RCCOLA

Konjufca për ish-krerët e UÇK-së: Duhet të jemi të bashkuar sikur gishtat e dorës, Specialja po i mban të izoluar

/ 3 minuta lexim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se së shpejti do t’i vizitojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në Hagë.

Në një intervistë për RTK-në, ai ka folur edhe për raportet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin të cilët dikur i kishte rivalë politikë.

Konjufca ka thënë se nuk mund të jenë peng i grindjeve dhe mospajtimeve që kanë pasur në të kaluarën.

“Qoftë ata që ishin dikur në funksione udhëheqëse të shtetit, qoftë ne tani që jemi në krye të institucioneve për shkak të vullnetit të popullit, duhet të udhëhiqemi vetëm nga një princip: ne jemi një popull, ne kemi interesa të përbashkëta dhe në interesa të përbashkëta nuk mund të na përçajë askush. Aq më pak Serbia me GjS e edhe me raportin e Dik Martit (Dick Marty)”, ka pohuar ai, transmeton Telegrafi.

Ai tutje ka deklaruar se populli i Kosovës duhet të jetë i bashkuar sikur gishtat e dorës për shkak të sfidave.

Fundamenti

“Sfida kemi pasur shumë edhe në të kaluarën, por sidomos prej shkurtit të këtij viti mendoj se janë dyfishuar sfidat edhe për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë e edhe të krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar, pra duhet të jemi më vigjilentë dhe nuk kemi komoditetin që për shkak të rrjedhave të politikave në vitet e kaluara tashti të jemi peng i të kaluarës”.

Sa i përket Gjykatës Speciale e cila ish-krerët e UÇK-së po i gjykon për krime lufte, kryeparlamentari ka thënë se që nga fillimi e ka konsideruar të padrejtë.

Sipas tij, Specialja po përpiqet t’i mbajë të izoluar ish-luftëtarët.

“Tash jemi në një pozicion të vështirë si Kosovë në këtë gjykatë, sepse është vënë para Gjykate struktura kryesore e Shtabit të Përgjithshëm. Këtë gjykatë që nga fillimi e kam konsideruar si të padrejtë dhe kështu do ta quaj gjithmonë dhe derisa po veprohet kështu ndaj krerëve të UÇK-s nga Gjykata, nuk kam se si ta quaj ndryshe përpos si përpjekje për izolim të tyre”.

“Përderisa tani po mbushen dy vjet që janë të burgosur dhe tani po shtojnë aktakuza të tjera dhe njëherazi të mos ia lejosh mbrojtjes qasjen në të gjitha materialet e aktakuzës nga ana e Prokurorisë, kjo, mendoj, i kontribuon vetëm një procesi që le të quhet si të dojë, por një gjë dihet se jemi në dy vjetorin e burgosjes së tyre, ata mbahen të izoluar edhe nga familjet e tyre dhe çdo gjëje tjetër dhe pse, kësaj pyetje do të duhej të përgjigjen ata që po e bëjnë këtë, sepse ata do të mund të mbroheshin në liri, mbase edhe tani do të mund të shkonin atje, e jo të burgosen me hapjen aktakuzës dhe të mbahen në burg gjatë gjithë procedurës, kjo për mua lë për të dëshiruar sa i përket normave universale dhe sa i përket të drejtave të njeriut në procedurë gjyqësore”./Telegrafi/