Konjufca: E shkelën Kushtetutën e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se është bërë shkelje e Kushtetutës dhe rendit ligjor në Kosovë, kur institucione të pavarura, siç janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Autoriteti Rregullues i Telekomunikacionit dhe Këshillit Prokurorial i Kosovës, kanë marrë pjesë në dialogun që po zhvillohet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka thënë se kjo është një dukuri e pa parë në shtetet demokratike, që institucionet e pavarura dhe përfaqësuesit e institucioneve që përfaqësojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës të shkojnë dhe të negociojnë me Serbinë. Sipas tij kjo është një anomali e paparë në shtetet tjera.
“Është e paprecedent kudo në botë që përfaqësuesit e rendit juridik të shtetit të shkojnë në negociata për ta ndryshuar rendin kushtetues i cili i obligon ata që ta zbatojnë me përpikëri. Ata janë zgjedhur që ta zbatojnë ligjin dhe jo që t’i ndryshojnë ligjet. Në veçanti prania e këtyre personave në negociata është antiligjore dhe antikushtetuese sepse ata përfaqësojnë institucione që janë drejtpërdrejtë përgjegjëse për rendin e brendshëm kushtetues të Kosovës”, tha Konjufca, transmeton KP.
Sipas tij, këta njerëz përfaqësojnë institucione të pavarura nga institucionet politike dhe sipas tij janë detyruar nga dikush që të dalin jashtë mandatit të tyre kushtetues e ligjor.
Konjufca shprehet se jo me pak antikushtetuese është edhe përfshirja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe e Këshillit Prokurorial të Kosovës në negociata me Serbinë, andaj ai ka paralajmëruar se ata do t’i ftojnë në komisionet përkatëse përfaqësuesit e këtyre institucioneve, që sipas tij, kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që të japin llogari për këtë.
“Lëvizja Vetëvendosje do të thërras në llogaridhënie përfaqësuesit e këtyre institucioneve të cilat me kushtetutë definohen si të pavarura ndërsa llogari i japin Kuvendit. Çdo institucione qëështë i lidhur nëpërmjet kuvendit, përfaqësuesit e të cilëve i zgjedh Kuvendi dhe që e kanë për detyrë të bëjnë raporte në Kuvend për punën e tyre dhe përgjegjësitë ne do ti thërrasim nëpër komisione që janë të lidhura për shqyrtimin e punës së tyre. Pra VV do të inicioj aty ku është e mundur nëçdo komision, shembull me ART-në, KQZ-në, me KGJK-në, Këshillin prokurorial, se kush i ka detyruar ata që të dalin jashtë mandatit të tyre ligjore dhe kushtetues sepse kjo bënë një shkelje flagrante në Kosovë”, tha ai.
Konufca thotë se në kushtetutën e vendit KQZ-ja definohet si institucion i pavarur, derisaprania e saj në negociata është antikushtetuese, sepse nuk ka mandat të përfaqësimit ndërkombëtarë.
Sipas tij, po e njëjta mund të thuhet edhe për pranin e ART-së në negociata, pasi kjo përbën shkelje dhe tejkalim të qartë të kompetencave nga ana e një institucioni të pavarur me Kushtetutë siç është ART-ja.
Konjufca ka shfrytëzuar rastin që edhe këtë herë të ftoj qytetarët e Kosovës që ta kundërshtojnë marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, e cila javën e ardhshme pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.