Konjufca: Ne kemi përkrahur kandidatin shqiptar në Novobërdë

Glauk Konjufca, nënkryetari Lëvizjës Vetëvendosje, ka thënë se subjekti që ky i takon e ka përkrahur kandidatin shqiptar në komunën e Novobërdës. Ai ka thënë se për këtë përfaqësuesit e Vetëvendosjes në atë komunë kanë fakte për përkrahjen që i kanë ofruar kandidatit shqiptar, Bajrush Ymeri.
“Ne kemi dhënë mbështetjen tonë edhe për kandidatin shqiptar në komunën e Artanës, dhe këtu dëshiroj ta sqarojë një dezinformatë, më duket nga Vjosa Osmani, në një emision televiziv, e cila nuk e ka informacionin e duhur ose e ka por me qëllim manipulon, duke thënë se Lëvizja vetëvendosje nuk e paska përkrahur kandidatin shqiptar në Artanë. Kjo nuk është e vërtetë. Mund të intervistoni edhe përfaqësuesit tanë në komunën e Artanës, ata do t’ju tregojnë shumë mirë se Lëvizja Vetëvendosje, kur mbeten vetëm dy alternativa, përfaqësuesi serb dhe përfaqësuesi shqiptar, të cilët garonin, ne kemi mbështetur përfaqësuesin shqiptar dhe kjo mund të argumentohet me fakte”, ka thënë Konjufca.
Ai në këtë rast ka thënë se mbështetje në këtë garë i është ofruar edhe kandidatit për komunën e Hanit të Elezit, Refki Suma, i cili edhe ka fituar si kandidat i pavarur.
“Duke i vlerësuar rrethanat që kanë ekzistuar nëpër komunat e ndryshme, ne kemi marrë pozicionime të ndryshme, karshi rrethanave ekzistuese. P.sh. në Han të Elezit kemi dalur në përkrahje të z. Suma, i cili ka kandiduar si i pavarur pa parti politike, mirëpo me një projekt të mirë, një njeri i pastër dhe i ndershëm, dhe i cili ka qeverisur shumë mirë me komunën, dhe për këtë arsye e kemi përkrahur”, tha më tutje nënkryetari i Kuvendit Konjufca.
Këto deklarata ai i ka bërë gjatë një konference për media, bashkë me deputeten Albulena Haxhiu, ky kanë drejtuar një sërë akuzash ndaj Qeverisjes aktuale. Sipas tyre, fitorja e një numri kaq të madh të komunave në Kosovë nga serbët, është si pasojë e Marrëveshjes Thaçi-Daçiq. /Indeksonline/