KKVITI

Kongresisti Aderholt i premton Mustafës respektim të të drejtave në Luginë

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, ka filluar takimet me përfaqësues institucional dhe të shoqatave të ndryshme në SHBA.

Drejtorët ekzekutiv të Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan Avni Mustafaj dhe Martin Shkreli duke i uruar mirëseardhje kryetarit të PDSH-së dhe komunës së Preshevës Ragmi Mustafës, janë interesuar fillimisht t`i dëgjojë problemet dhe hallet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në mënyrë që më pastaj të formojnë edhe një agjendë të takimeve në mes Mustafës dhe kongresistëve dhe senatorëve të SHBA-ve, dhe me ambasadorë të shteteve me ndikim në botë.

Mustafa me këtë rast ka elaboruar rreth gjendjes politike, ekonomike dhe atë të sigurisë në Luginën e Preshevës.

Pas dëgjimit të problemeve në Luginë, drejtorët ekzekutiv të Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan i kanë mundësuar Mustafës takimin me kongresistin me ndikim në Kongresin amerikan Robert Aderholt.

Aderholt u njoftua nga Mustafa për hallet që kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi, që prej kohës së komunizmit e sidomos tash kur në kohën e pluralizmit politikë e në demokraci ende shqiptarët diskriminohen dhe u shkelen të drejtat elementare për jetë.

KKVITI

Me këtë rast kongresisti Aderholt premtoi se do të shtrijë ndikimin e tij që çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës të trajtohet më ndryshe dhe të drejtat e pakicave sidomos ato të shqiptarëve të respektohen me normat dhe konventat më të larta ndërkombëtare.

Kryetari komunës së Preshevës në SHBA është duke qëndruar me ftesë të Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan, ku sonte do të marrë pjesë në mbrëmjen Gala të shënimit të 17 vjetorit të themelimit të këtij Këshilli.

Në të janë të ftuar kongresist dhe senator të shumtë e ambasadorë të ndryshëm.

Gjithashtu do të marrin pjesë edhe dy kryeministrat shqiptarë Hashim Thaçi e Edi Rama, ish presidenti i SHBA-ve Bill Clinton, ish sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e shumë politikanë e diplomat që kanë ndihmuar dhe kontribuar për çështjen shqiptare në Ballkan./Titulli.com/