Eko Higjiena

Konjufca: Ky mallkim iu ndodh atyre që harrojnë themelet e lirisë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës u shprehën pro themelimit të Gjykatës speciale për hetimin e krimeve të supozuara të UÇK-së, me përjashtim të grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci deklaroi se do të dëshmohet pastërtia e luftës çlirimtare, prandaj PDK do ta përkrahë themelimin e kësaj gjykate.

Ndërkaq, Ismet Beqiri nga LDK theksoi se grupi parlamentar i kësaj partie duke qenë të bindur se lufta politike dhe çlirimtare ka qenë e drejt, janë përcaktuar që të përkrahin opsionin që Kuvendi të vendos për Gjykatën e pretenduar për krime lufte.

Sipas tij, ky opsion është më i mirë se sa për këtë gjykatë të vendosen në Këshillin e Sigurimit.

Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje tha se ky mallkim për formimin e Gjykatës speciale iu ndodh vetëm atyre që harrojnë themelet e lirisë. Ai tha se kjo ndodh kur një qeveri ma shumë merret me ‘selfie’ se me interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Nëpër luftërat e ish Jugosllavisë të shkaktuara nga Serbia, ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë vranë mbi 150 mijë njerëz, në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Shumica e të vrarëve, mbi 90% e tyre, janë civilë ta pafajshëm, gra, pleq dhe fëmijë. Serbia i kishte afër 80 mijë ushtarë, policë e paramilitarë. Nëse çdo i katërti nga këta ka qenë i përfshirë në krime, mund të konstatojmë se në Serbi sot i keni 20 mijë kriminelë të pandëshkuar të luftës. Këta njerëz janë edhe qytetarë të lirë të BE-së meqë Serbia prej vitit 2009 e gëzon edhe liberalizimin e vizave. Institucionet e Kosovës, qeveritë e deritashme të Kosovës kanë pasur material që për çdo javë ta dorëzojnë nëpër gjyqet ndërkombëtare nga një padi kundër Serbisë për plagët që ajo na i shkaktoi, të cilat kurrë nuk do t’i harrojmë dhe të cilat ende janë të hapura”, u shpreh Konjufca, transmeton Telegrafi.

“Përderisa Kosovës dhe UÇK-së po i dedikohet një Gjykatë Speciale për krimet e supozuara, në Serbi po zhvarrosen trupat e 300 shqiptarëve të mbuluar me asfalt”, tha ai.

Ai i bëri thirrje deputetëve që të kundërshtojnë themelimin e kësaj gjykate, duke thënë se çdo hetim duhet të bëhet nga sistemi i drejtësisë së Kosovës.

KKVITI

Ndërkaq, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se imazhi i Kosovës ka ndikim drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe nuk është vetëm etiketë.

Ai tha si të mos jetë rrënuar imazhi i Kosovës deri në këto ditë, kur deputetë, ministra janë përgjuar dhe parë në afera korruptive, ndërsa asnjë gjykatës nuk është marrë me ta.

Prandaj, sipas tij të huajt nuk besojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe për këto tha Gjini faji i takon edhe kryeministrit.

Gjini tha se AAK do të votojë pro themelimit të Gjykatës, sepse sipas tij, nëse nuk bëhet do të krijohet një Tribunal për krime në Kosovës dhe dëmi do të ishte shumë më i madh.

Edhe Myzejene Selmanaj nga AKR tha se të gjithë duhet të ndihemi krenar se lufta jonë është përkrahur nga BE dhe SHBA.

Ajo shprehu besimin se pretendimet e ngritura nga Dick Marty do të rrëzohen dhe do të konfirmohet lufta e pastër e UÇK-së.

AKR u shpreh pro krijimit të Gjykatës me shpresën se lufta e pastër e UÇK-së do të konfirmohet. /Telegrafi/