UBT

Kontrabanda në veri çrregullon tregun e naftës

/ 7 minuta lexim

Tregu i derivateve mbetet në një gjendje anarkie, ndërsa qindramilionë euro llogariten përfitimet e nëntokës dhe politikanëve të fuqishëm, që dyshohet se qëndrojnë pas këtij biznesi.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, mësohet se 97 për qind e derivateve të naftës, që importohen në Kosovë, nuk kontrollohen fare, por vetëm bëhet përshkrimi i analizave nga dërguesi i jashtëm. Analistët e kësaj fushe mbeten të pakënaqur se përse në Kosovë edhe 18 vjet pas luftës tregu i derivateve të naftës, por edhe shumë tregje të tjera, po vazhdojnë që të kontrollohen nga mafia oligarkike e kriminale e lidhur me pushtetin e tejinkriminuar, ku pushtetarët dyshohet me të madhe se kanë aksione në këto kompani të mëdha me shumë përfituese të qindra- miliona eurove që bëhen nga tregtimi dhe trafikimi i derivateve të naftës. Specialistët pyesin se deri kur do të kemi treg të kontrolluar e të sunduar nga krimi i organizuar, cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës, mungese të territoreve e hapësirave të lira për të vepruar për të tjerët, privilegje vetëm për kompanitë e inkriminuara, të caktuara, të naftës, moskontrollim me rastin e hyrjes e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizim të qëllimshëm të këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullime prej më shumë se një miliard euro brenda vitit dhe me përfitime prej disa qindra-miliona eurosh.

Autobotet e dyshimta

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për “Kosova Sot”, se Shoqata ka kërkuar nga MTI-ja, që cilësia e derivateve të naftës të kontrollohet gjatë importit në kufi. “E kemi rastin kur para dy muajve Dogana e Kosovës ndaloi mbi 40 autobote me derivate të naftës dhe gjatë kontrollimit nga ana e inspektorëve të MTI-së doli se mbi 30 cisterna nuk ishin konform me standardet që kërkohen. Ndaj, sikur të mos ishin kontrolluar këto autobote, kjo sasi shumë e madhe e derivateve të naftës do të ishte shpërndarë në pikat e shitjes së karburanti dhe si pasojë e kësaj cilësie të dobët do ta pësonin shumë pika të shitjes së karburantit nga ana e inspektorëve MTIsë dhe ndaj të njëjtëve do të ishin shqiptuar gjoba, por pa fajin e tyre”, theksoi ai. “Aksioni të cilin e kishte ndërmarrë ministri i tashëm i MTI-së, Bajram Hasani, për kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës në kufi dhe në terminale ,është përkrahur nga ana e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Nga të gjitha 59 autobotet e kontrolluar për cilësinë e derivateve, inspektimi tregoi se të gjitha këto 59 inspektime ishin sipas standardeve të BE-së”, shpjegoi më tutje ai. Berjani tha se Shoqata e tyre ka pasur një takim pune me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili ka premtuar se nuk do të lejojë që vetëm 2 -3 për qind e sasisë së derivateve që importohen t’u kontrollohet cilësia e tyre, por kontrolli i derivateve të bëhet gjatë importit dhe veç saj edhe do të shtohen kontrollet e cilësisë.

Fiskalizimi, drejt përfundimit

Afaristi i derivateve të naftës Ramadan Maloku, pronar i kompanisë “Racional- Komerc”, tha për “Kosova Sot’, se kontrabanda më e madhe, ku po prishet cilësia e derivateve të naftës, po bëhet nga pjesa e veriut të Kosovës dhe kjodihet botërisht. “E tëra kjo po bëhet nga një pjesë e vogël e bizneseve, që e kanë njollosur sektorin e derivateve të naftës”, theksoi ai. Sipas Malokut, cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë po e prishin sasia e kontrabanduar në veriun e Kosovës, por për fatin e mirë të qytetarëve tanë, edhe ajo sasi po zvogëlohet nga dita në ditë. “Por, me një bashkëveprim të policisë dhe Doganave të Kosovës, kjo sasi është zvogëluar dukshëm”, ka potencuar ai. Maloku foli edhe sa i përket procesit të rifiskalizimit me arka fiskale duke sqaruar se ai është para përfundimit dhe i njëjti do të kryhet shumë shpejt, pasi tashmë çmimet e arkave fiskale të naftë- tarëve kanë rënë dukshëm. Sipas tij, procesi do të përfundojë me kohë, sepse kanë mbetur shumë pak pika të shitjes pa u fiskalizuar.

Uji Dea

Politikanët të hetohen

Analisti Florim Rudhani tha se së pari duhet të përgjigjen autoritetet se kush po e lejon rreth një miliard euro naftë jo cilësore nga Rusia që po përfundon në Kosovë. “Ndaj, e ftoj Ambasadën Amerikane që të nxjerrë para opinionit figurat e involvuara politike në këtë krim ekonomik, dhe kundër interesave shtetërore kombëtare, ku populli është i distancuar nga kjo”, vlerësoi ai. “Për këtë duhet që të japë përgjigje nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, që si akuzë e pati nga ish- ministrja znj. Hykmete Bajrami”, u shpreh më tutje Rudhani. “Prokuroria duhet që të fillojë nga këto dy figurat politike, në mënyrë që të fillojë të ndalohet kjo veprimtari e dëmshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, po nëse nuk aktivizohet Prokuroria duhet aktivizim më i madh i ngritjes së kësaj çështjeje nga mediet, shoqëria civile, rrjetet sociale, dhe zëri qytetar”, vijoi më tej ai për “Kosova Sot”.

Ndërsa, analisti Ardian Nokaj thotë se në Kosovë, edhe 18 vjet pas luftës, tregu i derivateve të naftës, por edhe shumë tregje të tjera, po vazhdojnë që të kontrollohen nga mafia oligarkike e kriminale, që janë të lidhur me të gjitha garniturat e deritashme të pushteteve. Sipas tij, pushtetarët po dyshohen me të madhe se kanë aksione në këto kompani të mëdha e shumë përfituese të qindra- miliona eurove, që bëhet nga tregtimi dhe trafikimi i derivateve të naftës, në veçanti në veriun e Kosovës. “Nëse nuk do të kemi një ndërhyrje të menjëhershme të Qeverisë ‘Haradinaj’, kjo situatë do të vazhdojë edhe më tutje dhe në veriun e Kosovës edhe më tej do të kemi treg të kontrolluar nga bandat e krimit të organizuar, por edhe cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës”, theksoi Nokaj.

Shteti, indiferent ndaj konsumatorëve

Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”, për gazetën “Kosova Sot” tha se e kemi këtë situatë me derivate, pasi rrënjët e krimit janë në majat e strukturave udhëheqëse të shtetit. “Këtë e dinë të gjitha partitë dhe të gjithë politikanët e delegatët dhe nuk angazhohen për zgjidhje. Edhe heshtja, mosangazhimi për zgjidhje ka për pasojë përgjegjësinë”, u shpreh ai. “Asnjë parti politike nuk i bën publike burimet e financimit, sepse janë në konflikt të thellë të interesit, në konflikt me Kushtetutën e me ligjet. Askush nuk i luftoi mjaftueshëm abuzimet me derivate që bëhen në veri të Kosovës e gjetiu”, tha më tej Kaçaniku. “Pse asnjë ministër i MTIsë ose të ministrive të tjera, apo deputetë të Kuvendit, kurrë asnjë problem nuk e trajtuan me qytetarin, të cilit i dedikohet produkti, shërbimi…me qytetarin elektorat, konsumator, taksapagues”, pyet Selatin Kaçaniku. Konsumatorët nuk i kompenson askush për dëmet që ua shkaktojnë pronarët e pompave të benzinës, kur produkti që e shesin është jocilësor dhe shkakton prishje të automjeteve.

(Kosova Sot)