Kontributi i patriotëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës në librin e Ramiz Abdylit

Vepra e Prof. dr. Ramiz Abdylit “Trojet Lindore Shqiptare në Kryengritjen e Përgjithshme (1912)”, është e një rëndësie të veçantë, sidomos për faktin se ai jep një pasqyrë të plotë të zhvillimit të Kryengritjes në këtë pjesë të trojeve etnike ku vend të merituar ten edhe roli dhe angazhimi i shqiptarëve nga Kosova Lindore (Presheva , Bujanoci dhe Medvegja) në çlirim kombëtar nga okupatorët, transmeton “Presheva jonë”.
Profesor Ramizi, ka shtjelluar deri në detajet më të imta, si askush deri më sot, gjithë zhvillimin e Kryengritjes më të rëndësishme të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Me një stil të kuptueshëm dhe të rrjedhshëm pasqyron gjithë zhvillimin e saj. Mënyra e strukturimit dhe e hartimit të veprës në fjalë, stili i përshtatshëm dhe gjuha e pastër që përdor autori, rrisin edhe më tepër vlerat e saj.
Kryengritësit e grumbulluar në Gjakovë, rreth 10.000-12.000 mijë veta, përfshirë edhe ushtarë e oficerë të garnizonit të atij qyteti, me B. Currin, Riza Kryeziun, Ahmet Beun dhe Bajram Daklanin në krye, iu drejtuan Prizrenit. Mytesarifi i atij qyteti urdhëroi ushtrinë të dilte jashtë tij, për të penguar hyrjen e kryengritësve, por ushtria e kundërshtoi urdhrin e komandantit të saj. Shumica e oficerëve në garnizonin e Prizrenit shfaqën sheshazi simpatinë ndaj kryengritësve shqiptarë. Kjo ndikoi që kryengritësve t’iu bashkoheshin shumë qytetarë të Prizrenit, ndërsa mytesarifi i atij qyteti, Hasan Tosuni në përpjekje për t’u arratisur, u arrestua nga kryengritësit e Mehmet Pashë Derallës, në rrugë për në Shkup. Kryengritja po merrte përpjesëtime të gjera.
Më 18 korrik, kryengritësit e rajonit të Dukagjinit iu drejtuan Rrafshit të Kosovës, duke pasur objektiv çlirimin e Prishtinës. Atë qytet e mësynë edhe kryengritësit e viseve të tjera të Vilajetit të Kosovës: rreth 4.000 veta të Prizrenit me Jahja Efendiun dhe Musa Shehzaden në krye; 6.000 veta nga Kazaja e Pejës dhe Drenica nën udhëheqjen e Mulla Rifatit: 4.000 të tjerë nga Nahija e Llapit, nën udhëheqjen e Xhemalj Beut dhe të Iljaz Agës. Një grup tjetër i kryengritësve të Kazasë së Shkupit dhe të Kumanovës prej 2.500 vetash, nën udhëheqjen e Sait Idriz Hoxhës, 1.500 kryengritës të Pollogut, të udhëhequr nga Mehmet Deralla, si dhe 2.000 të tjerë të Kazasë së Gjilanit, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, kishin objektiv të zinin Grykën e Kaçanikut për të mundësuar më pas marshimin pa pengesa drejt Shkupit.
Udhëheqësi i kryengritjes, Hasan Prishtina, me bashkëpunëtorët e tij, më 21 korrik çliruan Prishtinën dhe vunë nën kontroll me sukses qytetin. Me anë të shpalljeve publike bëhej e ditur se do të ndëshkohej rreptë çdo shkelje e rendit. Sipas një diplomati të huaj, Hasan Prishtina i njoftoi deputetët shqiptarë në Stamboll me anë të telegrafit se ishte çliruar Prishtina, se në viset e çliruara ishte vënë “pushteti shqiptar” dhe se së shpejti do të konstituohej parlamenti shqiptar, sepse “shqiptarët më nuk i besojnë Stambollit”.
Përpjekjet për dërgimin e forcave të reja në Prishtinë nga Shkupi nuk dhanë rezultate, sepse një pjesë e ushtarëve refuzonte të luftonte kundër kryengritësve. Në Shkup u shfaq gatishmëria ndër shqiptarët e atij qyteti: po që se do të vazhdonte dërgimi i forcave të reja nga Stambolli, “qyteti do të mësyhej nga të gjithë shqiptarët e Vilajetit”.
Njëherazi, shqiptarët e Shkupit paralajmëruan se po përgatisnin një miting për të kërkuar shpërndarjen e parlamentit. Ndërkaq, në ceremoninë e përvjetorit të Revolucionit të korrikut (1908), që u organizua në atë qytet, nuk morën pjesë fare shqiptarët. Ata, sikurse edhe “bullgarët” e qytetit, nuk ngritën flamujt osmanë në shtëpitë e tyre, siç bëhej më parë në ato raste. Më 23 korrik u zhvillua një përleshje midis kryengritësve të Shkupit, Gjilanit dhe të Tetovës, me forcat osmane të vendosura pranë Grykës së Kaçanikut. Këto të fundit pësuan disfatë; ushtarët e zënë robër, pasi u çarmatosën u lanë të lirë.
Në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 1912, kryengritja njohu një shtrirje të gjerë në anën e Preshevës e të Kumanovës. Vazhdoi arratisja e oficerëve shqiptarë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ndonëse kundër tyre po ndërmerreshin masa arrestimi, ajo nuk po jepte rezultat. Më shumë se gjysma e xhandarëve shqiptarë të Bujanocit dhe të Preshevës dezertuan dhe iu bashkuan kryengritësve. Në atë kohë u arratisën 60 ushtarë shqiptarë nga garnizoni i Kumanovës, me Shukri Efendiun në krye. Bashkimi i tyre me kryengritësit pati jehonë në Trojet Verindore.
Drejtues të kryengritjes së Kazasë së Shkupit, Kumanovës e të Preshevës, si: Hasan Kadri Presheva, Ahmet bej Kumanova, Ahmet Bej Topalli, Sheh Strima, Dan Çarri e të tjerë, më 24 korrik 1912, organizuan një kuvend të parisë së atyre trevave në fshatin Izvor, në Karadakun e Kumanovës. Në kuvend u arrit marrëveshja, që gjithë shqiptarët e atyre trevave t’i bashkoheshin kryengritësve. Kjo bëri që të grumbulloheshin mbi 2.000 kryengritës të atyre kazave, si dhe nga treva e Gjilanit pranë Manastirit të Meteçit, në Perëndim të Kumanovës. Aty pritej urdhri i drejtuesve të kryengritjes të Kazasë së Gjilanit, që të mësyhej Kumanova. Ndërkohë, shqiptarët e Preshevës shtinë në dorë klubin e Turqve të Rinj në atë qytet. Atëkohë vazhdoi arratisja e oficerëve shqiptarë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ndonëse kundër tyre po ndërmerreshin masa arrestimi, ajo nuk po jepte rezultat. Më shumë se gjysma e xhandarëve shqiptarë të Bujanocit e të Preshevës dezertuan dhe iu bashkuan kryengritësve. Si rrjedhojë e dezertimit të xhandarëve shqiptarë, Kazaja e Kumanovës mbeti fare pa xhandarë. Në atë kohë u arratisën 60 ushtarë nga garnizoni i Kumanovës, të cilët me Shukri Efendiun në krye iu bashkuan kryengritësve.
Në vazhdim të veprës së Prof. dr. Ramiz Abdylit “Trojet Lindore Shqiptare në Kryengritjen e Përgjithshme (1912)”, autori shkruan se “Gazeta “Pravda” e Beogradit, më 24 korrik, shkruante se 4.000 kryengritës që ishin përqendruar në Matkë, në perëndim të Shkupit, do ta mësynin kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës. Njëherazi, drejtuesit e kryengritjes së trevës së Gjilanit dërguan lajmëtarët në fshatrat shqiptare të Karadakut të Shkupit, me porosinë që të përgatiteshin sasi të mjaftueshme ushqimi për kryengritësit e asaj ane. Ndërkaq, nga xhandarët e postave të asaj zone, u kërkua të dorëzonin armët, para se do të asgjësoheshin. Si rrjedhojë e një gjendje të tillë, komandanti i Truparmatës së Shkupit, dha dorëheqje nga frika e hakmarrjes së kryengritësve, për shkak të qëndrimit të tij të njohur për masa energjike kundër tyre. Gjithashtu, vazhdoi arratisja e oficerëve shqiptarë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ndonëse kundër tyre, po ndërmerreshin masa arrestimi, ajo nuk po jepte rezultat, si rrjedhojë e dezertimit të xhandarëve shqiptarë, gjithandej trojeve shqiptare dhe sidomos Trojeve Verilindore, të cilat u arratisën dhe iu bashkuan kryengritësve.”
Më 25 korrik 1912, forcat kryengritëse të Kazasë së Gjilanit e të trevës së Bujanocit, çliruan Tërnocin e Luginës së Preshevës. Atyre iu bashkuan edhe xhandarët shqiptarë të Bujanocit. Drejtuesit e këtyre forcave, me anë të njerëzve të tyre, ua bënë të ditur autoriteteve osmane në Bujanoc dhe qytetarëve se kishin në plan të shtinin në dorë qytetin. Ditën e nesërme, më 26 korrik 1912, kryengritësit çliruan Bujanocin, çarmatosën ushtarët dhe dëbuan nëpunësit e administratës osmane.
Në fjalimin që mbajti në qendër të qytetit, njëri nga drejtuesit e kryengritjes, bëri të ditur se do të ndëshkohej çdonjëri, që do të përpiqej të keqtrajtonte minoritetin sllavë të qytetit. Ky zotim u dha edhe me anë të një komunikate të Shtabit të kryengritësve. Sipas një burimi serb, në këtë kohë në Bujanoc ishin përqendruar rreth 4.000 kryengritës shqiptarë. Kryengritësit formuan Këshillin për mbajtjen e rendit e të sigurisë, i cili luante detyrën e policisë. Këshilli u ndau armë vullnetarëve ta paarmatosur.
Më 26 korrik të 1912-s, rreth 2.000 kryengritës të Kazasë së Gjilanit, të prirë nga Idriz Seferi, Salih Aga, Betjullah Aga dhe një toger i xhandarmërisë, pasi prenë linjat telegrafike midis Shkupit e Gjilanit, marshuan në atë qytet pa rezistencë të forcave osmane. Kryengritësit thyen burgun dhe liruan të burgosurit. Ditën e nesërme marshuan në Gjilan edhe 500 kryengritës të tjerë nga Kazaja e Shkupit dhe e Kumanovës, që drejtoheshin nga Menduh Bej Shkupi, i cili kishte sjellë me vete 7.000 lira, të destinuara për qëllimet e kryengritjes.
Ndërkohë, në Gjilan dhe përreth tij, u përqendruan rreth 4.000 kryengritës, që po prisnin sinjalin të marshonin për Preshevë, Kumanovë e Shkup.
Në Karadakun e Shkupit, në fund të korrikut, u grumbulluan një numër i madh kryengritësish. Gjatë tri ditëve të fundit të korrikut, numri i kryengritësve shqiptarë në trevën e Kumanovës, u shtua dukshëm. Konsulli serb në Shkup thotë se kjo vërehej nga sasia e ushqimit që konsumohej gjithnjë e më shumë nga kryengritësit. Po kështu Halim Beu, bashkë me Rauf Beun, djalë i Esat Pashës dhe Abdurrahman Beun, me një çetë të madhe mësyn Grykën e Kaçanikut. Po për atë qëllim u arratis në mal Mehmet Beu, i biri i Jashar Beut dhe Kahreman Kumbaraxhiu nga Shkupi. Në atë kohë, atdhetarët e trevës së Shkupit kërkonin të jetësoheshin vendimet e Kuvendit të Junikut, me të cilin synohej autonomia e Shqipërisë.
Plani paraprak për çlirimin e Preshevës u përpilua nga bashkëpunimi midis Bajram Currit, Idriz Seferit dhe myftiut të Preshevës. Ky i fundit njihej si njeri i afërt i Hasan Prishtinës. Më 30 korrik një grup kryengritësish, me Bajram Currin në krye, çliruan Preshevën. Pastaj, kryengritësit bllokuan rrugën Preshevë-Kumanovë dhe Kumanovë-Shkup dhe prisnin urdhrin nga Prishtina për të marshuar drejt Kumanovës e Shkupit. Ndërkaq, kryengritësit e Bujanocit, do t’u bashkoheshin kryengritësve të Preshevës. Ata bashkërisht të marshonin drejt Kumanovës e Shkupit.
Edhe rreth 250 punëtorë shqiptarë, të cilët punonin në linjën hekurudhore Shkup–Kumanovë, iu bashkuan kryengritësve. Sipas konsullit serb në Shkup, rrethinat e Shkupit ishin bërë shumë të pasigurta, për shkak të veprimit të çetave shqiptare, të cilat vëreheshin në afërsi të tij. Fshatarësia e trevës së Shkupit besonte se së shpejti kryengritësit do të marshonin drejt kryeqytetit të Vilajetit.
Përshkallëzimi i kryengritjes së armatosur, në gjysmën e dytë të korrikut 1912, në Tetovë pothuajse rezultoi me humbjen e autoritetit të Qeverisë xhonturke. Konsulli serb në Shkup bënte të ditur se zot i situatës politike atje ishte Mehmet Pashë Deralla. Edhe në Kazanë e Gostivarit po merrte përpjesëtime kryengritja e armatosur. Mbi 50 xhandarë të asaj treve u arratisën dhe iu bashkuan kryengritësve të Halim Bej Derallës, i biri i Mehmet Pashë Derallës. Në trevën e Tetovës dhe të Gostivarit, kryengritësit shqiptarë ishin “bërë zotër të vetëm të situatës”.
Valiu i Kosovës, Mas’har Beu, më 27 korrik, u detyrua nga Komiteti “Bashkim e Përparim” të jepte dorëheqje nga posti i tij. Në arsyetimin e tekstit të dorëheqjes thuhej se shqiptarët ishin zotë të situatës në gjithë pjesën e Vilajetit në veriperëndim të Shkupit; ”Unë po shoh, thotë ai, – se si krijohet Shqipëria autonome, të cilën si otoman asesi nuk mund ta pranoj … Kur erdha këtu mora detyrën që me gjithë energjinë ta pengoj tendencën separatiste të shqiptarëve …. Dorëheqje dha edhe komandanti i Truparmatës së Vilajetit të Kosovës.
Kryengritja e armatosur në Shqipërinë e Mesme, mori përmasa të reja në gjysmën e dytë të korrikut 1912. Ky ishte i rezultat i zhvillimit të hovshëm të kryengritjes në Vilajetin e Kosovës dhe rënies së kabinetit xhonturk. Kryengritësit kishin paralizuar rrugën Tiranë-Elbasan, ndërsa përpjekjet e autoriteteve për zhbllokimin e saj nuk dhanë rezultate. Kryengritësve iu bashkuan edhe njerëz në zë, si Irfan Beu, me 30 personalitete të tjera të Sanxhakut të Elbasanit. Atyre iu bashkuan edhe nëpunës të atyre qyteteve.
Ndërkohë, dega e Komitetit kryengritës nga Malësia e Dibrës e informonte degën e Komitetit Qendror në Elbasan, se atje ishte lidhur besa dhe ishte vënë lidhja me kryengritësit e Kosovës “për veprime të përbashkëta”. Po bëheshin përpjekje që kontaktet të shtriheshin në gjithë Sanxhakun e Dibrës. Dega e Komitetit të kryengritjes të Malësisë së Dibrës, kërkonte të vihej në kontakt me Beratin. Ndërkaq, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare në Shqipërinë e Mesme, bashkë me ata të Shqipërisë Jugore, shtruan kërkesat e karakterit autonomist. Me anë të telegrameve, që iu drejtuan qeverisë së re nga komitetet e Dibrës, Elbasanit dhe Manastirit, u shtrua kërkesa për zgjedhje të reja, reforma në Shqipëri dhe tërheqjen e ushtrisë nga Shqipëria.
Në mesin e korrikut të vitit 1912, vazhduan aktivitetin veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe aksionet e çetave kryengritëse në bashkëpunim me Tajar Tetovën, Dervish Himën dhe disa oficerë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme në Vilajetin e Janinës.
Në përpjekje për arritjen e këtij objektivi, u organizua në Cakran një mbledhje, në të cilën morën pjesë përfaqësues të krahinës së Vlorës, Beratit, Lushnjës, Skraparit, Gjirokastrës dhe Korçës. U ra në një mendje për fillimin e aksioneve të menjëhershme kryengritëse antiosmane.
Në gjysmën e dytë të korrikut, vazhdoi propagandimi i çetave kryengritëse dhe të oficerëve të arratisur për shtimin e radhëve të kryengritjes në vilajetin e Janinës. Një delegacion i oficerëve me Tajar Tetovën në krye, po qëndronte në Frashër, në Teqenë e Baba Aliut, në përpjekje për të përfituar popullin për kryengritjen e armatosur. Atje kishte shkuar edhe Sali Butka me çetën e tij, si dhe disa prijës të tjerë të kryengritjes, që vepronin në të gjitha krahinat e Shqipërisë së Jugut.