Konjufca: Duam të jemi pjesë e NATO-s

Sot gjatë ditës në Prishtinë është duke u mbajtur Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, i cili do të zgjasë deri më 10 tetor, raporton Ekonomia Online.
Në këtë seminar kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova është radhitur në krah të shteteve demokratike duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Ai tha se vendi ynë është i vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë dhe anëtarësim në NATO.
Ai po ashtu u shpreh se shqiptarët e Kosovën e dinë se në çfarë po kalon populli ukrainas pasi e kanë përjetuar në lëkurën e tyre pasi janë sulmuar nga Serbia para më shumë se dy dekadash.
“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën…”
“Kosova mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veri-Atlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.