UBT

Konsumoni produkte shqip

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Me moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”, u hap “Java e biznesit Kombëtar në Kosovë 2012”, projekt ky tashmë tradicional dhe i cili si qëllim ka mbrojtjen e prodhimeve vendore, stimulimin e tyre në ngritjen e kualitetit për tregun tonë dhe më gjerë, gjë që do të kishte ndikim dhe në zhvillimin dhe rritjen ekonomike në vend.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), tha se projekti “Javët e biznesit kosovar”, që po mbahen që nga viti 2003, përmbajnë një program me karakter promovues, me qëllim të rritjes së efektit të shitjes së produkteve të bizneseve prodhuese në Kosovë, t’i mbrojë dhe stimulojë ato për ngritje të kualitetit.

“AKB ka përpiluar këtë projekt, me qëllim të ndikimit të përmirësimit esencial, të ambientit afarist në Kosovë, në mënyrë që të mbrojë prodhimet vendore, t’i stimuloj ato për të rritur kualitetin e tyre, për tregun tonë dhe me gjerë. Qytetarët të rrisin vetëdijen për rëndësinë e konsumit të produkteve kombëtare, kurse qeverinë të nxisë më shumë për hartimin e politikave më konkurruese, duke i mundësuar një përshpejtim të zhvillimit më të hovshëm ekonomik kosovar dhe kombëtar”, pohoi Shahini.

Ai tha se ky aktivitet po mbahet për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe i cili ka filluar nga 17 shkurti në Prishtinë, për të vazhduar në të gjitha trojet shqiptare dhe për të arritur në Vlorë me 28 nëntor.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, tha se integrimi nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë por të zbatohet në vepra. Sipas tij, institucionet e Kosovës po angazhohen në ndërtimin e një infrastrukture korrekte, e cila e ndihmon biznesin të harmonizohen me njëri tjetrin. Ai tha se Qeveria po krijon parakushte për biznese dhe se është e përkushtuar për partneritet me sektorin privat dhe forcimin e tij.

“Këto ditë, në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, takime të tilla janë argumenti më i mirë për një rrahje të zemrës së përbashkët të popullit shqiptar në aspektin e integrimit ekonomik. Rruga e integrimit është rrugë e bashkëpunimit, rruga e bashkëpunimit është rrugë e bashkimit dhe ofrimit të bizneseve me njëri-tjetrin, e blerjes së produkteve të njëri-tjetrit, e respektimit të produkteve të njëri-tjetrit, e mbi të gjitha respektimit të parasë tonë të qytetarëve të Kosovës, të cilët e fitojnë me shumë mund dhe atë para duhet ta konsumojmë ne Republikën e Kosovës dhe në produktet të cilat vijnë nga trojet shqiptare”, tha ai.

Uji Dea

Edhe ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Blerand Stavileci tha se bizneset edhe në ditët më të vështira në të kaluarën kanë qenë një model i mbijetesës edhe pa përkrahje të merituar dhe se do të jenë modele dhe shembuj pozitivë të përparimit në të ardhmen.

Ajo që sot na bënë të mburremi sipas Stavilecit janë produktet vendore të cilat dalëngadalë po i mbushin raftet e pikave të shitjes në vendin tonë. Ndërsa organizimet e tilla, sipas tij, janë shembull pozitiv për krijimin e një lidhje të fortë mes prodhuesit dhe konsumatorëve, gjë që ka munguar në të kaluarën.

“Organizimet e tilla janë të rëndësishme për shumë arsye. Njëra nga ato që neve na inkurajoi, por besoj se duhet të jetë gjithmonë shembull pozitiv dhe për të ardhmen, është krijimi i një lidhje të fortë në mes të prodhuesit dhe konsumatorit. Është diçka që ka munguar në të kaluarën dhe në të vërtetë është e dhimbshme, kur sot pothuajse për të njëjtën cilësi, konsumohen produkte të tjera, e të cilat shumë lehtë do të zëvendësoheshin, në sofrat tona me pikërisht këto produkte”, tha ai.

Stavileci më tej pohoi se industria agro-ushqimore dhe produktet e ndryshme bujqësore dhe blegtorale, dita-ditës po përparojnë në të gjitha aspektet si në plotësimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë.

Ndryshe Javët e Biznesit Kombëtar organizohen nga AKB për të dhjetën herë në Kosovë, ndërsa për herë të parë në të gjitha trojet kombëtare, në bashkëpunim me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Komunën e Ulqinit, atë të Preshevës si dhe me mbështetjen e institucioneve vendore. Ky aktivitet tashmë është bërë tradicional, i cili do të mbahet çdo vit dhe se si qëllim ka promovimin e vlerave ekonomike të kombit tonë si fuqi e re dhe si lidere e së ardhmes në Ballkanit perëndimor. /kosovapress/