Kongresistja McClain: Çdo kërcënim ndaj Kosovës është i papranueshëm, SHBA-ja duhet t’i qëndrojë pranë
Kongresistja amerikane Lisa McClain, ka reaguar për sulmin e armatosur në veri të Kosovës.
Në një shkrim në rrjetin social “X”, ajo tha se Kosova ka qenë prej kohësh një aleate e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s dhe bota e lirë është e përkushtuar ndaj sovranitetit të tyre.
McClain shton se çdo agresion ndaj Kosovës nga shtetet e mbështetura nga Rusia është i papranueshëm dhe kërcënim për sigurinë globale.
“Kosova ka qenë prej kohësh aleate e fuqishme e SHBA-së dhe NATO-s, dhe bota e lirë është e përkushtuar ndaj sovranitetit të saj. Çdo agresion kundër Kosovës nga shtetet e mbështetura nga Rusia është i papranueshëm dhe kërcënim ndaj sigurisë globale. SHBA-ja duhet të qëndrojë pranë Kosovës”, ka shkruar McClain.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se incidentet si ai të dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, paraqesin sfida të papranueshme për forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe komunitetin ndërkombëtar.
Ai mirëpriti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të miratuar forca shtesë për Kosovën.
Blinken nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet e që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi.
Ai përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha më herët se nga sekretari Blinken është paralajmëruar për masa ndëshkuese ndaj Serbisë “nëse nuk sillet siç duhet”./Telegrafi/