Konflikti i interesit formë e mirë për ta parandaluar keqpërdorimin e sferës publike

Nga Burim Haliti – Parandalimi i një dukurie negative është masë themelore jo vetëm në sferën e mjekësisë por edhe në atë ekonomike dhe juridike, sepse të parandalosh sot nënkupton të shpëtosh shoqërinë nga rreziku që mund ta paraqet një person për shoqërinë, e konceptet bashkëkohore i kushtojnë më shumë rëndësi funksionimit të shoqërisë sesa individit.
Shumë herë ne si qytetarë të këtij vendi i prijmë dhe i nxitim disa situata negativisht për një çështje të caktuar si rezultat i mosnjohjes se brendshme të ligjeve dhe në përgjithësi të infrastrukturës ligjore në sistemin juridik shtetëror.
Sot të parandalosh konfliktin e interesit nënkupton se je duke e mbrojt shtetin dhe shoqërinë nga manipulimet e shumta me paranë publike, taksat dhe tatimet, nga ekonomia joformale, nga keqpërdorimi i pozitave të larta shtetërore dhe nga shumë dukuri tjera të cilat janë evidente në shtetet në tranzicion.
Por parandalimi i konfliktit të interesit është mision moral i çdo qytetari dhe funksionari të lartë publik që ta kuptojë drejtë, mirë dhe profesionalisht, sepse tek ne ditëve të fundit në Kosovë ky nocion është keqkuptuar (nga të paditurit) dhe keqpërdorur (nga të diturit).
Pse të keqkuptohet dhe keqpërdoret ky nocion kur në Republikën e Kosovës ka kushte të mirëfillta ligjore për ta trajtuar drejtë dhe mirë këtë çështje, sepse kemi institucionin e veçantë (Agjencinë antikorrupsion) i cili e lufton këtë dukuri, e zbaton ligjin dhe njëherit i ndjek të gjithë ata zyrtarë të lartë publik të cilët janë në konflikt të interesit dhe kemi poashtu një ligj i cili në aspektin kozmetik është konform standardeve dhe kornizës ligjore të BE-së por në praktikë krijon boshllëqe dhe trajtim jo të mirë të kësaj fushë sepse aplikohet me shumë vështirësi dispozitat ligjore të këtij ligji.
Korniza ligjore – Konflikti i interesit sipas kornizës ligjore në Republikën e Kosovës mund të lind apo të ndodhë vetëm ndërmjet dy sferave: asaj publike dhe private, por sipas këtij ligji nuk ka konflikt interesi nëse një person është i punësuar në dy vende në sektorin publik e as e kundërta në sektorin privat apo edhe kur ka raporte tjera të interesit ndërmjet këtyre dy fushave. (Shih nenin 6, të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, nr.16/ 14 shtator 2011).
Me këtë ligj përcaktohen disa detale të rëndësishme të cilat janë të domosdoshme për një strukturë të tillë të ligjit: Fushëveprimi i ligjit, Konflikti i interesit (Nocioni), Parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit, Detyrimi i zyrtarit të lartë për parandalimin e konfliktit të interesit, Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë, Ushtrimi i veprimtarive tjera nga zyrtari i lartë, Anëtarësia e zyrtarit të lartë në organizata joqeveritare, Tentimi dhe Ndikimi në vullnetin e zyrtarit të lartë, Deklarimi rast për rast i interesave private te zyrtarit të lartë, Transferimi i të drejtave në drejtimin e ndërmarrjes, Mos pajtueshmëria me ushtrimin e funksionit publik, Kufizimi i zyrtarit të lartë në ushtrimin e funksioneve tjera krahas ushtrimit të funksionit publik, Kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, Procedura administrative e Agjencisë për rastet e konfliktit te interesit, Kompetencat e Agjencisë lidhur me konfliktin e interesit, Sanksionet për shkeljet e dispozitave të këtij ligji, Mos përjashtimi i përgjegjësive tjera ligjore, Përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, Dispozitat e fundit dhe kalimtare dhe hyrja në fuqi. (Shih ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, nr.16/ 14 shtator 2011).
Ky ligj është një bazë e mirë për të funksionuar institucioni i cili e mbikëqyr këtë fushë e që quhet Agjencia antikorrupsion dhe konflikt të interesit, e cila e ka këtë ligj si bazë të mirë të ushtrimit të kontrollit dhe të mos keqpërdorimit të zyrtarëve të lartë publik lidhur me punën dhe detyrën të cilën e ushtrojnë. Por interpretimi i dispozitave të këtij ligji duhet të bëhet në mënyrë profesionale dhe adekuate sepse kemi rastin e ndëshkimit për mbajtjen e dy pozitave në fushën publike dhe arsyeja e ndëshkimit ka qenë se ka konflikt interesi, ndërsa në nenin 6 të këtij ligji thuhet se konflikt interesi kemi atëherë kur një person lidh raporte të ndërsjella në sektorin publik dhe privat dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë përfiton personi.
Konflikti i interesit si nocion dhe dukuri nuk duhet keqkuptuar dhe keqpërdorur sepse neve si shoqëri mund të na kushtojë kjo shumë, por ne duhet që më gjentilitet profesional dhe vullnet institucional ti japim më shumë përkrahje të gjitha institucioneve të cilat janë kompetente për zbatimin e këtij ligji që interpretimi i këtij ligji të bëhet profesionalisht. Profesionistët e nënkuptojnë kështu konfliktin e interesit se është proces dhe dukuri që nënkupton ndalimin e të gjitha interesave të ngushta që ka një person dhe që mund të përfitojë materialisht diçka nga sfera publike.
Nuk nënkupton konflikt interesi nëse një person punon në institucionet publike dhe poashtu është i angazhuar në sferën private (këtu duhet respektuar vetëm dispozita e ligjit të punës) apo edhe ka biznes privat nëse nuk ka themelim të ndonjë raporti zyrtar sepse kjo është edhe ti ngushtohet hapësira e lëvizjes dhe angazhimit profesional një personi gjë që është në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare dhe nacionale të shteteve, por konflikt interesi nënkuptohet nëse një person është zyrtar i lartë publik në institucionet publike dhe pronar në biznesin e tij apo në kompaninë në të cilën është aksionar, që nënkupton se ai gjatë kohës sa është zyrtar i lartë publik duhet të japë dorëheqje nga biznesi privat deri sa është zyrtar i lartë publik dhe poashtu ai ka të drejtë që të interesohet se si po i shkon biznesi privat por nuk ka fuqi ekzekutive në këtë biznes sepse aludohet se mund të ketë gërshetime të interesave të fushës publike në favor të interesave private.
Sa më shumë që respektojmë dhe zbatojmë këtë ligj kemi më shumë të mira në funksionimin e institucioneve dhe shoqërisë sonë që pretendojmë se jemi shoqëri moderne dhe bashkëkohore, ky është një nga ligjet më me rëndësi në jetën e institucioneve tona, andaj pa hezitim duhet zbatuar më përpikëri jo për të ja mbyllur dyert dikujt por për ta parandaluar një dukuri nga keqpërdorimi i mjeteve dhe pasurisë shtetërore nga ndokush që së pari nuk ja do të mirën vetës e më pas edhe shoqërisë, kombit dhe shtetit.
Ma.Sc. Burim Haliti (Master i shkencave juridiko-financiare).