edhe nga kjo betejë, shpeshherë dalim të skuqur dhe të koritur.

Dialogu si proces i rëndësishëm shoqëror dhe politik, nuk duhet të eci vetëm në një binar, ngase kompozicionet e tij mund të dalin nga “kolloseku”!

UBT

Nuk ftohen në dialog kokat e nxehta, për të nxitur debate pa fund, por ato të kthjellëta për t’i shtruar problemet mbarë e mirë me një qasje parimore, pragmatike dhe përgjegjëse. Serbisë nuk i bëhet vonë, nëse bisedimet zvarriten dhe stërgjatën deri në pafundësi. Koha është duke punuar për Beogradin, i cili veriun e Kosovës e ka mbipopulluar me elementin etnik serb, kurse në Luginë të Preshevës, ka krijuar një Medvegjë të dytë, ku shqiptarët në heshtje po i zbrazin trojet e tyre etnike.

Në këtë drejtim, përgjegjësia bie më shumë te politikanë lokal të Luginës, të cilët në vend se të merren me probleme lokale, ato harxhojnë energji duke u argëtuar me probleme globale.

Perspektiva

Perspektiva amerikane dhe evropiane e Kosovës, varet nga proceset dialoguese, të cilat nuk duhet bllokuar dhe stërgjatur shumë. A nuk e kemi një përvojë të hidhur nga bisedimet e mëhershme, të cilat edhe bllokuan këtë proces, duke iu marrë se çka është më mirë në këtë fazë korrigjimi i kufijve, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, apo ndarja e Kosovës për të përfituar Jugun e Serbisë: Luginën e Preshevës.

Në popull thuhet: “Fjalët e shumta fukarrallëk”! U krijua shumë zhurmë për opsionet, të cilat ktheheshin nga e para, duke lënë mënjanë si ato: “Maja e Çakorrit”, “Trepça”, “Ujmani” dhe “Korridori 10” Në Luginë të Preshevës.

Këto projekte me karakter ndërkombëtar, për të cilat tani askush nuk flet, ka përgjumur politikanë kosovarë dhe një pjesë të atyre në Luginë të cilët e kanë humbur “rrugën në oborr”, duke u arsyetuar se fajet i ka Pandemia dhe varfëria ekstreme.

Shqiptarët e sidomos klasa e saj politike, duhet ta kenë të qartë se nuk ka perspektivë tjetër vec asaj të korrigjimit të kufijve, për t’i dhënë fund odisejadës së bisedimeve, për një zgjidhje afatgjate, të qëndrueshme dhe përgjegjëse të çështjes së shqiptarëve dhe serbëve në republikat ekzistuese, duke praktikuar paqen, stabilitetin, tolerancën dhe mirëkuptimin ndërshtetëror e ndërkufitar.

Korrigjimi i kufijve, një ditë do të vijë patjetër, sa më shpejt aq më mirë!