RCCOLA

Konjufca në Strasburg kërkon mbështetje për rrugën e integrimit euro-atlantik

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës zyrtare në Strasburg, ka zhvilluar takime me drejtues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe delegacione të ndryshme pjesëmarrëse në punimet e kësaj asambleje.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se Konjufca zhvilloi takime me Grupin Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE) dhe Kryesuesin e ALDE-së për Evropën, Iulian Bulai.

Kreu i Kuvendit u prit gjithashtu në një takim të veçantë nga Presidenti i APKE-së, Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme të APKE-së, Despina Chatzivassiliou.

“Po ashtu kryetari Konjufca zhvilloi takime me Kryesuesin e Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, Damien Cottier, ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, si dhe me Delegacionin Parlamentar të Turqisë në APKE, të kryesuar nga Ahmet Yildiz”, thuhet në njoftim.

Mobi Casa

Në këto takime u diskutua lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës e të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Sipas njoftimit thuhet se në fokus të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, për të cilin Konjufca kërkoi mbështetjen e të gjithë faktorëve vendimmarrës, në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtat që mundëson ky anëtarësim.

Konjufca foli po ashtu për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe hapat konkretë që vendi ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit euro-atlantik, i cili, siç tha ai mbetet një objektiv i fortë strategjik i Kosovës.

“Në disa prej takimeve kryetari Konjufca shoqërohej nga anëtarë të delegacionit të Kuvendit në APKE, të cilët po qëndrojnë në Strasburg në kuadër të sesionit të pjesës së qershorit të kësaj asambleje. Vizita e kryetarit Konjufca vazhdon me takime të tjera me udhëheqës të delegacioneve pjesëmarrëse dhe grupe politike të APKE-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/