ARKATANA

Konstituojeni Kuvendin!

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Burim Ramadani – Tashmë, çdo vonesë është pa kurrfarë kuptimi. Institucioni i Kuvendit duhet të konstituohet. Për këtë ekziston edhe mundësia votuese. Dikush, me apo pa të drejtë, mund të quaj këtë lëvizje të koalicionit paszgjedhor si të gabueshme apo edhe të vonuar. Sidoqoftë, një lëvizje e madhe është bërë. Është përgatitur përfundimi i një vonese në konstituimin e Kuvendit.

Çka po pritet tash?

Në fakt, Kuvendi do të duhej të ishte mbledhur dje, apo pardje. Ndoshta edhe të shtunën apo të dielën. Menjëherë pasi është njoftuar publikisht se udhëheqësit e koalicionit paszgjedhor kanë vendosur që do të votojnë për kandidatin e nominuar nga PDK-ja. Tashmë, pastër dhe qartë ekziston shumica parlamentare e kërkuar me kushtetutë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Derisa kjo është e tëra që kërkohen me kushtetutë, Gjykata Kushtetuese në anën tjetër kësaj ia shtoi edhe që kandidati duhet të nominohet nga PDK-ja. Kështu të paktën e interpretoi publikisht aktgjykimin e vet Enver Hasani, kryetari i Gjykatës Kushtetutës (që do të duhej të ishte e Kosovës).

Sidoqoftë, në opinion sërish dëgjohet kërkesa e radhës për një marrëveshje mes spektrit politik apo një takim të përbashkët të liderëve të partive parlamentare në zyrat e presidentes së Republikës.

Asnjëra dhe as tjera nuk është e keqe. As në parim dhe as në përmbajtje. Skena politike ka nevojë për marrëveshje të brendshme. Liderët e partive politike është e nevojshme të takohen mes vete, të diskutojnë, të komunikojnë. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Asnjëherë nuk mund të dalin gjëra të këqija nga takimet, nga komunikimet.

Madje, këto duhet të jenë të rregullta, përmbajtjesore dhe bazuar në interesat e shtetit dhe qytetarëve. Të tilla edhe do të mbahen. Tash apo më vonë, para apo pas krijimit të qeverisë së re. Qeveria e re normalisht se duhet të komunikojë rregullisht me opozitën. Nuk duhet të sillet njëjtë sikurse ka bërë qeveria e kaluar.
Porse, këto mbeten çështje për t’u diskutuar, pyetje për t’u përgjigjur.

FIDANISHTJA

Pse nuk konstituohet Kuvendi? Pse po humbet koha pa nevojë dhe pa arsye? Pse nuk po zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (që do të duhej të jetë e Kosovës)? Pse Enver Hasani nuk po bën zë tash në raport me shkeljen flagrante që po i bëhet aktgjykimit të tij nga vet porositësit e atij aktgjykimi?
Apo, mos ndoshta PDK tashmë po planifikon ta ndërrojë sërish kandidatin që do ta nominojë për Kryetar të Kuvendit? Mos ndoshta po planifikon ta nominojë ndonjë kandidat nga grupet tjera parlamentare? Kjo e fundit, dorën në zemër, nuk do të ishte veprim i gabuar për skenën politike. Ndoshta do të mund të ishte një derë dalëse për bllokimin e panevojshëm që tash këto ditë po i ndodh konstituimit të Kuvendit të Kosovës!

Më tutje, çka do të mund të paraqiste një “marrëveshje” midis spektrit politik? Çka do të mund të ndikonte (për të mirë apo për të keq) ndonjë takim i përbashkët në zyrën e presidentes? A do të ishte një takim? Apo do të zgjaste pafundësisht ky “takim’? A ekziston ndonjë vullnet që takimi në Presidencë të përmbyllë gjithçka apo vetëm do të rikonfirmonte qëndrimet e deritashme? Nëse është çështje e rikonfirmimit të qëndrimeve, atëherë patjetër se takimi i tillë do të duhej të ndodhte vetëm pas themelimit të qeverisë së re. Jo më herët.

Mbi të gjitha, duhet të ketë qartësi në rrugën përpara. Institucionet duhet të formohen. Kuvendi është gati për ta zgjedhur kryetarin e vet. Por, qartë ata që kanë të drejtën për nominim nuk qenkan gati.

Këtu duhet ndërhyrë! Zgjidheni kryetarin e Kuvendit! Pastaj Qeverinë, e më pas relaksoni marrëdhëniet me opozitën.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)