Uji Dea

Konfirmimi i korrupsionit

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Ngritja e aktakuzës për ish-drejtorin e Agjencisë së Metrologjisë, dy zyrtarëve të kësaj Agjencie, një zyrtari të lartë të KEDS-it, si dhe një përfaqësuesi të njehsorëve elektrikë digjitalë “Kohler”, të prodhuar në Turqi, përfundimisht konfirmuan ekzistimin e një zinxhiri të korrupsionit mes institucioneve dhe konsurciumit turk “Çalik&Limak”, që e privatizuan distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kundrejt një çmimi tejet qesharak.

Duke u bazuar në marrëveshjen e privatizimit, kompania turke brenda një kohe jo të gjatë është dashur të modernizojë rrjetin e shpërndarjes, duke investuar qindra miliona euro, ku më pastaj përmes zvogëlimit të humbjeve KEDS-i kthen investimet dhe rrit profitin.

Mirëpo, kompania turke e ka gjetur një rrugë më të shkurtër për të sjellë të hyra sa më të mëdha.

Këta kanë lënë anash investimet e mëdha kapitale dhe kanë vënë në fokus të parë ndërrimin e njehsorëve të vjetër me njehsorë elektrikë të tipit “Kohler”, të cilët në bazë të matjeve që u janë bërë nga institucionet e certifikuara kanë regjistruar më shumë energji sesa është shpenzuar realisht.

Deri më tash vetëm është dyshuar se kompania turke po fiton duke vjedhur konsumatorët, por pas ngritjes së aktakuzës Prokuroria ka gjetur prova të mjaftueshme se gjatë dy vjetëve rreth 25 mijë familje që kanë njehsor të këtij tipi kanë paguar faturat më të larta sesa ata në të vërtetë kanë shpenzuar.

Por, nuk është ky skandali i vetëm i kompanisë turke që ka në menaxhim rrjetin energjetik. Gazeta “Zëri” ditë më parë ka vërtetuar se KEDS-i ka shitur energji elektrike edhe në momentin kur pjesa dërrmuese e Kosovës ishte me orë të tëra në terr.

Eco Higjiena

Vjedhja e konsumatorëve nga kompania turke “Çalik&Limak” edhe më shumë forcon bindjet se privatizimi i distribucionit ka qenë i manipuluar nga këta (turqit) dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda Qeverisë së Kosovës, që kanë shqyer zërin duke lobuar për kompaninë që tash po del se po vjedh konsumatorët përmes njehsorëve elektrikë.

Edhe më tutje mbetet e pashpjegueshme se si deri më tash askush nuk po vuan burgun për korrupsion, derisa numri i tyre që vjedhin shtetin po rritet nga dita në ditë.

Bazuar në të dhënat e fundit, deri në fund të muajit qershor në cilësinë e të dyshuarve mbeten 2 ministra, 6 deputetë, 24 zyrtarë qeveritarë, 3 gjyqtarë, 3 prokurorë, 12 zyrtarë policorë, 35 asamblistë komunalë, 85 zyrtarë komunalë, 4 drejtorë të ndërmarrjeve publike, 1 avokat dhe 50 mjekë.

Institucionet e shtetit përfundimisht duhet t’i shpallin luftë korrupsionit si kusht kryesor për integrim në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Është koha dhe momenti i fundit që institucionet e drejtësisë duhet të merren seriozisht me luftimin e kësaj dukurie e jo të vazhdojnë edhe më tutje me praktika vetëm të diskreditimit të personave që kanë vjedhur dhe po e vjedhin buxhetin e shtetit.

Duke u bazuar nga praktikat e deritanishme, Policia e Kosovës ka arrestuar një numër të madh të personave si të dyshuar për “Korrupsion”. Një pjesë e tyre kanë kaluar vetëm një apo dy net prapa grilave, ku më pas përmes gjykimeve që janë mbajtur pas dy ose më shumë viteve pas ushtrimit të veprës janë shpallur të pafajshëm. Madje, si për çudi ata kanë marrë komplet pagën pa punuar fare dhe nuk janë rastet e vogla kur ata janë kthyer edhe në vendet e tyre të punës, që kanë mbajtur para se të arrestoheshin.