Konventa për dhunën, kush rreh gratë do t’i paguajë

Tiranë – Dhunuesit duhet të dëmshpërblejnë viktimat e tyre në vlerë monetare. Konventa Kundër Dhunës, e cila kaloi ditën e djeshme në Komisionin e Çështjeve Sociale, parashikon që përveç procesit penal, ndaj dhunuesve të hapet edhe proces civil për të dëmshpërblyer viktimat e dhunës së tyre.
Në rastet kur dhunuesi rezulton se nuk ka të ardhura, ato do t`i mbulojë shteti. Kjo e fundit është deklaruar nga deputetja Filloreta Kodra gjatë diskutimeve në komision. Ndërkohë që deputetë të opozitës por edhe përfaqësues të shoqërisë civile e shikojnë me skepticitet këtë gjë. Sipas kryetares së shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare”, Sevim Arbana, dhunuesit në vendin tonë nuk marrin dënimin e duhur, dhe veç asaj gratë që dhunohen nuk mbrohen nga shteti. Kjo sipas saj vërtetohet nga femrat që janë vrarë këto muajt e fundit, të cilat kanë qenë të gjitha me urdhër mbrojtjeje.
Konventa
Gjatë prezantimit të projektligjit për Ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës, për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ministri Ksera u shpreh se pushteti vendor duhet të planifikojë një buxhet të veçantë për të mbuluar shumë shërbime për viktimat e dhunës në familje. Kjo çështje pati reagime nga ana e komisionerëve të opozitës, të cilët thanë se realizimin e kësaj pike në praktikë e shohin me skepticizëm, pasi pushteti vendor i ka fondet të kufizuara. “Jam pak skeptike për rolin e pushtetit vendor, për faktin se ata kanë vetëm pak fonde ose aspak për shërbimet speciale, pak ose aspak kapacitete për të trajtuar problemin dhe shërbimet sociale në përgjithësi”, – deklaroi deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni. Ndërsa ministri Spiro Ksera, në lidhje me këtë çështje u bëri apel vendorëve duke kërkuar që këta të fundit të përcaktojnë një fond për këtë problem social. “Ju kërkoj të na ndihmoni në këtë fushatë sensibilizimi për të arritur që buxhetimi social të bëhet, minimal si fillim, por të arrihet të realizohet”, – tha Ksera.
Dhuna
Sevim Arbana, drejtuesja e shoqatës “Në dobi të gruas” e pyetur nga Gazeta për diskutimet që janë bërë, për ratifikimin e Konventës Kundër Dhunës dhe sidomos kompensimin e grave që rrihen nga burrat, e konsideron të parealizueshme. “Në vendin tonë ligjet janë të mira. Jo vetëm konventa kundër dhunës, por edhe Kodi Penal e parashikon se abuzuesi duhet të ikë nga shtëpia dhe të paguajë detyrimet ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes, por një gjë e tillë nuk ndodh. Ndaj jam shumë skeptike se do ndodhë e njëjta gjë edhe me këtë që parashikohet në konventë. Për mendimin tim kjo nuk është diçka e pamundur, por është situata në vendin tonë, mungesa e dëshirës për të bërë që gjërat të funksionojnë si duhet, ajo që sjell edhe moszbatimin e ligjit. Si ka ndodhur haptazi këto muajt e fundit, ku të gjitha gratë e vrara kanë qenë me urdhër mbrojtës”, – ka deklaruar Sevim Arbana. Sipas saj shumë ligje në vendin tonë janë vetëm për formalizëm, pasi në realitet nuk gjejnë zbatim. “Ligji aktual shprehet qartazi, se dhunuesi duhet të largohet nga shtëpia dhe të mbulojë shpenzimet për fëmijët, gjë që në realitet nuk zbatohet.
Ndaj këto diskutime më duken si përralla me mbret. Që gjendja në vendin tonë të ndryshojë duhet që dhunuesi të marri dënim ekstrem, dënime më të rënda. Kjo nuk vlen vetëm për dhunën ndaj grave, por për çdo kategori kriminelësh; sidomos ata që marrin jetë njerëzish duhet të kenë dënime më të larta dhe veç asaj edhe të punojnë. Pasi sot për sot të burgosurit në Shqipëri vegjetojnë në kurriz të taksapaguesve, pasi një ditë për një të burgosur na kushton 5 mijë lekë. Jam e mendimit që kjo kategori të burgosurish të punojnë dhe paratë që ata do fitojnë t’u shkojnë familjeve që ata kanë dëmtuar”, – ka sqaruar Sevim Arbana.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)