KKVITI

Konjufca: Ka tendencë për destabilizim të veriut para zgjedhjeve të 23 prillit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar sot se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit.

Ai në një deklaratë për KosovaPress ka theksuar se shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Sipas tij institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese.

Kreu i legjislativit u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

“Tash kemi nevojë për qetësi dhe ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në atë pjesë që të mos bien pre e veprimeve të cilat mendoj që dirigjohen, jo brenda Kosovës, por kryesisht në anën tjetër pra nga Serbia.

Të segmenteve të caktuara, të strukturave të cilat ata ende synojnë t’i mirëmbajnë dhe financojnë, edhe të cilat mundohen, dhe qëllimi kryesor i të cilave është destabilizimi i Kosovës, zhvendosja jashtë orbitës së sigurisë së Kosovës, po sidomos në atë pjesë të territorit.

Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit.

Uji Dea

Me qëllim që të delegjitimohet i gjithë procesi, që edhe në anën tjetër të krijohet përshtypja e rrejshme por me mjete të dhunshme që pa Listën Serbe edhe pa këto struktura nuk ka qetësi dhe paqe në pjesën e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca për KosovaPress.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të argumentojnë se në vend funksionon rendi, ligji dhe Kushtetuta.

“Unë mendoj që Kosova i ka të gjitha kapacitetet e saj dhe gjithë mekanizmat e nevojshëm që të garantojë një situatë në te cilën qytetarët, të gjithë pa dallim etnie, që jetojnë në atë pjesë të territorit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre elementare, që është e drejta për të votuar.

Edhe këtë të drejtë ta garantojnë institucionet të cilat janë kushtetuese, institucionale dhe shtetërore të Republikës së Kosovës. Jam plotësisht i bindur dhe besoj shumë që Kosova e ka këtë kapacitet, pa shkaktuar kurrfarë irritimi, pakënaqësie, rezistence me mjete të tjera, për arsye se nuk ka kurrfarë nevoje.

Pra, data është caktuar moti, një herë pastaj është shtyrë. Mendoj që shtyrja e dytë do të ishte e paarsyeshme. Së pari çfarë duhet të bëjmë është që të sigurohemi se secili institucion po e kryen detyrën e vet sipas obligimeve kushtetuese. E pastaj kur i marrim rezultatet zgjedhore, atëherë do të shihet dhe do të hyjmë në një etapë tjetër. Por, këtë etapë nuk mund ta paragjykojmë para 23 prillit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës. /Telegrafi/