Uji Dea

Konferencat pa efekt

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Efekti i konferencave ndërkombëtare për investitorë që po i organizon Qeveria, sipas njohësve të ekonomisë, nuk po shihet askund. Investimet e huaja janë vazhdimisht në rënie si edhe radhitja e Kosovës në raportet e Bankës Botërore për biznes. Vetëm dy vitet e fundit janë organizuar nëntë konferenca ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës po organizon çdo vit dhjetëra konferenca për investitorë, duke shpenzuar mijëra euro, por, sipas njohësve të ekonomisë, efekti i tyre nuk po shihet askund.

Investimet janë vazhdimisht në rënie dhe Kosova po radhitet keq e më keq në raportet ndërkombëtare.

Raporti i fundit i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2011” e radhit Kosovën në vendin e 119’të, nga 183 vende të botës. Krahasuar me vitin 2012, vendi është për gjashtë vende më keq, si pasojë e procedurave të komplikuara administrative.

Ngjashëm është edhe sa i përket ardhjes së investitorëve. Sipas statistikave të Bankës Botërore, ka pasur një rënie prej 30 për qind në shumën e investimeve të huaja direkte nga viti 2007 në 2010.

Rënie të investimeve ka pasur edhe vitin e kaluar, e po ashtu edhe këtë fillim viti.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se pavarësisht këtyre organizimeve, efekti i tyre është tejet i vogël.

Sipas tij, ambienti investiv në Kosovë është krejt ndryshe me ato çfarë thuhen në ato konferenca.

“Efekti konkret edhe i krejt politikave qeveritare duhet të matet me ato që po ndodhin në Kosovë; po rritet varfëria e papunësia dhe investimet në sektorin privat janë në rënie. Ky është efekti konkret qe vërehet edhe prej promovimeve të konferencave”, ka thënë Rexhepi. Rexhepi vlerëson se edhe sipas shumë analizave, del se korrupsioni, evazioni fiskal dhe kontrabanda janë shkaqet që po i mbajnë larg Kosovës, investitorët e huaj.

“Korrupsioni ka arritur në nivele të larta dhe kjo është shqetësuese dhe natyrisht se ndikon edhe në ardhjen e investitorëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se prezantimi jashtë vendit përmes këtyre konferencave nuk është i mjaftueshëm dhe nuk ka një grup të caktuar të investitorëve që iu drejtohet.

Uji Dea

“Shumë rrallë ka target grupe të investitorëve që janë potencial për të ardhur për investim. Promovimi po bëhet, por pa ndonjë përcjellje te mëtutjeshme”, vlerëson Rukiqi.

Ai përmend edhe problemet si madhësia e tregut, garancia ligjore që, sipas tij, mungon në Kosovë, dhe mosfunksionimi i gjyqësorit.

“Por kryesorja është të funksionimi i gjyqësorit dhe ligjet që do t’u kishin garantuar investitorëve se interesat e tyre nuk do të cenoheshin”, tha ai.

Nga ana tjetër, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, përkatësisht Agjencia për Promovimin e Investimeve, vetëm këto dy vitet e fundit ka organizuar nëntë konferenca ndërkombëtare për investitorë. Ndërkaq, planifikon të organizojë edhe gjashtë të tjera deri në fund të këtij viti.

Konferencat janë organizuar në Nju-Jork, Vjenë, Cyrih, Romë, Berlin, Paris, Bursa, Budapest dhe Uashington.

Sipas këshilltares për media në MTI, Arta Istrefi, qëllimi i këtyre organizimeve ka qenë prezantimi i Kosovës si vend i sigurt dhe stabil dhe prezantimi i potencialeve të saj.

“Nga këto konferenca tanimë i kemi parë edhe rezultatet konkrete, ku disa kompani kanë filluar bashkëpunimin me kompani të huaja. Shembull konkret është Osa Termosistemi Rahovec, të cilët kanë filluar eksportin në Hungari si rezultat i partneritetit të dalë nga konferenca e organizuar në Budapest”, ka thënë Istrefi.

Kjo ministri me përmirësimet që i ka bërë në ambientin e të bërit biznes po synon që deri në vitin 2014, Kosovën ta rangojë në top 40 vendet e para për të bërë biznes.

Një nga përmirësimet substanciale, sipas Istrefit, është regjistrimi i biznesit, i cili sot, thotë ajo, është më i lehtë, më i lirë dhe më i shpejtë në dallim me vitet paraprake.

“Me integrimin e sistemit për regjistrim të biznesit, është shkurtuar koha nga 58 ditë në më pak se 3 ditë. Shtesë kësaj, bizneset tani marrin një certifikatë me dy numra: numrin e biznesit dhe atë fiskal, derisa më parë është dashur të marrin numrin e biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit, ndërsa numrin fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës.

Gjithashtu në një vend mund të merret edhe numri i TVSH-së me një afat kohor maksimum 2 ditë. Ky sistem ka shkurtuar numrin e dokumenteve të nevojshme për eksport dhe import”, ka thënë ajo. Gjithashtu, si të arritur Istrefi përmend hapjen e 25 qendrave “one stop shop”, heqja e lejes së punës, procedurat e regjistrimit janë shkurtuar nga 10 në 3, ndërsa bizneset nuk kanë nevojë të paraqesin kapitalin fillestar, çka nënkupton që mund të regjistrohen me zero shpenzime.(express)