Kontratat njëvjeçare pengojnë cilësinë në arsim
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale Arsimore (DKA) që të zbatojnë Udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për dhënien e kontratave individuale të punës (me kohë të pacaktuar) për mësimdhënësit. Sipas kësaj Sindikate, mësimdhënësve vazhdojnë t’u jepen ende kontratat njëvjeçare, që i bënë ata të pasigurt.
SBASHK-u, po ashtu, ka kërkuar edhe dhënien e tri pagave për mësimdhënësit që pensionohen, si dhe kompensimin e udhëtimit për të tjerët.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Zërin” se mosdhënia e kontratave individuale me afat të pacaktuar ndikon edhe në cilësinë në arsim. Ai thotë se mosdhënia e këtyre kontratave ndikon tek pasiguria e mësimdhënësve për vendet e tyre të punës dhe, sipas tij, është një veprim i DKA-ve që t’i kenë nën kontroll mësimdhënësit.
“Drejtoritë Komunale të Arsimit janë vonuar me dhënien e kontratave individuale të punës duke lejuar që të kalojë shtatori e duke bërë kështu që të punësuarit në arsimin parauniversitar të punojë pa kontrata pune. Kjo vonesë nuk ka arsyetim sepse Kontrata Individuale e Punës me tekstin unik për tërë territorin e Kosovës është punuar para përfundimit të vitit të kaluar shkollor dhe është promovuar para medieve nga vetë ministri Bajrami”, thotë Jasharaj./zeri/


