Konstatohen gabime

Pas katër ditësh, drejtuesit e KEK’ut pranojnë se kanë bërë gabime gjatë faturimit për muajin janar. Në mbi 70 për qind të ankesave të shqyrtuara deri tani doli se konsumatorët patën të drejtë. Gabimet u bënë kryesisht në leximin e njehsorëve. Pavarësisht kësaj, drejtori i KEK’ut, Arben Gjuka, këto raste i quajti gabime teknike dhe faturat pjesërisht të gabuara.
Pas shqyrtimit të ankesave të konsumatorëve, doli që Korporata Energjetike e Kosovës gaboi gjatë faturimit për muajin janar. Konsumatorët patën të drejtë në mbi 70 për qind të ankesave të shqyrtuara deri më tani.
Gjithsej ankesa parashtruan 1234 konsumatorë, por për këto ditë u shqyrtuan vetëm 376 sosh. Prej tyre, doli se të drejtë kishin 226 konsumatorë, kurse 92 ankesa u refuzuan krejtësisht.
Në një konferencë për medie, zyrtarët e KEK-ut kanë paraqitur raportet preliminare lidhur me ankesat e konsumatorëve. Ata kanë prezantuar raportin konfidencial dhe të dhënat për ankesat e parashtruara nga konsumatorët.
Megjithatë, rastet në të cilat u konstatua se u bënë gabime zyrtarët e KEK-ut i quajtën gabime teknike dhe faturim pjesërisht i gabuar. Sipas tyre, gabimet në faturim ndodhën kryesisht si pasojë e leximit të gabuar të njehsorëve.
Për drejtorin e Korporatës, Arben Ghjukaj, gabime si këto në faturim nuk janë asgjë e jashtëzakonshme dhe se kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Nuk ka pasur fryrje të faturave. Bëhet fjalë vetëm për gabime teknike që kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Sipas raporteve siguria në faturim mbetet 99.9 për qind”, ka thënë Gjukaj.
Sipas raporteve të KEK-ut, energjia e faturuar gjatë muajit janar të vitit të kaluar ka qenë 23.7 milionë euro, derisa në janarin e këtij viti ishte 26.1 milionë euro.
Kjo rritje e faturimit sipas drejtorit të KEK-ut ka ardhur pas aplikimit të tarifave të reja nga qershori i vitit të kaluar.
Në raportin e prezantuar nga KEK-ut, numri i konsumatorëve që janë ankuar në KEK deri në pasditen e së hënës ka arritur në 1234 ankesa. Nga këto ankesa vetëm 78 kanë qenë nga gabimi në lexim, 32 nga problemet në orët e rrymës dhe 7 gabime në faturim.
Mirëpo, prej 376 ankesave të shqyrtuara, 226 prej tyre ka dalë se janë pjesërisht me gabime.
Ndaj situatës së krijuar ka reaguar edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila ka bërë të ditur se ka themeluar një komision me ekspertët e vet, të cilët janë duke i mbledhur dhe analizuar të dhënat e konsumatorëve që kanë paraqitur ankesë, në përputhje me procedurat dhe rregullat në fuqi.
ZRRE-ja ka kërkuar nga KEK-u një raport të detajuar lidhur me ankesat e konsumatorëve që janë ankuar në KEK për faturat e energjisë elektrike për muajin janar të këtij viti.
Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga qytetarët lidhur me vlerën e faturave të energjisë për muajin janar 2013, ka kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që t’i përgjigjen çdo ankese konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi.
“MZHE, duke mirëkuptuar shqetësimin e qytetarëve, mbështet të drejtën e qytetarëve që konform procedurave ligjore të ngrenë çdo shqetësim që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre si konsumatorë të KEK-ut, ndërsa siguron ata që institucionet kompetente do t’i shqyrtojnë dhe do të japin përgjigje në kohë sa më të shkurtër të mundshme”, thuhet në komunikatën për medie të kësaj ministrie.
Megjithatë, MZHE ka shtuar se nuk e menaxhon KEK-un dhe se çështjet teknike që lidhen me furnizimin dhe faturimin janë përgjegjësi e Korporatës, derisa çështja e tarifave i takon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Si përgjigje ndaj këtyre reagimeve, Gjukaj ka thënë se ka qenë vetë KEK-u që e ka ftuar Avokatin e popullit dhe prokurorinë dhe institucionet e tjera që të marrin pjesë gjatë shqyrtimit të ankesave.
Ndryshe, organizatorët e dy protestave të mëhershme ndaj KEK-ut kanë njoftuar se protestat do të vazhdojnë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
ZRRE kërkon komision për faturat
Zyra e Rregullatorit për Energji njofton qytetarët se është e shqetësuar me zhvillimet
e fundit në sektorin e energjisë elektrike në lidhje me pakënaqësitë e konsumatorëve që janë krijuar nga faturat e muajt janar të këtij viti. Bazuar në këtë, ZRRE ka themeluar një komision me ekspertët e vet, të cilët janë duke mbledhur dhe analizuar të dhënat e konsumatorëve të cilët kanë paraqitur ankesë, në përputhje me
procedurat dhe rregullat në fuqi. ZRRE po ashtu ka kërkuar nga KEK’u një raport të detajuar lidhur me ankesat e konsumatorëve të cilët janë ankuar në KEK për faturat e energjisë elektrike për muajin janar 2013. Raporti duhet të përfshijë numrin e ankesave të konsumatorëve sipas distrikteve, arsyet e parashtrimit të ankesave, si dhe të dhëna se sa prej këtyre janë zgjidhur në favor të konsumatorëve. ZRRE ju bën thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar në KEK, nëse konsiderojnë se faturat e tyre nuk janë të sakta dhe informon ata se kanë të drejtë që të apelojnë përgjigjet e KEK’ut në ZRRE dhe tek Bordi i saj.(express)