Mobi Casa

Korporata Energjetike e Korrupsionit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Shpërthimi i fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku humbën jetën dy persona, i cili dyshohet se ka ardhur si pasojë e pajisjeve të dobëta, që janë instaluar aty para gjashtë muajsh nga një kompani italiane, tregon qartë se korrupsioni është i pranishëm aty.

Hetimet për këtë rast defakto kanë nisur kohë më parë. Por, deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, edhe pse para pak ditësh një Komision Vlerësuar ka hartuar një raport 90 faqesh, i cili saktëson se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një defekti të pajisjes së montuar pak kohë më parë, e cila KEK-ut i ka kushtuar rreth 130 mijë euro.

Përpos dëmeve në njerëz, objekte të KEK-ut, por edhe shtëpi të qytetarëve që ndodhën përreth, eksplodimi thuajse ka sjellë në kolaps edhe sistemin energjetik të Kosovës, ku në pikë të verës KEDS-i po aplikon një regjim të ashpër të reduktimeve. Situata në Prishtinë është pak më e mirë. E në komuna më të vogla ajo është alarmante.

Tri orë me rrymë e tri orë pa të.
Kryerja e punimeve shkel e shko, thuajse është bërë standard në kompaninë më të madhe publike në vend.

Më shumë se një miliard euro janë shpenzuar në KEK përmes proceseve të Prokurimit, por, përkundër kësaj sistemi elektro-energjetik është në gjendje të rëndë. Si për çudi, deri më tani nuk kemi qoftë një person të akuzuar për korrupsion, edhe pse është folur dhe dyshuar shumë.

Ky fakt tregon shumë qartë se grupe të mëdha interesi gjithmonë kanë qenë të kyçura dhe kanë përfituar shuma marramendëse parash.

Proceset e mëdha të Prokurimit në këtë kompani publike gjithmonë kanë lënë dyshime për abuzime dhe korrupsion, por identifikimi i tyre kurrë nuk ka ndodhur.

FIDANISHTJA

Disa herë për tenderë të ndryshëm janë nisur hetimet. Por, siç është bërë zakon ato gjithmonë janë mbyllur në mungesë të fakteve, apo kanë mbetur të hapura me vite.

Sipas një hulumtimi të bërë nga gazeta “Zëri” shihet qartë se nga viti 2001 e deri në vitin 2012, KEK-u për derivate e lëndë djegëse ka shpenzuar hiç më pak se 458 milionë euro, pa përfshirë këtu qindra remonte të planifikuara e të paplanifikuara. Vetëm në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjenden të botuara më shumë se 3500 njoftime për dhënie të kontratave, por edhe aq të tjera, ndoshta edhe më shumë nuk gjenden fare në këtë uebfaqe.

Kompanitë publike e në veçanti KEK-u ka shërbyer dhe po iu shërben individëve, por edhe grupeve të caktuara për të përfituar miliona, apo edhe dhjetëra miliona euro. Tenderët më të mëdhenj në KEK i kanë fituar kompanitë e caktuara që direkt, apo indirekt janë të lidhur me njerëz të politikës.

Ndërkaq, kompanitë e përgjegjshme, pa lidhje politike, vetëm se janë bërë numër sa për ta bërë të vlefshme procesin e Prokurimit.

Policia për Krime Ekonomike, por edhe Prokuroria e Kosovës duhet të trokasin në dyer të Korporatës Energjetike të Kosovës, sepse këtu kanë shumë punë për të bërë. Ndalja e korrupsionit dhe e abuzimeve është mundësia e vetme për ringjalljen e Korporatës, e cila ka gllabëruar më shumë se 1 miliard euro para të buxhetit të shtetit.

Në të kundërtën, viti do të përballet me një kolaps energjetik. Parat nuk po i hanë remontet, por individët e grupet e caktuara.