KKGJILAN

Korab Rashiti: “SVP/UDC nuk është kundër shqiptarëve, përkundrazi”

/ 14 minuta lexim

“Fakti që unë jam shqiptar nga Kosova dhe jam zgjedhur kandidat i SVP/UDC-së për deputet në Parlamentin Kantonal të Bernës me votim unanim dhe me duartrokitje të mëdha është shumë domethënës”, thotë Korab Rashiti

Tuesday, 8 March 2022 – 17:00B.SH.
“Natyrisht që e kam pasur parasysh këtë aspekt (të identifikimit që i bëhet SVP-së si parti kundër të huajve, v.j.) dhe mund të them se kjo ka qenë një arsye më tepër që jam anëtarësuar në SVP/UDC. Kam dashur të sfidohem me këto pikëpamje të cilat në fakt nuk janë pjesë e programit të SVP/UDC-së”, thotë në intervistën për albinfo.ch, Korab Rashiti, kandidat i kësaj partie në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të Bernës, që mbahen më 27 mars.

Ai flet po ashtu për vlerat që e identifikojnë atë si politikan me rrënjë shqiptare me SVP-në, për prioritetet që do t`i ndjekë nëse zgjidhet deputet etj.

Albinfo.ch: Ju keni shpallur kandidaturën për zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të Bernës që mbahen më 27 mars. Cila është rruga juaj e deritashme politike: A është kjo hera e parë që merrni pjesë si kandidat për zgjedhje?

Korab Rashiti: Fillimisht e përgëzoj Albinfo.ch për punën e mirë dhe profesionale që po bën në informimin e opinionit në Zvicër dhe përgjithësisht në botën shqiptare! Në mënyrë të veçantë ju përshëndes dhe ju falënderoj për interesimin që keni treguar lidhur me angazhimin politik dhe kandidimin tim për deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës.

Sa i përket angazhimit tim politik, mund të them se unë jam rritur në politikë, meqenëse familja ime që nga viti 1981 ka qenë e angazhuar totalisht në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë.

Tani pas çlirimit të Kosovës, kam vërejtur se unë mund të jap kontribut në afirmimin e vlerave kulturore, politike dhe sidomos në integrimin e mirë të shqiptarëve në shtetin helvetik. Kjo më ka shtyrë që para dy vitesh të angazhohem në SVP/UDC. Kjo është kandidatura ime e parë për deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës.

Albinfo.ch: Partia që keni zgjedhur për ta përfaqësuar, siç e dini, ka një histori “disi problematike”, të përsëritur disa herë, me të huajt dhe veçanërisht me shqiptarët në Zvicër. E keni pasur parasysh këtë dhe në përgjithësi, cili është mendimi juaj për këtë aspekt të SVP-së në raport me komunitetin tonë?

Korab Rashiti: Natyrisht që e kam pasur parasysh këtë aspekt politik dhe mund të them se kjo ka qenë një arsye më tepër që jam anëtarësuar në SVP/UDC. Kam dashur të sfidohem me këto pikëpamje të cilat në fakt nuk janë pjesë e programit të SVP/UDC-së. Kur kam hyrë brenda SVP/UDC, në asnjë rast nuk kam vërejtur një disponim të tillë, kundër të huajve dhe për më tepër kundër shqiptarëve. Ata zëra që janë dëgjuar ndonjëherë janë pjesë e propagandës gjatë fushatave elektorale që kanë ardhur nga kampi socialist. Fakti që unë jam shqiptar nga Kosova dhe jam zgjedhur kandidat për deputet në Parlamentin Kantonal të Bernës me votim unanim dhe me duartrokitje të mëdha është shumë domethënës dhe hedhë poshtë të gjitha pretendimet e oponentëve politikë.

Se vërtet SVP/UDC nuk është kundër komuniteteve të huaja e rrjedhimisht as kundër shqiptarëve po sjell para lexuesit shqiptar momentin, kur u propozova si kandidat: Dola në podium, krenar që kam origjinë shqiptare dhe u prezantova: Unë jam Korab Rashiti me shtetësi zvicerane, por me origjinë shqiptare nga Kosova. Jam djalë i prindërve shqiptarë nga Kosova të cilët kanë qenë të përndjekur nga regjimi i Millosheviqit dhe kanë gjetur strehim në tokën e bekuar të Zvicrës. Prandaj jam krenar që kam origjinë shqiptare dhe shtetësi nga Kosova dhe njëkohësisht jam shtetas i Zvicrës, ku kam lindur, jam rritur, jam shkolluar dhe kam gjetur të gjitha mundësitë për një jetë normale. Kjo e hedh poshtë propagandën që ka për qëllim të hedhë mjegull në mes dy vendeve dhe dy popujve. Zvicra dhe populli zviceran janë të njohur për strehimin e mijëra azilkërkuesve shqiptarë, ndihmat e shumta humanitare dhe strehimin e shqiptarëve në kohën e luftës. Nëse eventualisht SVP/UDC kërkon të respektohen ligjet dhe rendi, kjo nuk domethënë në asnjë mënyrë se SVP/UDC është kundër këtij apo ati komuniteti. Në kuadër të takimeve dhe mbledhjeve partiake asnjëherë nuk debatohet për komunitete të veçanta që jetojnë në Zvicër.

Rasti më i freskët që e dëshmon këtë është komunikata e SVP/UDC kundër zërave se gjoja kosovarët pas kthimit nga pushimet në Kosovë në gushtin e vitit 2021 e sollën virusin Corona. Kjo u demantua si e pavërtetë e madhe pikërisht nga ana SVP/UDC.

Albinfo.ch: Përse duhet t`jua japë votën një shtetas zviceran me prejardhje të huaj, gjegjësisht një shtetas zviceran me prejardhje shqiptare?

Korab Rashiti: Duhet të votohem sepse unë mbroj vlerat liberale. Vlera liberale janë liria dhe neutraliteti. Unë mendoj që sa më pak të ketë shtet që ndërhyn në jetën e njerëzve, aq më shumë do të ketë iniciativa qytetare dhe aq më tepër do të ketë zhvillim ekonomik. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se suksesi i Zvicrës nuk është shteti, por iniciativat e ndërmarra private që kanë arritur një zhvillim dhe prosperitet të gjithanshëm në shoqërinë zvicerane. Po ashtu duhet kuptuar se në retrospektivë historike shtetet me ide socialiste kanë sjellë varfëri, kriza ekonomike dhe politike, deri te krijimi i diktaturave që kanë përfunduar me luftë qytetare apo ndërmjet shteteve të ndryshme. Margaret Thatcher do të thoshte se “Socializmi zgjatë vetëm derisa të përfundojnë paratë e të tjerëve…”

Unë si kandidat i një partie me orientim liberal, do të përfaqësoj këto vlera, ndaj jam i sigurt që do të votohem nga të gjithë qytetarët, përshirë këtu edhe komunitetin e origjinës time.

Albinfo.ch: Tani, një pyetje që nuk lidhet me qëndrimin e partisë suaj ndaj të huajve dhe shqiptarëve. Çfarë ju ka tërhequr te SVP/UDC-ja, cilat vlera i përfaqëson ajo, me të cilat edhe ju identifikoheni si politikan?

Korab Rashiti: Një kohë të gjatë i kam përcjellë të gjitha zhvillimet politike dhe kam vërejtur sidomos te partitë e majta një lloj demagogjie, duke u thirrur sidomos në vlera humanitare. Por populli shqiptar e ka një thënie të mirë: “Nga e thëna në të bërë është një lum i tërë”. Fatkeqësisht aty ku bëhet zhurmë shumë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të civilizimeve, ka edhe shumë demagogji për arsye të ndryshme. Thjesht nuk kam dashur të fshihem pas kësaj demagogjie dhe këtij petku politik. Pa shkuar gjatë në histori, mund të them se idetë e majta mund të mbijetojnë vetëm përmes një propagande shterpe. Më konkretisht idetë socialiste janë vetëm si një pemë e bukur në dukje, por që nuk bën frute asnjëherë. Shembuj konkretë ka sa të duash në Zvicër dhe kjo mund të vërehet në komunat e udhëhequra prej socialistëve.

Korabi, me ministrin federal, ish-presidentin e Federatës, Guy Parmellin

Albinfo.ch: Edhe kur nuk ka të bëjë me të huajt, SVP ka një qëndrim që shpesh dallon nga të gjitha partitë e tjera. Në cilat pika dallon dhe përse, sipas mendimit tuaj

Korab Rashiti: Është krejt normale që partitë dallojnë me njëra tjetrën përmes programeve dhe ideologjisë që përfaqësojnë. UDC është parti liberale. SVP/UDC kërkon sa më shumë mbrojtjen e pronës private, sa më pak ndërhyrje të shtetit në jetën dhe pronën private. Sa më shumë drejtësi për të gjithë. Sa më shumë tregti të lirë pa pengesa shtetërore që domethënë sa më shumë liri, iniciativë qytetare dhe punësim për të gjithë.

Albinfo.ch: Sa kohë ka që jeni në këtë parti?

Uji Dea

Korab Rashiti: Në SVP/ UDC jam anëtarësuar para dy vitesh. Gjatë kësaj kohe më kanë zgjedhur në organet më të larta të partisë në regjionin e Biel/Bienne-Seeland. Aktualisht jam anëtar i Komitetit të rrethit dhe së fundmi jam zgjedhur kryetar i partisë për tri komuna në Seeland.

Albinfo.ch: Duke qenë se ju jeni me prejardhje të huaj, cila ka qenë pritja në strukturat e partisë? A keni hasur në ndonjë rezistencë, mosbesim ose ndonjë rezervë ndaj jush në këtë drejtim?

Korab Rashiti: Në asnjë rast nuk kam vërejtur qëllime apo prapaskena të kësaj natyre. Aty kam gjetur një përkrahje të madhe që nga ditët e para. Idetë dhe objektivat e mia janë përkrahur pothuaj nga të gjithë anëtarët dhe në saje të kësaj përkrahjeje kam arritur të jem kandidat për deputet në Parlamentin Kantonal të Bernës.

Albinfo.ch: Cilat janë prioritetet tuaja që do t`i ndiqni nëse do të zgjidheni deputet në Kantonin e Bernës?

Korab Rashiti: Sa u përket politikave kantonale, objektivi im kryesor është zbritja e tatimit sepse kantoni i Bernës është ndër kantonet që kanë taksat më të larta fiskale. Një tjetër objektiv imi me rëndësi është decentralizimi sa më i madh i institucioneve komunale dhe kantonale. Në këtë mënyrë do të lehtësohet shumë më tepër kryerja e detyrave komunale dhe kantonale. Aktualisht kemi një administratë të ngarkuar së tepërmi. Do të kemi punë më kualitative dhe një kompetencë më të lartë profesionale.

Nëse zgjidhem Deputet Kantonal do të angazhohem për një kuadër ligjor që garanton ekonomi atraktive dhe inovacion. Kjo do të ndikonte së tepërmi në hapjen e një perspektive për themelimin e ndërmarrjeve të reja dhe punësimin sa më të madh të rinjve me profile të ndryshme profesionale.

Sa i përket interesimit dhe angazhimit tim konkret rreth komuniteteve të huaja dhe sidomos rreth komunitetit shqiptar në Zvicër, prioritetet e mia janë të shumta: Ka kohë që jam duke debatuar për krijimin e një Grupi Parlamentar për Kosovën (GPK). Mendoj se ky Grup Parlamentar do të lobonte për lidhje më të forta institucionale në mes Zvicrës dhe Kosovës. Një prioritet tjetër imi është afrimi, bashkëpunimi dhe binjakëzimi në mes komunës së Bernës dhe komunës së Prishtinës. Gjithashtu do të punoj që ky binjakëzim të ndodhë edhe me komunat tjera të Kantonit të Bernës dhe të Kosovës.

Mendoj që organizimi i shkollës shqipe në Kantonin e Bernës duhet të kalojë përmes institucioneve përkatëse kantonale dhe komunale, ndaj jam duke punuar shumë në informimin e opinionit. Do të jem aktiv në shtypin dhe televizionin e Bernës për afirmimin e mundësive reale për një bashkëpunim sa më të madh në mes komuniteteve të ndryshme, pavarësisht origjinës së tyre. Do të përpiqem me fakte dhe argumente t’i prezentoi vlerat më të larta tradicionale, kulturore dhe sportive të komunitetit shqiptar. Një prioritet tjetër imi është që të punoj sa më shumë për krijimin e hapësirave në mjetet e informacionit në kuadër të Kantonit dhe më gjerë për komunitetin shqiptar; lidhjet e tij me të gjitha asociacionet që veprojnë në kuadër të kantonit me qëllim të bashkëpunimit dhe këmbimit të përvojave dhe vlerave kulturore ndërmjet popujve të ndryshëm. Mund të them se komuniteti shqiptar do ta ketë një zë të fuqishëm në mbrojtje dhe avancim të pozitës së tij në kuadër të institucioneve përkatëse. Vetëm duke u futur brenda çdo institucioni, vetëm duke bashkëpunuar me njëri tjetrin, mund të radhitemi aty ku e kemi vendin dhe gjithsesi mund të hidhet poshtë çdo dezinformatë. Kjo nuk mund të bëhet assesi duke qëndruar në distancë. Ky ka qenë një motiv i fortë imi që të anëtarësohem në këtë parti.

Albinfo.ch: Si i shihni shanset për t’u zgjedhur? Gjegjësisht në çfarë numri të listës ju ka zgjedhur partia dhe si duket konkurrenca (edhe nga partitë e tjera) në komunën ku votohet për ju ?

Korab Rashiti: Fillimisht nuk kam menduar se brenda kësaj kohe të shkurtër nuk kam gjasa të kandidohem. Me kalimin e kohës kam vërejtur se idetë dhe iniciativat e mia kanë ardhur duke gjetur mirëkuptimin e qytetarëve të Biel/Biennit-Seeland. Unë mendoj se kam arritur ta shtrij ndikimin tim jashtëzakonisht shumë, falë kontakteve dhe sidomos përmes rrjeteve sociale, shtypit dhe televizionit lokal. Nëse arrij të zgjidhem, kjo do të jetë një fitore e madhe për të gjithë qytetarët dhe votuesit e qytetit Biel/Bienne me rrethinë, veçmas për komunitetet e shumta që jetojnë dhe ndajnë vlera të përbashkëta në këtë qytet.

Jam i bindur se do të fitoj nëse shtetasit zviceranë me origjinë të huaj votojnë me masivitet. Kjo do të ishte një fitore e madhe përballë një konkurrence të madhe dhe kualitative në regjionin tonë.

Albinfo.ch: A keni ambicie për më tutje, fjala vjen për pjesëmarrje në zgjedhjet federale ose për përfshirje në ekzekutiv të komunës apo kantonit?

Korab Rashiti: Unë nuk mendoj asnjëherë të jetoj nga politika. Qëllimi i angazhimit tim në politikë, që më merr kohë nga shumë angazhime tjera familjare dhe profesionale, ka qenë dhe mbetet, thjesht, avancimi dhe përfaqësimi i komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane. Unë mendoj që komuniteti shqiptar ka potencial të madh intelektual, profesional, kulturor e sportiv që të rangohet aty ku e ka vendin dhe assesi të mbetet i mbyllur brenda vetvetes.

Nëse do të konkurroj në zgjedhjet federale 2023 mbetet të shihet në të ardhmen. Sa i përket përfshirjes në ekzekutiv të komunës gjasat i kam shumë të mëdha, ndaj mendoj që duhet të shfrytëzohen maksimalisht.

Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët dhe sidomos shtetasit me origjinë shqiptare që jetojnë në Biel/Bienne dhe rrethinë që me datën 27 mars 2022, të marrin pjesë në votime dhe ta votojnë listën me numrin 3 Korab Rashiti 2x 03.18.2.

Pak biografi

Korab Rashiti, i lindur me 05 korrik 1986 në qytetin Morges, Kantoni Vaud, Zvicër, në vitin 1987, bashkë me familjen është vendosur në Biel/Bienne të Kantonit të Bernës. Në këtë qytet ka kryer shkollën fillore dhe të mesme dhe më vonë e ka kryer MBA (Master Business Administration). Pastaj një vit ka qëndruar në SHBA për studime ekonomike. Aktualisht është anëtar i institutit Mises (Të Shkollës Ekonomike Austriane).

Korab Rashiti flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, frënge, gjermane, angleze dhe pak a shumë edhe atë italiane. Aktualisht kryen detyrën e shefit Specialist i Sigurisë dhe Kualitetit në SBB/CFF në Bernë.

Korab Rashiti: “SVP/UDC nuk është kundër shqiptarëve, përkundrazi”